E Shtunë, 31 Tetor 2026

Braçe: “Prifti i jep 6 kontrata për HEC-e kompanisë së Vokshit”



Partia Socialiste ka thelluar akuzat e saj që dëshmojnë lidhjen e qeverisë me korrupsionin. Nënkryetari i Grupit Parlamentar socialist, Erion Braçe, deklaroi se kompania “Albaenergiaplus”, e Arian Tartarit, bashkëshort i deputetes demokrate Albana Vokshi, ka përfituar 6 koncesione pa tender brenda një dite për ndërtimin e HC-ve. Deputeti Braçe ka publikuar edhe 2 vendime të Këshillit të Ministrave për koncesionet, të cilat, sipas tij, bien në kundërshtim me ligjin dhe favorizojnë interesat e kryeministrit dhe të klientëve të tij. Në këto kushte, Braçe i bëri thirrje qeverisë se PS-ja kërkon publikimin e menjëhershëm të çdo kontrate të lidhur për dhënie me koncesion të pasurive kombëtare për të parë qartë përfituesit, vlerat, detyrimet, përmbushjen e tyre në bazë të ligjit.
Vendimet
Për t’i lënë hapësirë korrupsionit në favor të interesave të tyre, Këshilli i Ministrave ka marrë dy vendime për koncesionet që kundërshtojnë dy vendimet e para. Braçe tha se brenda tre muajve, kryeministri Sali Berisha ka marrë dy vendime që, sipas tij, hedhin poshtë vetë Berishën, rrëzojnë parimet e ligjshmërisë, transparencës, konkurrueshmërisë dhe eficiencës, forcojnë karakterin klientelist, ekskluziv, korruptim të procesit të dhënies së pasurive kombëtare me koncesion.
“Vendimi i datës 16.06.2010 rrëzon vendimin e parë të Sali Berishës, të vitit 2007, i cili miratonte rregullat e vlerësimit e të dhënies së koncesioneve. Ky vendim, që rivendos në afat lejet koncesionare të dhëna në valën e parë, konfirmon daljen jashtë ligjit të kontratave të lidhura; dështimin e përfituesve në përmbushjen e detyrimeve ligjore dhe kontraktuale; mungesën e frikshme të kapaciteteve financiare dhe të burimeve njerëzore”, - u shpreh Braçe. Sipas tij, ky vendim synon shpëtimin e kontratave të klientëve politikë e ekonomikë të kryeministrit, krijimin e një mundësie të dytë antiligjore për ta, krijimin e mundësie të re për tregtimin e lejeve koncesionare në duar të tjera të tregut sekondar, për të nxjerrë përfitime maksimale duke zgjeruar përmasat e korrupsionit në dhënien me koncesion të pasurisë kombëtare. “Vendimi i dytë, i datës 13.08.2010, rrëzon vendimin e parë të qeverisë, të vitit 22.03.2007, i cili miratonte vendosjen e oponencës teknike shtetërore për projektet e ndërtimit të HC-ve, me koncesion”, - bën me dije Braçe.
Ai deklaroi se vendimi i dytë, ndryshe nga i pari, e heq fare oponencën shtetërore, duke i hapur rrugë një procesi tërësisht formal e korruptiv, që thjesht jep leje kudo e te cilido për shfrytëzim të pasurive kombëtare.
Gara
Deputeti socialist ka paraqitur për opinionin publik një shembull, i cili dëshmon garën formale për koncesionet. “Në datën 11.02.2010, Sali Berisha ka marrë Vendimin Nr. 147, sipas të cilit përcakton autoritetin kontraktues për dhënien me koncesion të ndërtimit të kaskadës së HEC-it në lumin Fan i Vogël, si edhe miratimin e bonusit prej 2% kompanisë ‘AS Energy’. Në datën 12.03.2010, Sali Berisha ka marrë Vendimin Nr. 264, sipas të cilit përcakton autoritetin kontraktues për dhënien me koncesion të HEC-it ‘Fushë Arrëz’ si edhe miratimin e bonusit prej 2% të kompanisë ‘Energie Albania’”, - tha Braçe. Por Braçe bën me dije se prej një viti e gjysmë gara për këto HC-e mbahet e bllokuar dhe se në maj të këtij viti, ministria përgjegjëse ka shpallur garën, por duke përmbledhur në një koncesion të vetëm gjithë pellgun e lumit Mat e duke shkelur hapur kriteret e përcaktuara në dy vendimet e Sali Berishës. Ndërsa, sipas tij, dokumentet e tenderit u janë mohuar për 45 ditë kompanive që jo vetëm kanë qenë të interesuara, por edhe kanë marrë bonuset përkatëse nga vendimet e mëparshme. “Këtu kam një letër ankese drejtuar ministrit përgjegjës nga kompanitë që konfirmojnë pikërisht mbajtjen peng për 45 ditë të dokumenteve të tenderit. Kjo është përgjigjja që ministri i dërgon njërës prej kompanive dhe që konfirmon pikërisht këtë fakt, me garancinë e dhënë nga ministri përgjegjës, se dokumentet u janë dhënë të gjithëve në të njëjtën kohë, por duke konfirmuar shkeljen e afatit ligjor”, - deklaroi Braçe.

