KLSH: 30 milionë dollarë abuzime në 107 kontrolle
Nga viti 2005 në vitin 2007 Kontrolli i Lartë i Shtetit ka gjetur shkelje financiare me vlerë prej 27 miliardë lekësh ose rreth 30 milionë dollarë nëpër disa prej agjencive më të rëndësishme të qeverisë shqiptare. Këto shkelje të mëdha financiare janë kapur vetëm 107 kontrolle të kryera, çka do të thotë se këto shkelje mund të jenë shumë larg vlerës së vërtetë të shkeljeve që ka kryer administrata shqiptare gjatë këtyre dy viteve. Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, vetëm në administratën e tatimeve kanë humbur mbi 11 milionë dollarë gjatë këtyre dy viteve. Degët e tatimeve në Elbasan, Tiranë dhe Pogradec janë shpërdorueset kryesore të parave të taksapaguesve. Më pas nuk mbeten edhe degët e tatimeve në Vlorë apo në Korçë, thotë Kontrolli i Lartë i Shtetit. Shkeljet financiare në tatime janë kryer duke mos mbledhur sipas vlerave reale disa prej tatimeve, çka do të thotë se për biznese të caktuara administrata ka bërë lëshime dhe ka dëmtuar buxhetin. Në anën tjetër, këto lëshime kanë dëmtuar edhe konkurrencën duke favorizuar dikë. Prokurimet publike kanë qenë një zë i rëndësishëm abuzimesh për administratën gjatë këtyre dy viteve, thotë KLSH, dhe kanë shkaktuar një dëm financiar prej rreth 10 milionë dollarësh. Drejtoria e rrugëve, spitali “Nënë Tereza”, mirëmbajtja e rrugëve, drejtoria e hekurudhave, një numër i lartë këshillash të qarqeve të rëndësishme të vendit janë ndër abuzuesit me paratë publike, thotë raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit. Shkeljet kanë qenë të pranishme thuajse në të gjitha prokurimet që ka kontrolluar Kontrolli i Lartë i Shtetit, çka dëshmon se kësisoj ka ngjarë edhe në të gjitha prokurimet që nuk janë kontrolluar; shkelje procedurash, shtyrje afatesh, largim apo reduktim të numrit të pjesëmarrësve në prokurime nga një raund në tjetrin etj. Që të gjitha këto kanë shkaktuar dëme financiare dhe në të vërtetë dëshmojnë se nëpër prokurime të gjitha këto shkelje kryhen, sepse qëllimi është që gara të shtrembërohet. Shkeljet financiare janë vërejtur në një masë të konsiderueshme edhe në dogana, ku vlera arrin në rreth shtatë milionë dollarë. Degët e doganave në Shkodër, Tiranë, Vlorë, Berat etj., janë ndër shkelësit më të mëdhenj, ku mbizotërojnë detyrimet doganore të papaguara në zhdoganimet e disa artikujve kryesisht autoveturave. Kontrolli i Lartë vëren se shkelje financiare ka patur edhe në urbanistikë, e cila përherë ka qenë një problem. Komunat më problematike në vend në lidhje me lejet e ndërtimit dhe pronat, si Dajti dhe Farka, gjatë viteve 2005 dhe 2007 nuk kanë mbetur pas edhe në shkeljet financiare, thotë KLSH. Kryesisht shkeljet kanë të bëjnë me mospagesën e taksës së infrastrukturës ose me mospagesën e taksës së lejes së ndërtimit.