Ministria e Shëndetësisë kontroll klinikave private
nertila maho
Zbatimi i duhur i standardeve të shërbimit shëndetësor si dhe identifikimi i atyre subjekteve që nuk plotësojnë kriteret kanë nxitur ngritjen e një Task Force pranë Ministrisë së Shëndetësisë. Lajmin e bëri të ditur vetë kreu i kësaj ministrie Petrit Vaslili gjatë një konference ditën e djeshme duke konfirmuar se kontrolli nis në fillim të javës. Vasili vuri theksin tek fakti se në të gjithë vendin duhet të ketë një standard të shërbimit shëndetësor dhe kjo të ofrohet nga të gjithë spitalet privatë, qendra shëndetësore, klinika diagnostike dhe laboratorët që kanë shërbime ekzaminimi të shumëllojshme. "Ministria e Shëndetësisë me shumë përgjegjësi e ka marrë përsipër këtë iniciative dhe ka konstatuar që herë pas here në klinikat publike vijnë edhe raste të trajtuara në klinika apo shërbime private, ku jo gjithmonë standardi i shërbimit dhe diagnozës ka qenë, ai i duhuri", tha Vasili. Në këtë pikë ministri la të nënkuptoheshin disa nga rastet me precedentë ku klinikat private nuk ju kanë ofruar pacientëve shërbim të kualifikuar duke përfunduar në raste ekstreme me pasojë vdekjen. Për të shmangur të tilla raste kreu i Ministrisë së Shëndetësisë theksoi se kontrolli i klinikave do të prekë një sërë aspektesh duke filluar që me verifikimin e veprimtarisë karshi ligjeve në fuqi. Nga ana tjetër në sitë do të kalohet edhe stafi i këtyre klinikave për të parë kompetencën profesionale, ligjshmërinë e personave që ofrojnë shërbim në këto klinika, kualifikimi i tyre profesional dhe niveli përkatës i teknologjisë që ofron këtë shërbim. Ajo që ministri Vasili garantoi ishte kontrolli i hapur dhe pa asnjë lloj paragjykimi i klinikave private, por nga ana tjetër konfirmoi se ky kontroll do të jetë intensiv dhe korrekt karshi ligjeve në mënyrë që të sigurojë opinionin publik për standardet dhe shërbimin shëndetësor që i ofrohet. "çdo qytetar shqiptar në çdo klinikë që ka vulën e garancisë së shtetit duhet të jetë i qetë dhe të marrë shërbimin që ai pret. Ky është dhe qëllimi ynë. Deri më sot është bërë shumë punë, por një kontroll i kësaj natyre në terren i ka munguar shërbimit shëndetësor. Raste dhe ngjarje të here pas hershme të vëzhguara e bëjnë këtë nismë një domosdoshmëri", vijoi Vaslili.