Dy personalitete të kundërta përballë njëri-tjetrit
Premtimet zgjedhore janë të natyrshme. Por premtuesi duhet të jetë i besueshëm
Njëri prej organeve të përditshme më të fuqishme financiarisht, synon të shtojë tirazhin me intimitete nga jeta e Lulzim Bashës, para 2005-s. Duke qenë në pikun e propagandës zgjedhore administrative, mendja të shkon se nuk është vetëm për një kërshërí të thjeshtë. Luli duket se e paska trembur së tepërmi kandidatin e drejtpërdrejtë, Edin, për t’ia marrë bashkinë këtij të fundit. Ky flet, tani, si nëpër ethe. “Aleanca për ardhmërinë“ e Ramës, në vetë kontekstin e saj, bishtnon të tashmen, palé të kaluarën. Si të thuash, të shkuara e të harruara! Është si një rrafsh i paqëndrueshëm në dy pika. Kësisoj plani nuk pozicionohet, sipas stereometrisë fillestare. Në këtë mënyrë Basha e ka të lehtë ta sfidojë oponentin e vet me “Aleancën për qytetarin dhe për interesat e tij”. I gjendur në këtë vakuum, Edvini bie në politizimin e tejmasshëm të propagandës zgjedhore. Retorika e tij boshe, e mbrujtur me sharje të rëndomta, banale dhe me dëshirën e tij ngulmuese për të mos zbritur nga eteri në terrenin praktik, u tregua e dështuar, qysh në hapat e parë të debatit. Slogani i “Aleancës për ardhmërinë” nuk i jepte dorë të zbriste në terrenin e interesave konkrete të qytetarëve. Ndërsa Basha u përqendrua menjëherë në “ç’është bërë”, veçanërisht këta katër vitet e fundit dhe jo ç’do të bëhet (e ardhmja) me shmangien e analizës së të tashmes.
Me maninë për t’i personalizuar zgjedhjet, - siç u akuzua nga LMN-ja brenda radhëve për 2009-n, - kryebashkiaku në detyrë u fut në njëfarë qorrsokaku, duke i shndërruar këto zgjedhje si të ishin zgjedhje parlamentare. „Aleanca për ardhmërinë“ e ngushtoi aq tepër diapazonin sa, fillimisht, E. Rama kujtoi se do ta kalonte, lisho, si në vaj, me ato fjalitë e tij mjegullore e agresive. Aq më tepër, duke e quajtur inekzistent kundërshtarin e tij për bashkinë e Tiranës. Madje duke e zëvendësuar në debat kundërshtarin e tij, me Dr.Berishën. Në 2009-n, kur zgjedhjet ishin parlamentare, Berisha kërkoi debat të drejtpërdrejtë, por Edvini iu shmang. Ai i bën bisht ballafaqimit në katër sy, siç po vepron edhe tani, për zgjedhjet e 8 majit, me Lulzim Bashën. I jep vetes atributet që të caktojë edhe kandidatin kundërshtar për bashkinë, që është institucioni i braktisur prej tij, sidomos në këto katër vitet e fundit! Atij i është shkrepur të debatojë me doktorin, jo me L.Bashën, çka s’është në kompetencën e tij që ta caktojë ai vetë kandidatin oponent për kryetar bashkie. Prandaj mos të marrë abuzivisht edhe ofiqe gjyqtarësh se kush e ka fajin. Sepse çdo analizë racionale të çon detyrimisht se fajin e ka ai, dhe vetëm ai, për ndryshimin e karakterit të këtyre zgjedhjeve administrative, në “zgjedhje politike”! Në asnjë vend demokratik nuk ndodh një absurditet i tillë. Dhe propagandistët e tij që kërkojnë arsyen e mosarsyes për këtë deviacion politik dëshmojnë njërën nga të dyja: ose s’kanë kulturë zgjedhore, ose janë pllakosur në një nënshtrim mjeran.
Antagonisti i tij, z. Basha, u mor bash me hallet e qytetarit, në takime të afërta me të, në të cilat fotoreporterët paraqisnin rrugë me gropa e pellgje; për të kaluar, duheshin ngritur fundet e pantallonave! Nga ana tjetër, mungesa e një programi sintetik e konkret asnjëherë, duke nisur nga 28 qershori 2009 e në vazhdim, nuk është bërë transparente. Për t’iu kundërvënë kritikave për këtë spontanitet, Edi bëri një kioskë-vitrinë në qendër të kryeqytetit, ku mëtohej të ishin 10 mijë faqe program, në shqip dhe në anglisht! Si njeri i hiperbolave të bujshme, askush nuk i mori parasysh këto justifikime. Kjo u përsërit edhe në këto zgjedhje vendore, që u politizuan artificialisht. Për shembull: Kur L. Basha foli për tramvajin Kombinat- Kinostudio, Edvini tha se ideja ishte e tij dhe se ai do të bënte tri të tilla! Kur flitej për rrugën e Kombit, përsëri propaganda e tij foli për rrugën që do të bëhej nga Majko, për të cilën u volën edhe taksat përkatëse, që nuk dihet ç’u bënë. Ashtu sikundër edhe rruga, që as nisi, as e bitisi! Një etje morboze që përparësia t’i mbetet atij! Si rusët, që paskëshin shpikur llambën elektrike, jo Edisoni! Si ligjin e Lavuazierit, emri i të cilit duhej zëvendësuar me një rus!
