Përshëndesin votimin Kryeparlamentarja Jozefina Topalli dhe Ministri i Jashtëm Lulzim Basha
Sllovenia ratifikon Protokollin e Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, procesi do përmbyllet brenda shkurtit
Asambleja Nacionale e Sllovenisë votoi dje Protokolline Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Me 78 vota pro dhe asnjë kundër deputetët e Asamblesë Nacionale të Sllovenisë, i thanë “po” anëtarësimit të Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut, ashtu sikurse Kryetari i Asamblesë Nacionale të Sllovenisë, Pavel Gantar ia kishte garantuar Kryetares së Kuvendit në bisedën telefonike të pak ditëve më parë.
Në letrën e saj drejtuar Pavel Gantar, Kryetarit të Asamblesë Nacionale të Sllovenisë, Jozefina Topalli, Kryetarja e Kuvendit e falënderoi për angazhimin e tij personal, për përfshirjen në axhendën e Asamblesë dhe aprovimin e këtij protokolli, brenda një kohe të shkurtër. “Ratifikimi i Protokollit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO nga Asambleja Nacionale e Sllovenisë është tepër domethënës dhe nëj tjetër dëshmi e vullnetit të palëkundur të vendit Tuaj mik për të mbështetur Shqipërinë në proceset integruese dhe perspektivën e saj euro-atlantike. Sllovenia ka qenë dhe mbetet një mbështetëse e madhe e Shqiëprisë në aspiratat e saj për integrim”, shprehej midis të tjerave Topalli në letrën e saj dërguar homologut slloven Gantar.
Në emër të Kuvendit të Shqipërisë, Kryetarja e Kuvendit shprehu mirënjohjen për anëtarët e Asamblesë Nacionale të Sllovenisë, për mbështetjen dhe besimin e tyre ndaj përpjekjeve të Shqipërisë për të merituar anëtarësimin në NATO.
Nga ana e saj edhe Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Shqipërisë përshëndeti vendimin e Parlamentit slloven, i cili në unanimitet, ratifikoi Protokollin e Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.
Sipas njoftimit zyrtar të ministrisë së Jashtme, Ratifikimi i Protokollit nga Sllovenia është shprehje e mbështetjes së vazhdueshme të Sllovenisë për proceset e integrimit euroatlantik të Shqipërisë dhe e marrëdhënieve të shkëlqyera me këtë vend fqinj.
“Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Shqipërisë shpreh bindjen dhe ka marrë siguri të plotë se edhe 5 vendet e tjera anëtare të Aleancës që ende nuk e kanë ratifikuar Protokollin e Anëtarësimit, shumë shpejt, në ditët dhe javët e ardhshme, do të përmbyllin të gjitha procedurat e nevojshme, duke i hapur rrugë anëtarësimit të plotë të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO, gjatë Samitit të fillim prillit në Strasburg-Kiehl”, bënte të ditur dje Ministria e Jashtme.
Sllovenia bëhet vendi i 21-të që e përmbyll këtë proces. Pas miratimit të djeshëm të Protokollit të Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO nga Sllovenia, mbeten edhe 5 vendet, Portugalia, Greqia, Luksemburgu, Holanda dhe Islanda, për të votuar këtë ratifikim.
...