E Diel, 1 Nëntor 2026

Përshëndetja e Presidentit Topi në ceremoninë e dekorimit të Komunës Postribë me rastin e 62-vjetorit të kryengritjes së parë antikomuniste.

9 shtator 2008
Postribë

Të nderuar qytetarë të Komunës Postribë, ju përshëndes!
E nderuar Kryetare e Parlamentit, zonja Topalli,
I nderuar Kryetar i Komunës,
Të nderuar deputetë,
Miq e të ftuar,

Jemi sot këtu për të përkujtuar një ngjarje të spikatur në histori të ndodhur 62 vjet më parë, Lëvizjen e Postribës, e cila ka hyrë në kujtesën e popullit tonë si kryengritja e parë antikomuniste. Një lëvizje politike, për më tepër një kryengritje nuk ndodh kurrë rastësisht. Ajo është e lidhur me natyrën e njerëzve që e bëjnë atë, me organizimin e tyre familjar e shoqëror, me besimin e tyre.

Historia e vendeve të regjimeve totalitare e më konkretisht ajo e Shqipërisë është histori e qëndresës, e kundërshtisë, e mospranimit dhe e mosbashkëpunimit me totalitarizmin. Rezistenca antikomuniste është dëshmi se Shqipëria nuk iu nënshtrua vullnetarisht të keqes komuniste. Diktatura komuniste shkaktoi viktimizimin e një pjese të mirë të shoqërisë, e në mënyrë të veçantë viktimizimin e elitës së shoqërisë shqiptare. Në këndvështrimin dialektik nuk mund të flasim veç për viktima dhe të persekutuar nga diktatura, por edhe për fitimtarë moralë ndaj saj.

Duke gjykuar nga konteksti historik, sot mund të themi se kryengritja e Postribës vjen si një dëshmi emancipuese e një kohe të errët për të cilën ne të gjithë dhe veçanërisht brezi i ri, kemi fatin të themi që atë e bënë paraardhësit tanë. Në këtë trevë ku jo pak herë me përpjekje të përgjakshme janë përcaktuar në kohë të vjetra e të reja fatet e krejt kombit, ku “malësori apo qytetari do vetëm t’i mjaftojë vetvetes në liri të plotë”, nuk mund të pranohej pa rezistencë një tiranì, një ideologji që shpërfillte ndjesitë kombëtare, liritë tradicionale e individuale, një sistem që synonte skllavërimin e individit, pikërisht të atij individi që jetën e kish barazuar me lirinë përgjatë shekujve.

Ne duhet t’i rikthejmë identitetin historisë nëpërmjet personazheve të vërteta, personazhe që drejtpërsëdrejti apo tërthorazi kanë bërë historinë e kohës e ku nëpërmjet shembujve të jetës së tyre kanë ravijëzuar një vend, historia e të cilit për një epoke të tërë, është gjymtuar.

Ne dhe fëmijët tanë duhet të mësojmë të vërtetat mbi Jup Kazazin, Prek Calin, Riza Danin, Osman Haxhinë, Murat Haxhinë, Rasim Koksin, Ymer Beqirin, Elez Bajramin, Ymer Zenelin, Gaspër Palin, Myzafer Pipën, për djemtë e pushkatuar në fushën e Shtojit e shumë të tjerë intelektualë nacionalistë, krerë e njerëz të thjeshtë të kësaj krahine, që bënë rezistencën antikomuniste në tërësi e që iniciuan Lëvizjen e Postribës.

Ne duhet t’i shmangemi leximit të njëanshëm e ideologjik të historisë dhe mbulimit të saj nga pluhuri i harresës. Kujtimi i së kaluarës do të thotë respekt për të ardhmen. Ne do të dëshmonim një vizion mjaft të gjymtuar të këtyre viteve po të tentonim të ndërtonim një “demokraci të mbështetur mbi harresën”.

Falë jetëgjatësisë së tij, komunizmi mundi të penetrojë me tentakulat e tij në indet e segmentet e ndryshme të shoqërisë duke krijuar organizma kontrolli e tabu të rreme në mendësinë e vetëdijen tonë shoqërore dhe historike, prej të cilave ne duhet të ndahemi përfundimisht.

Shoqëria shqiptare është dhe do të jetë moralisht jo e qetë për aq kohë sa nuk do të vihen në vend padrejtësitë e së kaluarës, për aq kohë sa të persekutuarit politikë të mos shpërblehen deri në fund moralisht e materialisht, për aq kohë sa nuk është bërë rikthimi i plotë i vlerave të tyre si vlera të patjetërsueshme të demokracisë. Dënimi i krimeve të komunizmit nuk duhet të mbetet pronë e retorikës politike, por duhet të merret me thelbin e problemit, pra me zbardhjen e këtij krimi dhe një akt i tillë do të pastronte dhe humanizonte më tej shoqërinë.

Rezoluta e Këshillit të Europës midis të tjerash kërkon që për të gjithë të persekutuarit dhe familjet e tyre, që kanë sakrifikuar jetën dhe kanë vuajtur gjatë regjimit komunist t’ju kushtohet më tepër respekt e mirënjohje dhe të përkujtohen datat dhe ngjarjet e rëndësishme historike, që kanë lidhje me atë periudhë.

Me cilësinë e Presidentit të Republikës, si simbol i unitetit të kombit, dëshiroj të shpreh fuqimisht mbështetjen time të palëkundur morale dhe institucionale për të gjithë viktimat e pafajshme të krimeve monstruoze të komunizmit, të cilat gjatë këtyre tetëmbëdhjetë vjetëve ende nuk janë dëmshpërblyer, rehabilituar dhe integruar ashtu siç meritojnë plotësisht në shoqërinë tonë demokratike.

Shqetësimet dhe problemet e tyre bëhen edhe më të prekshme në vende e tubime si ky i sotmi, ku kujtesa na fton të reflektojmë për përmirësimin e standardeve të demokracisë, në të cilat përfshihet edhe marrëdhënia me të kaluarën si dhe të nderojmë kujtimin e martirëve të antikomunizmit, e martirëve të Postribës si vlerë e përbashkët kombëtare.

Rroftë populli i Postribës!
Rroftë populli i Shkodrës!
Rroftë populli i Shqipërisë!

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›