E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përsosja estetike e zhguajve

Nga Balil Gjini

-a-

Gjatë ditëve të Poetekës së Arian Lekës edhe unë pata gjasën fat(lume) të lexoj nja dy poezi, për të cilat mëtova të ftilloja rrethanat në cilat ato ishin gjëruar. Mirëpo, siç e dini të gjithë, të shpjegosh vetveten ndonjëherë është një gjë e pamundur, një gjë e pashpresë. Veçanërisht pas esesë së famshme për vdekjen e autorit të Roland Barthes-it, ideja e së cilës, si një gur i rëndë shtufi, bëltuc poshtë vozës së ndërgjegjes të gjitha coprat bardhoshe të ideve të tjera dhe nuk i le të dalin përsipër, në sipërfaqe. Por asgjë s’ është kategorike në këtë botë të allasojshme, sepse disa nga gjenitë e mëdhenj të letërsisë si Carlos Fuentes-i, Claude Simon-i, etj, iu është dashur ta shtjerrin thile më thile estetikën e kokolepsur të veprës së tyre. Model i kësaj është Herman Broch-i, i cili, duke qenë në emigrim, iu deshën plot njëzet vjet të shpjegonte në revista, gazeta, dhe në faqet e brendëshme këmishës së librave, estetikën e tjetërsojtë të veprës së tij.

-b-

Ja për këto isha duke u silloisur, teksa shkronjat e poezisë më dukeshin mbi letër mu si fara të zeza luledielli, të cilat i kishte lënë aty lypsari dymbëdhjetë vjeçar i qytetit tim, i cili, më dukej sikur do t’ ia behte nga çasti në çast për ta mbështillte letrën e bardhë, për ta bërë kaush, dhe për ta shitur atë me dhjetë lekë copa. Herë të tjera përfytyrimi im për shkronjat është se ato, ose janë kokrra manash të kuq që bien mbi çarçafin e bardhë të letrës, ose janë farëra që hidhen mbi arën e bardhë të letrës dhe, pasi e pllenojnë, mbijnë prej saj gjithfarë degëza frazash të çuditëshme. Fraza si degëza hashashi, jo vetëm se letërsia dhe “i nëmuri” prej të gjithëve e dalldisin xhinsin e njeriut njëlloj, por edhe sepse hashashi don më shumë tokat e bardha ranore, si bardhësia e letrës. Nejse. Jo më kot gjyshi im thoshte: “zgjidh arën, pa mbill farën”, anipse këtu s’ e kishte fjalën për letrën, por për femrën. Por njëlloj është, de, sepse ndërmjet letrës dhe femrës nuk ka ndonjë ndryshim të madh, kur mendon se ato duhet të plugohen me të njëjtin lloj mjeti që të prodhojnë.

- c -

Letërsia lind nga letërsia. Sefte e kam ndeshur këtë ide tek Oscar Wilde. Urori ku është shkrepur eshka e thantë e poezisë së mëposhtëme ka qenë një ide e thënë nga Gide dhe e përsëritur nga Kundera, më pas. Kjo ide mëton të thotë se bota varfërohet gjithnjë e më shumë nga modelet origjinale. Ajo në vend të thelbeve ka shtuar zhguajt, karkasat, lëvozhgat e luspat. Palë-palë, të vendosura mbi njera-tjetrën, mu si flexhkat e qepës. Janë përsosur zhguajt.

Qenia më e realizuar e kësaj ideje është breshka, sepse vetëm ajo ka një kafkull të trashë, kuadrate-kuadrate, gjithë lëmime e harmoni estetike, a thua është një vepër arti e ndonjë piktori. Kurse vetë qenia e breshkës është mpakur e bërë ngathalaqe, është deformuar poshtë asaj forme. Mbi të gjitha që breshka është qenia mitike mbi të cilën mbështet toka.

- d -

Po poezia s’ është shkruar për një breshkë, por për një femër. Midis një femre dhe një breshke ka shumë ngjashmëri. Ngjashmëria lind edhe nga lidhja e të dyjave me tokën. Për të kuptuar ngjashmërinë duhet çveshur simboli i breshkës nga negativiteti konotues, ashtu siç ka bërë Basri Çapriqi kur ka analizuar romanin “Dranja” të Martin Camajt. Dua të ve në dukje se këtu s’ e kam fjalën për ata zhguaj të rëndë paragjykimesh nën të cilët e vendos shoqëria femrën, por juve, po u erdhi për hosh, lexojeni dhe kështu. E cili është ai mashkull që nuk e ka vënë re se femra, ashtu si edhe breshka, e vesh dëshirën e saj të vërtetë për dashuri me zhguaj të shumtë refuzimesh, me karkasa “jo!”-sh të forta? Një “jo” e bukur, e lëmur, një zhguall me rrumbullakësi baroke. Tashmë ja edhe poezia:

Sa e bukur dukesh

nën zhguaj zhgënjimi

farë e egër me aromën e eshkës…

Zhgërryhet në hi në pragperëndimi

palloi pendëlarmë i pendesës.

Mes luspash të thekurra,

gëzhuta thekërre

mbetur ke në ngastrat e majme të dertit.

Ah! Vesën e vesit e gjerbin surbull

kërminjtë briartë të seriozitetit…

- e -

Ja këto që thashë më lart doja të shpjegoja gjatë “Poetekës”, por në vend të tyre belbëzova diçka shatri-kularthi, fjalë pa kuptim, karkaleca të ftohtë frigoriferi që, hovnin përpjetë, shëmbëllenin sikur po ngjalleshin, teksa gatuheshin në tiganin e kuzhinës së komunikimit. Dhe s’ mund të mos vëreja që teksa doja të flisja isha i përkorë, kurse tani që po shkruaj kam një tepri ligjërimore, e cila, si të gjitha tepritë, sapo e kalon, cakun kthehet në patologji, në një sëmundje të dëshirueshme. Dhe… ku ta dish, i gjithi ky shpjegim i imi mund të jetë thjesht një pretekst, një pretekst sikur gjoja dashkam të them diçka, dhe në të vërtetë them gjëra të tjera; duke marrë kësisoj huqin e dhelprës, e cila, për të mashtruar gjahtarët (lexuesin?!), bishtin e tund nga njera anë, kurse me këmbë e kokë bën nga ana tjetër. Sidoqoftë mëdyshja vazhdon të më brejë akoma, sepse besoj se poezia është si thesaret e floririt të fshehura nën tokë dhe po të bjerë mbi të drita e shpjegimit do të shndrrohet në kongjij, mëdyshem sepse ende mendoj, se, ndonjëherë, të orvatesh të shpjegosh poezinë, është njëlloj sikur të përpiqesh të shfletosh me gishtin tregues palët e errësirave.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›