E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Haveli tha “jam shqiptar” kur barbaritë serbe po spastronin Kosovën

24-12-2011 / Gazeta 55

Bota demokratike përcjell Vaclav Havelin

Liderë nga e gjithë bota janë mbledhur në funeralin e ish-presidentit çek, Vaclav Havel në Pragë. Njeriu që rrëzoi komunizmin në Çekosllovaki ndërroi jetë të dielën në moshën 75-vjeçare. Në mesin e titullarëve pjesëmarrës në ceremoni kanë qenë sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, i shoqi ish-president i Shteteve të Bashkuara, Bill Clinton, presidentët e Francës e Gjermanisë, kryeministri britanik David Cameron, si dhe vetë disidenti polak i kthyer në kryetar shteti, Les Valesa, përkrah liderëve aktualë nga e gjithë Europa lindore, përfshirë kryeministrin shqiptar Sali Berisha dhe presidenten kosovare Atifete Jahjage. Duke e cilësuar ish presidentin Havel si disidentin kryesor të botës intelektuale në ish vendet komuniste, një nga çekët dhe evropianët më të shquar të të gjitha kohërave, por edhe një personalitet të vërtetë botërorë, në një prononcim të dhënë për Televizionin Publik Shqiptar kryeministri Berisha u shpreh se “sot, Vaclav Havel, u përcoll për në banesën e fundit në mënyrën më dinjitoze, me një ceremoni  ndër më përfaqësueset që është zhvilluar ndonjëherë.  Kjo, sepse Vaclav Havel , ishte një nga çekët më të shquar të të gjitha kohërave, por ishte dhe një nga europianët më të shquar të të gjitha kohërave dhe një personalitet  i vërtetë botëror. Presidenti Havel , përfaqëson intelektualin simbol, disidentë, i cili pasi çliroi veten e vet dhe e vendosi për disidencë, udhëhoqi disidencën Çekosllovake të asaj kohe dhe u bë një nxitës, inkurajues i madh për inteligjencën e vendeve ish-komuniste, për të dalë nga konformizmi. Presidenti Havel, do të thosha se është, disidenti kryesor i botës intelektuale në vendet ish komuniste, që së bashku me Andrei Sakharov, nuk u larguan nga vendet e tyre, por ndanë fatin me qytetarët, ndanë persekutimin, burgjet dhe privacionet e mëdha me qytetarët e tyre”- u shpreh Berisha. Kryeministri vlerësoi se “e tërë vepra e tij letrare është një vepër, e cila fund e krye drejtohet kundër sistemit totalitar, por pas rënies së murit të Berlinit, presidenti Vaclav Havel, intelektuali Vaclav Havel, do të vijë në krye të lëvizjes së kombit të tij dhe në një hark kohor të shkurtër tre javor, do të realizonte me atë që u quajt “Revolucioni i Kadifenjtë” përmbysjen paqësore të regjimit komunist në Çekosllovaki dhe vendosjen e sistemit të ri. Vaclav Havel do të zgjidhet president i Çekosllovakisë demokratike dhe do shpallte si moto të tij, se e vërteta dhe dashuria do të  dominojnë, do të mbizotërojnë mbi urrejtjen dhe gënjeshtrën, duke sintetizuar në këtë mënyrë thelbin e filozofisë së tij. Havel u bë frymëzues për të gjithë inteligjencën e vendeve të tjera komuniste. Me një përpjekje të fuqishme, për të përmbysur në mënyrë paqësore diktaturat komuniste. Për ne, ai ishte simboli dhe frymëzuesi kryesor në mbarë Europën. Si president i Çekosllovakisë dhe më pas si president i Çekisë, mbajti parasysh gjithnjë të vërtetën dashurinë, me të cilat ai çoi përpara vendin e tij”- theksoi kryeministri. Ndërkaq, Berisha solli në vëmendje se Vaclav Havel, ishte mik i shqiptarëve, ndërsa mbështeti fuqishëm çlirimin e Kosovës nga barbaritë serbe. “Shqiptarët kanë humbur një nga miqtë me të mëdhenj të kohërave. Presidenti Vaclav Havel është autor i shumë veprave , i shumë shkrimeve, por në memorien time dhe të të gjithë shqiptarëve shkrimi i tij se, “Unë jam shqiptar”, në një kohë kur barbaritë serbe, po spastronin Kosovën nga banorët shqiptarë mijëra vjeçare të atij vendi, presidenti Havel u ndie shqiptar dhe mbështeti fuqishëm çlirimin e Kosovës. Humbja është vërtet e madhe, por shumë herë më  madhe është trashëgimia që ai lë, për kombin e tij dhe për të gjithë njerëzit që duan dhe besojnë në lirinë dhe vlerat e saj. Bota gjithnjë ka nevojë të inspirohet nga personalitete si Vaclav Havel. Gjithnjë ka nevojë që dashuria dhe e vërteta të mbizotërojnë mbi gënjeshtrën dhe urrejtjen. Bota gjithnjë ka nevojë, që pushteti, qeveria, të bëjë gjithçka për të ruajtur zemrën e dhimbsur, fytyrën njerëzore, si detyrimi më madhor i saj për të çuar përpara një shoqëri”- deklaroi më tej kryeministri Berisha.
Ish Presidenti çek Havel u nda nga jeta pak ditë më parë, në moshën 75-vjeçare, pas një sëmundjeje të rëndë. Vaclav Havel ishte Presidenti i parë dhe i vetëm post-komunist i Republikës Federative të Çekosllovakisë (1989- 1992) dhe Presidenti i parë i Republikës së Çekisë (1993 – 2003). Ish-dramaturgu i njohur Havel është konsideruar si një prej disidentëve më të fortë anti-komunist në ish-bllokun lindor.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›