Shkurtohet buxheti për kompensimin e ish-pronarëve gjatë 2010-s
Buxheti shtesë, i miratuar në seancën e fundit të sesionit të kaluar parlamentar, ka parashikuar shkurtim të fondeve për pothuajse të gjitha ministritë dhe institucionet e pavarura. Por, në këtë buxhet janë prekur edhe fondet e grupeve të ndryshime, siç është shkurtimi i fondit për kompensimin e kategorisë së ish-pronarëve. Çdo vit ka pasur rritje të fondit për kompensimin financiar të kësaj shtrese, ndërsa këtë vit ka një ulje, çka do të sjellë reduktim të numrit të përfituesve nga procesi i kompensimit financiar. Tabelat e buxhetit të rishikuar janë botuar së fundi në Fletoren Zyrtare dhe parashikohen fondet për çdo zë buxhetor për ministritë si dhe për institucionet e pavarura.
Ministritë
Kështu, totali i shpenzimeve buxhetore për shërbimin e kthimit dhe kompensimit të pronave për vitin 2010 do të jetë 462 720 000 lekë, ndërsa për vitin 2009, fondi për kompensimin e ish-pronarëve ishte në total 1.7 miliardë lekë. Në buxhetin e parashikuar për Ministrinë e Drejtësisë, nga ku varet dhe çështja e pronave, është parashikuar një fond prej 624 700 000 lekësh për shërbimin e regjistrimit të pasurive të paluajtshme. Qeveria gjithashtu ka parashikuar një fond prej 28 560 000 lekësh për Institutin i Integrimit të Përndjekurve Politikë, institut ky që është ngritur së fundi për zbardhjen e krimeve të komunizmit. Ndërsa për rehabilitimin e të përndjekurve politikë, qeveria ka parashikuar 28 460 000 lekë shpenzime buxhetore në total për vitin 2010.
Qeveria ka parashikuar një fond të veçantë në Ministrinë e Transporteve, për Strehimin dhe Urbanistikën, fond ky që kap shifrën prej 1 814 927 000 lekëve. Po në këtë ministri është parashikuar një fond për shërbimet publike që është 399 310 000 lekë.
Për Ministrinë e Brendshme, në zërin e emergjencave civile, qeveria ka parashikuar për vitin 2010 një fond prej 1 667 700 000 lekësh. Ndërsa për Ministrinë e Mbrojtjes, në zërin e mbështetjes sociale për ushtarakët, është parashikuar një fond prej 2 920 000 000 lekësh. Ministria e Punëve Sociale do të ketë një fond prej 19 273 476 000 lekësh për mbrojtjen sociale të individëve të ndryshëm.
Në buxhetin e shtetit për vitin 2010 është parashikuar nga qeveria një fond për t’u ardhur në ndihmë partive politike. Ky fond do të jetë në total 212 000 000 lekë, prej të cilave 199 000 000 lekë do të shkojnë për mbështetje për partitë politike; 10 000 000 lekë mbështetje për shoqatat, dhe 3 000 000 lekë mbështetje për organizatat e veteranëve me status. Një tjetër fond të veçantë Këshilli i Ministrave e ka parashikuar për shërbimet e ndryshme qeveritare. Ky fond, për vitin 2010 do të jetë 196 273 000 lekë.
Institucionet e Pavarura
Gjatë diskutimit në Kuvend të ndryshimeve në buxhetin e shtetit për vitin 2010, institucionet e pavarura ishin ato që shprehën më shumë pakënaqësi për shkurtimet buxhetore. Kështu, përfaqësuesit e disa prej këtyre institucioneve të rëndësishme u shprehën se me buxhetin e parashikuar për ta do ta kenë të pamundur të paguajnë rrogat e nëpunësve apo të shlyejnë faturat e energjisë elektrike. Në bazë të tabelës buxhetore për institucionet e pavarura, buxhetin më të lartë për vitin 2010 do ta ketë
Zyra e Administrimit të Buxhetit Gjyqësor, me një fond prej 1 659 880 000 lekësh. Ndërsa Prokuroria e Përgjithshme do të ketë 1 235 815 000 lekë shpenzime buxhetore në total. Më poshtë gazeta po boton të plotë buxhetin për vitin 2010 për institucionet e pavarura si dhe për ministritë.
Buxheti për vitin 2010 është:
Të ardhurat 333 658 milionë lekë
Shpenzimet 371 767 milionë lekë
Deficiti 38 109 milionë lekë
Buxheti vendor për vitin 2010 është:
Të ardhurat 30 395 milionë lekë
Nga të cilat:
Granti i pakushtëzuar nga buxheti qendror 14 916 milionë lekë
Shpenzimet 30 395 milionë lekë
Buxheti i sigurimeve shoqërore për vitin 2010 është:
Skema e sigurimit të detyrueshëm shoqëror
Të ardhurat, gjithsej 74 497 milionë lekë
Nga të cilat:
kontributet 46 282 milionë lekë
transferimet nga Buxheti i Shtetit 28 215 milionë lekë
shpenzimet 74 497 milionë lekë
Buxheti i sigurimeve shëndetësore për vitin 2010 është:
Të ardhurat, gjithsej 25 649 milionë lekë
Nga të cilat:
kontributet dhe të tjera 6 014 milionë lekë
transferimet nga Buxheti i Shtetit 19 635 milionë lekë
Shpenzimet 25 649 milionë lekë
22 Gusht 2010