E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nano dhe Koçi i përgjigjen Metës: “Nuk mund të refuzohet bashkimi”

Autori i Lajmit: Suela Topi
Takimi

Ish-kryetari i Partisë Socialiste, Fatos Nano, ishte i vetmi lider i së majtës që iu përgjigj thirrjes së kreut të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, për bashkimin e së majtës. Në takimin e organizuar mesditën e djeshme ishte vetëm Nano, Meta dhe kreu i PSV 91, Petro Koçi, i cili është pjesë e koalicionit të kryesuar nga LSI. Në tryezë mungonte kreu aktual i PS-së, Edi Rama, i cili nëpërmjet kandidatit të Tiranës, Sajmir Tahiri, ia kishte kthyer paraprakisht përgjigjen negative Metës. Por duket se përsëri ai ka shpresuar që Rama të ishte pjesë e tryezës. Kjo u duk qartë dhe në fjalën e kreut të LSI-së në takim, i cili theksoi nevojën e bashkimit të së majtës dhe koordinimit të punës së saj me qëllim largimin e Berishës. Por Meta theksoi gjithashtu se fleta mbetet ende e hapur. Ndërkohë, disi më kritik ishte Nano. Edhe pse me tone jo të ashpra, ai tha se politikani i përgjegjshëm, nuk mund t u përgjigjet iniciativave të tilla në mënyrë foshnjarake, nuk mund të neglizhohet një përpjekje që është në ADN-në e së majtës. Lideri historik i së majtës pohoi gjithashtu se ai nuk është pjesë e fushatës, ndërsa e quajti aksidentale ardhjen e Berishës në pushtet më 2005.
Takimi
Krerët e së majtës në takimin e djeshëm, nëpërmjet një deklarate të përbashkët theksuan rëndësinë e zgjedhjeve të 28 Qershorit si vendimtare për të sotmen dhe të ardhmen e Shqipërisë. Prandaj, duke vënë theksin tek tradita e së majtës progresiste që vë interesat e vendit mbi ato të grupimit të individëve, ata theksuan se objektivi i saj i përbashkët është largimi i Sali Berishës, çka mund të realizohet me përpjekjet e përbashkëta dhe me koordinimin e të gjithë faktorëve politikë të saj. Kreu i LSI-së theksoi më tej vullnetin e partisë së tij për të bashkëpunuar për mbrojtjen e standardeve të zgjedhjeve më 28 qershor që sipas tij, janë të rrezikuara. Meta kujtoi se kjo nuk është iniciativa e parë ndërkohë duke shpresuar ende në një reflektim të Ramës, ai tha se ftesa mbetet e hapur. “Bashkëpunimi dhe koordinimi për mbrojtjen e standardeve të zgjedhjeve të 28 Qershorit është më se i domosdoshëm dhe në këtë drejtim unë u bëj apel gjithë strukturave të LSI dhe të PS dhe gjithë forcave të tjera opozitare të koordinojnë në bazë, të koordinojnë në komisionet e qendrave të votimit, të qendrave të numërimit, që të mbrohen në mënyrë sa më efikase standardet e zgjedhjeve të 28 Qershorit”, - theksoi ai.
Nano
Nano shpjegoi praninë e tij në tryezën e djeshme duke pohuar se angazhimi i tij në vite ka qenë dhe mbetet bashkërendimi i kontributeve, bashkimi i së majtës, reformimi dhe mbetja e saj konkurruese, për shkak të kontributeve të ndryshme. “Periudha e bashkëjetesës që ka karakterizuar edhe kontributet tona në pluralizëm, na sjell mesazhin e nevojës së pranimit të ndryshmit dhe të bashkërendimit të kontributeve për një qëllim të përbashkët që del mbi çdo interes tjetër, rrjedhimisht nga një gabim i vogël. Interesi për të larguar regjimin aktual, përmes votës së lirë më 28 qershor, i cili u rikthye në drejtimin e vendit aksidentalisht për shkak të përçarjes 4 vjet më parë, më vjen mirë që më propozojnë kolegët që jo vetëm ndërmorën këtë iniciativë, por që vazhdojnë të jenë të vendosur dhe të hapur për të punuar për një front opozitar të së majtës progresiste të bashkuar ndaj regjimit të vjetër të Berishës”,- tha ai. Nano ka thumbuar më tej Ramën, duke pohuar se një ftesë e tillë nuk mund të refuzohet. “Unë besoj se nëse je politikan i përgjegjshëm, nuk mund t u përgjigjesh iniciativave të tilla në mënyrë foshnjarake, nuk mund të neglizhohet një përpjekje që është në ADN-në e së majtës, në një kohë kur edhe moda politike e kohës të çon në referenca Obama-Hillari Klinton, por megjithatë Obama dhe Hilari Klinton punojnë së bashku, ndërsa mungesat në këtë tryezë, me sa duket, lidhen me një histori të qartë dhe të strukturuar që mban të përçarë të majtën”, - pohoi ai, ndërsa shtoi se nuk mund të ndërtohet një karrierë me përçarje, nuk mund të ndërtohet asnjë e mirë e vendit në gjendjen e foshnjërisë të sotme politike. Ai ka sqaruar gjithashtu se nuk është në garë dhe nuk do të jetë pjesë e asnjë fushate, pra as në favor dhe as në dëm të ndonjë lideri. I pyetur për synimin e largimit të Ramës nga politika, Nano tha se “po ritheksojmë se nuk drejtohet kundër askujt kjo iniciativë, por është në dobi të të gjithëve. Kemi pas thënë dikur se nuk kemi ç i bëjmë fenomenit të vetëlargimit”. Ndërsa Meta tha se projekti i tyre është integrues. “Ftesa mbetet e hapur dhe besoj se, si në të kaluarën edhe në të ardhmen, z.Rama do të jetë pjesë e projekteve tona integruese”, - tha ai. Edhe Koçi theksoi se zgjedhjet janë në rrezik dhe përballë këtij rreziku çdo faktor i përgjegjshëm duhet të reagojë në frymën e bashkëpunimit dhe me frymën e dialogut.
Ky lajm është publikuar: 23/06/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›