Mbretëria e tradhtuar?
Tërheqja ushtarake amerikane nga Iraku do të jetë dhuratë për Iranin. Mirëpo arsyeja është se sauditët që nga viti 2003 kanë lënë të kuptojnë se u frikësohen shiitëve të Irakut – dhe të shtetit të tyre – më shumë sesa regjimit iranian
Thënia e vjetër “e vetmuar është koka që mban kurorën” ka marrë një kuptim të ri për mbretin Abdullah të Arabisë Saudite. Ai jo vetëm që ka parë largimin nga pushteti të aleatëve të tij të ngushtë në rajon, të presidentit Hosni Mubarak në Egjipt dhe Ali Abdullah Salehut në Jemen, mirëpo edhe lëkundjen e kurorës nga kokat e mbretërve në Bahrein, Marok e Jordani. Tani, përkrahësja shumëvjeçare e mbretërisë, SHBA-ja, e cila zhgënjeu Abdullahun duke e mbështetur Pranverën Arabe, po bëhet gati që t’i tërhequr ushtarët nga Iraku fqinji. Kush do ta mbajë larg ujkun iranian nga dera e Mbretërisë, pyetet Abdullah. Në bazë të një marrëveshjeje të sigurisë, të arritur me Qeverinë e Irakut, SHBA-ja pritet që t’i tërheqë forcat e saj deri në fund të vitit. Arabia Saudite, së bashku me fqinjët e saj sunitë në Gji, dëshiron që disa ushtarë amerikanë të mbesin në Irak, në mënyrë që Irani të mbahet nën kontroll. Qeveria amerikane nuk ka nevojë që të bindet rreth asaj, mirëpo qytetarët amerikanë - dhe irakianët e zakonshëm - duan që t’i shohin ushtarët në shtëpitë e tyre. Asnjë fraksion politik irakian nuk do që të konsiderohet fajtor për prolongimin e okupimit, mirëpo të shumtën, me përjashtim të lëvizjes së Muqtada al-Sadrit, do të pajtohej me shtyrjen e pranisë ushtarake amerikane për edhe pesë vjet të tjera. Ndonëse SHBA-ja dhe monarkitë e Gjirit e ndajnë frikën për Iranin, gjithçka tjetër në lidhje me Irakun dhe rajonin tani është duke u kontestuar. Arabia Saudite vazhdon ta kundërshtojë idenë e një Iraku demokratik nën qeverisjen e shumicës shiite. Shittët, që konsiderohen femohues nga qarqet vahhabiste të mbretërisë, konsiderohen kërcënim për legjitimitetin shtetëror saudit dhe ekzistencën, jo vetëm për shkak të fuqisë së Irakut, mirëpo edhe popullatës së madhe shiite të mbretërisë, që janë të përqendruar rreth fushave të naftës në këtë shtet. Që nga rënia e Saddam Husseinit, SHBA-ja e ka nxitur Arabinë Saudite që të investojë politikisht dhe ekonomikisht në Irak. Në vend të kësaj, autoritetet saudite i kanë trajtuar me përbuzje liderët irakianë dhe i kanë mbyllur sytë para fatave vahhabiste që inkurajonin vullnetarët xhihadistë të luftonin kundër “femohuesve” shiitë. Duke shpërfillur Irakun e dominuar nga shiitët, Arabia Saudite me shumicë sunite, Jordania, si dhe shtetet e Gjirit, nuk kanë faktikisht fare ndikim në Bagdad, duke ia lënë Iranit terrenin e hapur. Frika e Arabisë Saudite nga Iraku ka të bëjë me sigurinë. Me gjithë luftën e përgjakshme civile që ndodhi pas rrëzimit të Saddam Husseinit nga pushteti, Iraku vazhdon të besojë se ka të drejtë për një udhëheqësi rajonale. Monarkët e rajonit, megjithatë, e kanë përjashtuar Irakun nga Këshilli i Bashkëpunimit në Gji. Arabia Saudite, që frikësohet se ndikimi