Kështu filloi të ngjizej mendimi se të flasësh për të ardhmen do të thotë të shmangësh bilancin se ç’ke bërë! Kësisoj L. Basha e futi në hullinë e tij E. Ramën. Dhe, në një kohë të dytë, filloi edhe ky të tregojë se çka bërë, duke shtrembëruar të vërtetën e rrugëve, - po marrim vetëm një rast, - të cilave u kishte bërë një lustër sipërfaqësore, i kishte përuruar bujshëm dhe ato u katandisën për ibret, brenda një kohe të shkurtër... Paralelisht, defektet e bashkisë ua ka ngarkuar të tjerëve, si në rastin e hapjes së digës së liqenit artificial prej zëvendëskryebashkiakut të tij. Fajësinë u mundua t’ia ngarkonte ish-kryebashkiakut, kur ky e kishte lënë atë detyrë që prej dy vitesh!
***
Tani, shkrimi “Gjashtë muajt e parë Lulzimin e morëm për të huaj” na u duk se ka lidhje me ato që thamë më lart. Këtë mendim e përforcon edhe nëntitulli: “Në fillim nuk preferonte të fliste shqip”. Veçse vajza dhe djali që u ngarkuan me këtë temë, pavarësisht nga synimet e së përditshmes, përmban edhe fraza të vërteta të cilat nuk e cenojnë por e vënë në një dritë të qashtër personalitetin e përkorë të Lulit, me portretizimin që u ngarkuan të bëjnë.
Pasi përfundoi studimet në Universitetim e Utreht-it në Holandë, me gradën Master i së Drejtës (1998), L. Basha punoi në Gjykatën Ndërkombëtare të Krimeve të Luftës. Dhe në vitet 2000-2001 ka qenë këshilltar ligjor pranë Departamentit të Drejtësisë së UNMIK-ut. Në 2001-2002 punoni si zëvendësshef i Drejtorit të Departamentit të Drejtësisë, në Kosovë. Këto poste të larta që na referohen janë dëshmi aftësie të një niveli të epërm, në të vërtetë. Le të kemi parasysh se në atë kohë Gjykata Ndërkombëtare e Krimeve të Luftës, merrej me kërkimin dhe vënien para drejtësisë të kriminelëve serbë. Karla Del Ponte, pasi e mbaroi mandatin si kryetare e kësaj gjykate, u orvat të merrte me të mirë serbët, me ato përçartjet e saj të transplantit të organeve njerëzore, në një shtëpi krejtësisht të papërshtatshme fshati, ku nuk bëhej dot asnjë operacion apendiciti! Ajo u kritikua rëndshëm për këto halucinacione në vendin e saj, Zvicër, dhe pati zëra të autoritetshëm që të mos emërohej ambasadore në Argjentinë. Hetimet për këto hamendësí të çuditshme përfunduan në një blof. Pa na del, pas shumë e shumë vitesh, edhe një antishqiptar tjetër, Dik Marti, me të njëjtën çështje transplantesh imagjinare! Me të tillë persona, ku hyn edhe rumuni Boshtinaru, merrte kontakte Rama, duke dërguar emisarët e tij, i kapluar nga sindroma e nihilizmit ndaj sukseseve të qeverisë Berisha dhe të të suksesshmit Lulzim Basha. Këto probleme të paqena nuk kishin dalë, kur L. Basha punonte në dobi të Kosovës, pranë faktorit ndërkombëtar.
Por fill më pas, mbërrijmë në një copëz kontradiktore: “Ish-kolegët e Bashës tregojnë që Lulzimi, së paku 6 muajt e parë të qëndrimit në Kosovë, shoqërohej vetëm me ndërkombëtarë, madje i shmangej të folurit shqip (!)”. Duke pranuar se shoqërohej “vetëm” me ndërkombëtarë, a mund të fliste shqip!? Kështu del e pakuptimtë edhe fraza pasardhëse që i vihet në gojë një zyrtari të lartë të ministrisë së Drejtësisë, Sokol Zogajt: “Mendonim se L. Basha duhej të qé ndonjë i huaj, sepse askush nuk e kishte dëgjuar të fliste shqip!”. Të dy autorët e këtij shkrimi zakonisht përdorin fjalí pa emra: - “Ish-kolegë të Bashës tregojnë që ai...”. Kështu do të bënin mirë që edhe në këtë rast mos të citonin S. Zogajn. A mos kërkohet të krijojnë ndonjë acarim të kotë ndërmjet këtij personi dhe L.Bashës?