Reagimi

Vokshi: “Kryebashkiaku Rama merr ryshfete për lejet e ndërtimit”

Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, e shënjuar nga opozita për korrupsion, ka reaguar dje ndaj akuzave të saj duke sulmuar kryesocialistin Edi Rama. Vokshi deklaroi se kompania e përfaqësuar nga administratori Arian Tartari, me ortak Dritan Avllajn, i njohur si Tan Lepri, ka dhënë ryshfet miliona para në Bashki për të fituar një leje ndërtimi. "Jam këtu për të denoncuar me fakte dhe dokumente korrupsionin galopant të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama", - tha Vokshi, duke prezantuar para mediave dokumentin ku kompania “Vision Construction” është detyruar të fusë aksioner me 20 për qind Dritan Avllajn, mikun e Edi Ramës, në këmbim të dhënies së lejes së ndërtimit për këtë kompani. "Ky 20 përqindësh vlen jo më pak se 100 milionë euro. Mendoni se sa leje ndërtimi ka dhënë z. Rama në tre mandatet e tij si kryetar Bashkie dhe sa ka marrë nga këto leje ndërtimi, që bëjnë një pasuri të tërë prej qindra milionë dollarësh, e padeklaruar prej tij", - tha Vokshi, duke kërkuar që Rama të përgjigjet për ato qindra dosje denoncimi në emër të tij, që janë prej kohësh në sirtarët e prokurorisë. Vokshi e ftoi kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama, që të çojë në prokurori të gjitha faktet që posedon në lidhje me akuzat që ka bërë kohët e fundit ndaj saj për korrupsion dhe konflikt interesi.
Reagimi i Vokshit vjen pasi Partia Socialiste ka artikuluar javët e fundit një sërë akuzash ndaj deputetes së PD-së, Albana Vokshi, duke e akuzuar atë se në mënyrë korruptive dhe në konflikt të pastër interesi, ka favorizuar kompaninë e biznesit të shtetasit Arian Tartari, me të cilin bashkëjeton.

Reagimi

Gjermeni, Vokshit: “Ky është vetëm fillimi i transparencës”

Reagimi i deputetes demokrate Albana Vokshi ndaj akuzave për korrupsion ka pasuar me një reagim tjetër nga selia rozë. Deputetja e Partisë Socialiste, Eglantina Gjermeni, i bëri të qartë deputetes Vokshi se PS-ja nuk është kundër bizneseve në Shqipëri, por kundër abuzimit me pushtetin nga ana e pushtetarëve. Gjermeni u shpreh se PS-ja do të vazhdojë të bëjë transparente gjithë aktivitetin korruptiv të qeverisë, dhe ky është vetëm fillimi. “Është e vajtueshme që ndërkohë që opozita akuzon për kontrata shumëmilionëshe në konflikt të hapur interesi mes pushtetarëve dhe familjarëve të oborrit të pushtetit, në kurriz e dëm të popullit shqiptar, zonja deputete flet përçart për njerëz të njohur të Edi Ramës që paskan lidhur privatisht kontratë me shokun e saj të jetës”, - u shpreh Gjermeni, duke shtuar: “Në Shqipëri ka qindra mijëra kontrata mes personash fizikë dhe Partia Socialiste nuk është kundër të drejtës kushtetuese e ligjore të asnjë individi për të bërë biznes. Por Partia Socialiste dhe Edi Rama janë më të vendosur se kurrë kundër kontratave që pushteti lidh me familjarët, shërbëtorët e klientët e tij në dëm të interesit publik duke grabitur pasurinë e përbashkët apo pronat e atyre që nuk jetojnë në oborrin e pushtetit. Merreni me durim, zonja e zotërinj, transparenca e bëmave tuaja të turpshme sapo ka filluar”, - u shpreh Gjermeni.

Lutaj: “Qeveria në krizë ekonomike nuk mund të paguajë policët”

Partia Socialiste ka mbështetur protestën e Forcave Speciale të Policisë, që prej gati 4 muajsh nuk janë paguar për orët shtesë dhe dietat që u takojnë sipas ligjit. Deputeti socialist Pirro Lutaj, nëpërmjet një deklarate për shtyp dje, e cilësoi situatën si provë e falimentimit të plotë ekonomik të qeverisë. “Ky fakt tregon shkallën e degradimit të qeverisë shqiptare, e cila sot gjendet e zbuluar përballë një fakti të thjeshtë: pamundësisë për të paguar strukturat e rendit dhe dorëzimit përpara falimentit të plotë ekonomik”, - tha Lutaj. Në emër të Partisë Socialiste, deputeti kërkoi largimin e kryeministrit dhe të kësaj qeverie, ministrat e së cilës, sipas tij, po çuditin dynjanë me pasuritë e tyre, ndërkohë që situata financiare e qeverisë së Sali Berishës ka mbërritur në atë pikë sa nuk është më në gjendje të paguajë as gardianët e ligjit. Kreu i Sindikatës së Policisë së Shtetit, Sadetin Fishta, denoncoi dy ditë më parë mosmarrjen e dietave që nga muaji prill i vitit 2010 për afro 500 efektivë të repartit RENEA, të skuadrave speciale operacionale apo të reparteve të ndërhyrjes së shpejtë.

22 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›