Përshkallëzohet dhuna në Siri, forcat qeveritare vrasin 24 protestues

Të paktën 24 civilë kanë vdekur në qytetin sirian Hama, ku janë zhvilluar demonstratat më të dhunshme ndaj regjimit, pasi tanket kanë sulmuar këtë qytet në orët e para të mëngjesit.
Sipas mediave ndërkombëtare lajmin e bëjnë të ditur banorët e zonës dhe burime mjekësore.
Ndërkohë mësohet se uji dhe elektriciteti janë ndërprerë në Hama.
Që nga shpërthimi i protestave kundër regjimit të presidentit Bashar al-Assad, aktivistët thonë se janë vrarë mbi 1.800 persona, shumica nga ta cilët civilë.
Sulm vetëvrasës në Afghanistan, vriten 10 policë
10 punonjës policie janë vrarë ditën e sotme nga një sulm vetëvrasës. Ngjarja ka ndodhur në Lashkar Gah, në provincën e Helmandit në Afganistan. Në këtë sulm është vrarë edhe një fëmijë.
Autoritetet thonë se 12 persona janë lënduar nga sulmi, për të cilin përgjegjësinë e kanë marrë talibanët. Sulmi ndodhi në më pak se dy javë që kur NATO ua dorëzoi përgjegjësinë për sigurinë trupave afgane në Lashkar Gah. Kjo është zona më e paqëndrueshme nga 7 rajonet, në të cilat po kryhet transferi i përgjegjësive.