E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjerimi i BE-së drejt vendeve të Ballkanit Perëndimor, Frattini dhe Zbogar, letër baroneshës Ashton dhe komisionerit Fule

31-07-2011 / Gazeta 55

Italia dhe Sllovenia shprehen dhe njëherë se Bashkimi Evropian duhet të vazhdojë kursin e zgjerimit drejt vendeve të Ballkanit perëndimor. Ky është qëndrimi më i fundit i dy ministrave të jashtëm Franko Frattini dhe Samuel Zbogar, të cilët përmes një letre drejtuar Brukselit, kërkojnë përshpejtimin e procesit të integrimit të vendeve aspirante. Në letrën e përbashkët drejtuar përfaqësueses së lartë të BE-së për politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Catherine Ashton dhe komisionerit për Zgjerimin, Stefan Fule, Fratini dhe Zbogar kërkojnë mundësimin e një valë të re të zgjerimit të Bashkimit Evropian ndaj Ballkanit Perëndimor.
Frattini dhe Zbogar propozuan që BE-ja të fokusohet në një përmbledhje të qëllimeve afatshkurtra dhe afatgjata, me qëllimin që Shqipërisë, Serbisë, Malit të Zi, Maqedonisë, Kosovës dhe Bosnjes t’u mundësohet përparimi në rrugën për anëtarësim në BE. Frattini dhe Zbogar theksojnë në letër se presin që Ashton dhe Fule t’i përkrahin përpjekjet për procesin e zgjerimit të BE-së.
Vlen të theksohet se të dy këta personalitete njihen për lobimin e tyre “pro” aspiratave të integrimit të Shqipërisë. Për këtë, mjafton të kujtojmë përpjekjet e tyre diplomatike afro një vit më parë, kur Shqipëria priste të merrte aprovimin e Brukselit, për heqjen e regjimit të vizave për qytetarët shqiptarë.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›