E Shtunë, 31 Tetor 2026

Milani, dietë strikte për Dinjon

Milani ka përcaktuar një dietë strikte për Ronaldinjon, duke shpresuar se braziliani do të humbasë të paktën katër kilogramë deri në muajin gusht, kur starton edhe sezoni futbollistik. Lajmi është bërë i ditur nga e përditshmja italiane "Corriere Dello Sport". Në një intervistë të dhënë së fundmi, Ançeloti nuk i përgënjeshtroi zërat se ai dhe Kaka u sakrifikuan nga kuqezinjtë, për t‘i lënë Ronaldinjos një rol prej protagonisti. Presidenti Silvio Berluskoni nuk e ka fshehur besimin se mesfushori do të jetë lideri i ri i skuadrës. Të hënën, ish-fantazisti i Barcelonës u paraqit në Milanelo për stërvitjet përpara fazës përgatitore. Pavarësisht se ka punuar me intensitet të lartë, mediat italiane theksonin se tekniku Leonardo dhe përgatitësi atletik, Daniele Tonjaçini, ishin mjaft të shqetësuar, pasi lojtari është mbipeshë. Ata përgatitën një program stërvitor special për Ronaldinjon, në mënyrë që lojtari të humbasë kilet e tepërta. Braziliani është dukur jashtë formës optimale edhe gjatë sezonit të kaluar, por spekulohet se gjatë kësaj vere ai është shëndoshur edhe më shumë. "Dinjo ka punuar shumë në këtë periudhë dhe u është nënshtruar ushtrimeve specifike për formën fizike. Gjithsesi, atij i pëlqen më shumë të punojë me topin", tha Tonjaçini.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›