E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përsëri kaos në Formula 1, FOTA nuk lejohet të votojë

E pakuptimtë dhe një situatë e sikletshme. Kështu mund të përshkruhen episodet e takimit të zhvilluar në Nurburgring, ndërmjet 13 skuadrave të F1, duke përfshirë edhe ato që u regjistruan së fundmi dhe FIA. Marrëdhënia ndërmjet palëve ka marrë një tjetër krisje, e cila rikthen në rend të ditës zhvillimin e një kampionati paralel nga ai që kontrollohet prej Federatës Ndërkombëtare të Automobilizmit. Sikur ta parandienin një gjë të tillë, e duke mos pasur besim te Maks Mosli dhe bashkëpunëtorët e tij, konstruktorët që janë pjesë e FOTA-s po vazhdonin bisedimet me organizatorët, sponsorët dhe televizionet, nëse do të vendosnin të largohet nga Formula 1. Gjatë mbledhjes, Çarli Uajting (ish-mekanik i Brabham, njeri i besuar i Ekleston), i cili mban postin e drejtorit teknik të FIA-s, informoi menaxherët e tetë skuadrave të FOTA-s (BMV, Braun GP, Ferrari, MekLaren, Renault, Red Bull, Tojota dhe Toro Roso) se, duke qenë se nuk janë të regjistruara në Botërorin 2010, nuk kishin të drejtë të votonin për rregulloren teknike dhe sportive. Gjithçka të krijon përshtypjen e një plani strategjik të hartuar nga Maks Mosli: letrat e dërguara së fundmi dhe dorëzimi përpara vullnetit të skuadrave duket se ka pasur si qëllim gjetjen e një mënyre për të rikandiduar në tetor, në zgjedhjet për presidentin e federatës. Në këtë mënyrë, britaniku 69-vjeçar mbyll çdo mundësi për firmosjen e kontratës që përcakton termat ekonomikë, teknikë dhe sportivë në Formula 1. Pa një dokument të firmosur, ekzistojnë të gjitha mundësitë që palët të nisin një tjetër duel, ashtu siç ndodhi në mbledhjen e Këshillit Botëror të 24 qershorit, ndërsa Mosli mund të deklarojë se detyrohet të mos largohet, për shkak të sulmeve ndaj institucionit që drejton.

Akti i fundit i konfliktit ka ardhur në kohën kur pritej që të gjendej marrëveshja përfundimtare për pikën më të nxehtë të diskutimeve, buxhetin e kufizuar të skuadrave. Nëpërmjet një deklarate për shtyp, FIA bënte të ditur se "pas vendimit të Këshillit më 24 qershor, për t‘u rikthyer në versionin e 29 prillit për çështjen e rregulloreve teknike, federata është takuar me skuadrat që janë regjistruar në Botërorin e ardhshëm, për të arritur marrëveshjen. Ndryshimet i takonin peshës minimale të makinave (620 kg) dhe uljes së buxhetit brenda dy vjetëve, për t‘u rikthyer në nivelet e viteve ‘90, siç premtuan edhe vetë skuadrat. Tetë anëtarët e FOTA-s u ftuan të merrnin pjesë në mbledhje, por për fat të keq kjo nuk ishte e mundur, sepse ata braktisën sallën". I menjëhershëm reagimi i skuadrave: "Ndryshe nga akordi i mëparshëm, Çarli Uajting na informoi se skuadrat e FOTA-s nuk kishin të drejtë vote për rregulloren teknike, pasi ende nuk janë regjistruar në kampionatin e ardhshëm, në një kohë kur ishim në listën e hyrjes, e cila u aprovua nga Këshilli Botëror dhe u bë publike nga FIA. Kërkuam shtyrjen e mbledhjes, por kërkesa u refuzua. Na thanë qartë se akordi i ri nuk do të bëhet pa miratuar rregullat për 2010-ën dhe u detyruam të braktisnim takimin".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›