i Irakut në sigurinë rajonale, do ta rrezikonte dominimin politik dhe ushtarak saudit në mesin e shteteve të Gjirit, ende nuk ka hapur ambasadë në Bagdad. Arabia Saudite po ashtu druan se Iraku do të arrijë të realizojë kushtet në OPEC, ndonëse deri më tani nuk ka mundur si rezultat i sigurisë së dobët dhe mangësive në infrastrukturë. Sauditët dyshojnë se ngritja e çmimeve të naftës do ta ringjallë ekonominë e Irakut dhe atë të Iranit, duke e ndryshuar balancën rajonale. Kjo e sqaron interesimin e Mbretërisë për ta rritur prodhimin e naftës, gjë që do të dobësonte ekonomitë e konkurrentëve të tyre. Për këtë arsye, sauditët dhe shtetet e tjera sunite të Gjirit duan t’i mbajnë forcat ushtarake amerikane në Irak pjesërisht për ta frenuar këtë shtet. Në të vërtetë, Kuvajti refuzon t’i falë borxhet e periudhës së Saddamit dhe është duke e ndërtuar një port në Mubarak al-Kabir, të cilën gjë irakianët e konsiderojnë përpjekje të hapur për ta ngulfatur qasjen e Irakut në Gjirin Persik. Po ashtu, Bahreini u është përgjigjur kritikave irakiane rreth represionit politik, duke ndërprerë fluturimet drejt Bagdadit, Bejrutit dhe Teheranit.
Pjesa më e madhe e irakianëve ndjejnë neveri të thellë për Arabinë Saudite dhe ata kanë arsye për këtë gjë. Xhihadistët sauditë ishin në krye të fushatave që vranë qindra mijëra persona pas operacionit amerikan të vitit 2003. Sauditët madje shpenzuan me miliarda dollarë për ta ndërtuar një mur sigurie përgjatë kufirit të vet me Irakun, për të mos lejuar përhapjen e dhunës. Mirëpo, mburoja e vetme për sundimtarët e Gjirit është prania e ushtarëve amerikanë në Irak, për shkak se strategët mendjengushtë të Mbretërisë nuk ia dolën të kuptojnë se prishja e raporteve me Irakun e lë të hapur terrenin për Iranin. Mirëpo, ëndrra saudite e kthimit mbrapsht të kohës dhe vendosjes së një pushteti sunit në Irak e ka pamundësuar diplomacinë realiste. Me gjithë dështimin, Iraku vazhdon që të shpërfillet nga shtetet sunite të rajonit. Iraku ka tentuar që të farkojë një rol politik për veten përbrenda botës arabe, duke marrë pjesë në samitet arabe, mirëpo kur i erdh radha ta luante nikoqirin, samiti u shty për një vit, pjesërisht për shkak të Pranverës Arabe, mirëpo edhe refuzimit të ca shteteve të Gjirit që të marrin pjesë në ndonjë takim të mbajtur në Bagdad. Sipas pikëvështrimit saudit, largimi i ushtrisë amerikane nënkupton dorëzimin e tërë Irakut tek Irani. Sauditët mbase mund të kenë të drejtë: largimi i ushtarëve amerikanë do të paraqiste fitore të madhe për Iranin, që nuk ka prani ushtarake në Irak, mirëpo është shteti me ndikimin më të madh. Asnjë shtet i lidhur me SHBA-në, madje as Turqia, nuk mund t’i afrohet ndikimit iranian në Irak. Tërheqja ushtarake amerikane nga Iraku do të jetë dhuratë për Iranin. Mirëpo arsyeja është se sauditët që nga viti 2003 kanë lënë të kuptojnë se u frikësohen shiitëve të Irakut – dhe të shtetit të tyre – më shumë sesa regjimit iranian.
Shkrimi është botuar së pari në rrjetin e gazetarisë “Project Sindycate”