E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrufeja dëmton serverin e Hipotekës

 

TIRANE – Një rrufe e fortë mëngjesin e djeshëm ka dëmtuar serverin e Hipotekës. Paraditen e djeshme në këtë institucion u paralizua puna, pasi goditja e rrufesë i solli probleme njërit prej kompjuterëve qendrorë të këtij institucioni, duke bllokuar të gjitha procedurat që kryhen me qytetarët. Gjithçka ndodhi rreth orës 10:00 kur stuhia e shiut të stinës e shoqëruar me rrufe goditi zonën veriperëndimore të kryeqytetit në të cilën ndodhet edhe Hipoteka. Pas kësaj, burime nga ky institucion pohuan se angazhuan inxhinierët e elektronikës dhe informatikës, por që nuk mundën ta rivinin sistemin në punë. Ende nuk dihet se cilat janë pasojat e goditjes nga rrufeja, por mendohet të mos jenë dëmtuar të dhënat kryesore të institucionit siç është harta dixhitale e pronave apo të dhënat e tjera, që kanë të bëjnë me pronat e regjistruara të qytetarëve. Mjaft prej qytetarëve që ndodheshin mëngjesin e djeshëm në institucionin e hipotekës u njoftuan nga punonjësit e këtij institucioni të largoheshin, pasi ishte e pamundur të procedohej me kërkesat e tyre. Kështu ditën e djeshme u larguan nga Hipoteka qytetarët që kërkonin të depozitonin kërkesa për lëshimin e dokumenteve nga ky institucion për prona të regjistruara më parë nga këta. Po kështu u larguan nga Hipoteka edhe ata qytetarë që kërkonin të depozitonin dokumente për regjistrimin e pronave të tyre. Ndërkohë nuk arritën të mbaronin punë as ata qytetarë që prisnin sot të tërhiqnin nga sportelet përgjigjet për kërkesat e tyre të paraqitura më parë, apo ata që kërkonin dokumente verifikimi. Të paktën punonjësit e sporteleve të katit të parë të institucionit të Hipotekës, u pohuan qytetarëve se sistemi kompjuterik i këtij institucioni nuk hapej në asnjë nga kompjuterët e tyre, duke pezulluar çdo veprim që bëhej me ta. Kjo gjendje vazhdoi për më tepër se një orë, para se inxhinierët e elektronikës të pohonin se defekti i shkaktuar nga rrufeja ishte më i rëndë dhe se sistemi nuk mund të funksiononte edhe për pak kohë. Në këtë moment punonjësit e sigurisë së institucionit njoftuan qytetarët se ishte pamundur ta vazhdohej më tej me procedurat e tyre për shkak të dëmtimeve në sistemin kompjuterik.  fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›