E Diel, 1 Nëntor 2026

Personi i armatosur tenton të grabisë bankën te “Zogu i Zi”

 

TIRANE - Një person i armatosur me pistoletë, i pa maskuar, tentoi mesditën e djeshme që të grabisë filialin e një banke tek sheshi “Rilindja” në Tiranë e njohur si zona e “Zogut të Zi”. Iniciativa e tij kriminale dështoi, si pasojë e ndërhyrjes në kohë të rojeve të sigurisë së bankës dhe njoftimit të menjëhershëm të efektivave të policisë. Burime nga policia thanë se personi që ka tentuar grabitjen, ka qenë i armatosur dhe për të mbuluar fytyrën kishte vënë një kapele të zezë dhe syze të errëta. Gjithashtu, ai mbante me vetë edhe një çantë, të cilën nuk ka arritur ta mbushte me para, pasi nga frika e policisë është detyruar të largohej me shpejtësi. Nga kjo ngjarje nuk është dëmtuar asnjë nga pjesëtarët e stafit dhe as nga klientët që ndodheshin në bankë, pasi autori nuk ka pasur kohë as të kërcënojë dhe as të shkrepë armën që kishte me vete. Sipas deklarimeve të stafit të bankës dhe rojës së sigurisë, grabitësi ka qenë i vetëm dhe nuk shoqërohej nga persona të tjerë. Policia ka sekuestruar të kasetat filmike, për të fiksuar pamjet që mund të kenë kapur mjetet e vëzhgimit dhe të sigurisë të vendosura në ambientet e bankës. Ndërkohë, personi që ka tentuar të realizojë grabitjen ende nuk është identifikuar dhe policia është vënë në ndjekje të tij, duke ngritur postblloqe në rrugët kryesore nga ku mund të largohesh nga Tirana dhe në zonën përreth bankës. Vetëm disa javë më parë një tjetër filial i “Raiffeisen Bank”, u grabit nga dy persona të armatosur tek rruga “Ferit Xhajko”, pranë vendit të njohur si “Restorant Durrësi”, në Tiranë. Sipas burimeve nga policia, i njëjti filial banke që u tentua të grabitje dje në mesditë, është grabitur një vit më parë, nga ku janë marrë 30 mijë euro. Grabitja e vitit të kaluar, siç duket u ka shërbyer stafit të bankës, që të ndërgjegjësohen për të ndërhyrë në kohë në raste të tilla dhe të bëhen vigjilentë. Këtë gjë ata e kanë treguar më së mirë dje, teksa kanë parandaluar një grabitje të dytë, në të njëjtin vend dhe në të njëjtin orar që është grabitur një vit më parë. Autori i grabitjes së një viti më parë përfundoi në prangat e policisë pas hetimeve disa ditore, ndërkohë autori i djeshëm ende nuk është identifikuar.            e.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›