Lexojmë se “Basha fliste edhe shqip, si në rastet e përkthimit nga shqipja në anglisht të deponimeve të shqiptarëve në gjykatë”. Përfundimi: “pra, të gjithë (përsëritim: të gjithë!) mendonin se L. Basha duhej të qé ndonjë i huaj, kështu që “ndërkombëtari” Basha, pas disa muajve, u mor vesh se qé shqiptar(!)” rrëzohet nga vetë autorët, mbase pa dashjen e tyre. U bë tërkuzë një gjë kot më kot, pra (që të përdorim edhe ne të njëjtën ndajfolje). Harrohet se nga ky shkrim mësojmë se “gjithnjë Basha e kalonte pjesën më të madhe të kohës me ndërkombëtarë”. Përforcohet mendimi, kur thuhet se “gjatë 5 vjetëve në rrethin e tij shoqëror hynë shumë pak shqiptarë”. Megjithatë, përmenden me emër gjashtë persona që ishin në rrethin e tij shoqëror, në atë hark kohor. Gjene mirë. Së paku këta e dinin se ishte shqiptar! Ky grup individësh (që quhet rrjet individësh!) ka edhe sot marrëdhënie të mira me L. Bashën, - siç lexojmë. Duke qenë të gjashtët që punonin në Kosovë, përse mos t’i kishin marrëdhëniet e mira?
Autorët e shkrimit shfaqnin keqardhjen se ish-kolegët e Bashës në Kosovë “hezitojnë të flasin, ndoshta se është fushatë elektorale”. Dhe shfaqin mendimin se ç’të keqe ka të tregojnë për historitë rinore të tij? Duket se kosovarët e duan Bashën. Sepse e keqja qëndron në atë se të ngarkuarit për hetim mund t’i nxirrnin në gazetë fjalët për Bashën, të deformuara. Përse për disa flitet me emra, e për të tjerë me “ish-kolegë të tij tregojnë se...” ? Të dërguarit nuk mundën të mblidhnin të dhëna komprometuese. Ata shkruajnë: “Të gjithë miqtë e tij, në anonimatin e tyre imponues (!), tregojnë se Basha i ri ka qenë një djalë elegant, gjithnjë i kujdesshëm për pamjen e tij, e nga buza e tij nuk shqitej kurrë buzëqeshja”. Bukur! Dhe është në nderin e reporterëve që përcjellin edhe fjalë të tilla simpatike për Bashën. Edhe personi që është më pak prudent dhe paraqitet me emër në reportazh shprehet: “Njihej si një djalë i bukur, që hynte e dilte në zyrën e UNMIK-ut si në pasarelë dhe i bënte gratë që t’u mbahej fryma sa herë djaloshi kalonte nëpër korridore”. Vetëm njëfarë Arbeni, përkthyes në atë kohë dhe sot me një karrierë të suksesshme në Kosovë “nuk ruan ndonjë shije të mirë” dhe thotë se Basha kohët e lira i shpenzonte me...(dhe tregon gjashtë miqtë me të cilët kishte miqësi). (Një personalitet si ai duhej të ngatërrohej me njerëz të panjohur?).Të dërguarit nga Tirana kishin vajtur edhe te qiradhënësja e apartamentit për informata, por ajo u tha se nuk mbante mend asgjë, “sapo morën vesh që ishim gazetarë nga Tirana”. Të dërguarit kishin vajtur edhe te berberi i Lulit. Por edhe këtu kishin vajtur për lesh dhe kishin dalë të rruar. E vetmja informatë me interes ishte se qiraja e apartamentit luksoz ishte prej 1000 euro/muaj. Por rroga e tij ishte 7000 euro/muaj.
Si përfundim, bëhet e vetvetishme kureshtja që kjo e përditshme të interesohet edhe për intimitetet e kundërshtarit të L. Bashës, për bashkinë e Tiranës. Jo për ato që kanë të bëjnë me atë aktoren e talentuar, por fatkeqe, që u shpërfytyrua, e humbi gëzimin e jetës, u bë e mbyllur në vetvete, nuk i jepej banesa e vendosur nga gjyqi, iu mohua legjitimiteti i djalit nga i ati, Edi, që të mos flasim edhe për incestin në familje e gjëra të tjera, të njohura hollësisht, tashmë, nga përshkrimet e detajuara të Mero Bazes. Themi jo për ato që u bënë të njohura, por për ato që mbahen të fshehura edhe sot e kësaj dite. Për ato që kanë mbetur tema-tabù. Si për atë gjestin e dënueshëm që e dërmoi fizikisht një femër të njohur në fushën artistike, duke e rrahur brutalisht në rrugën pranë Zogut të Zi...Dhe pikërisht ky njeri i dhunshëm, e ngre zërin më shumë se cilido tjetër, për të drejtat e shenjta të seksit femëror, që duhen respektuar, duhen nderuar... në emër të emancipimit të shoqërisë sonë...Eja e besoji!