E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriminelët në Ballkan dhe miqtë e tyre

Nga Mon Zhubi

Diku pas viteve ‘80, policia kishte ndërmarrë një aksion të koduar për shpartallimin e një bande kriminale, e cila i kishte shtrirë aktivitetet e veta në të gjitha republikat e ish-Jugosllavisë. Kryeqendra e tyre ishte qyteti bregdetar kroat Rijeka. Nuk më kujtohet numri i saktë i kriminelëve të kapur, e di se ishte dyshifror, por me rëndësi ishte fakti se bandën e përbënin pjesëtarët e të gjitha kombeve të ish-Jugosllavisë, nga sllovenët e gjer te shqiptarët. Kjo bandë kishte vepruar me vite të tëra në të gjitha viset e Jugosllavisë, aktiviteti kryesor i tyre, sa më kujtohet, ishte vjedhja e makinave.

Kjo ngjarje m’u kujtua pas vrasjeve të fundit në Kroaci, por edhe për këtë detaj: një nga avokatët mbrojtës të njërit nga të akuzuarit, në fjalën e tij përfundimtare iu drejtua gjykatësit: “I nderuari shoku gjykatës, besoj se duhet ta merrni parasysh si masë lehtësuese, se zotërinjtë e akuzuar, përmes aktivitetit të tyre kanë forcuar vëllazërim-bashkimin”.

Vrasja e pronarit dhe gazetarit të javores kroate, Ivo Pukaniç dhe Niko Franiç, shtynë policinë kroate në ndërmarrjen e një prej aksioneve policore më të mëdha në këtë shtet me emrin e koduar “Ballkan Ekspres” dhe për herë të parë u pa një bashkëpunim i mirëfilltë i policisë kroate me forcat policore të shteteve të rajonit, posaçërisht me ato serbe dhe boshnjake, por edhe malazeze dhe maqedonase.

Rezultatet e para çuan në arrestimin e disa personave, të cilët, sipas të dhënave të para, janë të kombësive të ndryshme nga ish-republikat jugosllave. Sipas të gjitha gjasave, gjer në përfundimin e këtij aksioni policor do të ketë dhe shumë arrestime tjera, çdo ditë policia kroate po lëshon fletë-arreste të reja, për bashkëpunëtorë në këtë atentat. Por këta kriminelë që arrestohen janë vetëm ekzekutues të aktit kriminal, i cili duket se i ka kushtuar urdhëruesit vetëm 1.000.000 kuna kroate (350.000 euro). Këta tipa, përveçse i përkasin nëntokës, kanë edhe diçka tjetër të përbashkët. Në CV-të e tyre shkruhet se gjatë luftërave të përgjakshme në Jugosllavi ata ishin pjesëtarë të formacioneve më famëkeqe të popujve të tyre. Pra, ata, siç bëhet e ditur, jo shumë kohë më parë luftuan kundër njëri-tjetrit. Dy nga të kërkuarit për të cilët është lëshuar fletë arresti, që për momentin janë dy njerëzit më të kërkuar, serbi Bojan Guduriç dhe kroato-boshnjaku me shtetësi serbe Zheljko Milovanoviç, ishin pjesëtarë të beretave të kuqe të komandantit 42-vjeçar Milorad Ulemek – Legija, një ndër kriminelët më të rrezikshëm në rajon, i njohur edhe si udhëheqës i Klanit të Zemunit.

Vëllezërit Mataniç dhe Amir Mafilani gjithashtu ishin pjesëtarë të forcave ushtarake kroate gjatë luftës në Kroaci, ndërkaq i arrestuari tjetër nga policia boshnjake, Elvis Haxhiç, nga Velika Kladusha, qytezë në Bosnjë dhe Hercegovinë, gjithashtu ishte aktiv gjatë luftës në B. H si ekspert për eksplozivët.

Gjatë këtij aksioni nga zëdhënësi i policisë kroate, z. Faber, janë përfolur edhe shumë emra të nëntokës, bosëve tashmë të njohur si Sreten Joçiç me nofkën Joca dhe Amsterdam nga Beogradi, i njohur përveç të tjerave edhe si bosi i cigareve. Këta tipa, të cilët në kohën e luftës, përveçse siguruan pasuri përmes aktiviteteve kriminale, krijuan edhe lidhje të ngushta në vendet e tyre me politikën. Të gjithë i dinë lidhjet e kryekriminelit serb Zheljko Razhnjatoviç - Arkan me familjen Millosheviç. Sidomos ai bashkëpunonte ngushtë me djalin e Sllobodan Millosheviçit.

Milorad Elemek – Legija, përmes të ashtuquajturit Klani i Zemunit, instaloi organizatën më të madhe në Ballkan, në të cilën ishin të përfshirë përveç ish-ushtarëve të tij, të tipit Guduriç dhe Milovanoviç, edhe pjesëtarë të tjerë të të gjitha nacionaliteteve të tjera, duke përfshirë edhe shqiptarë nga Kosova dhe Shqipëria. Por, si duket, Legija në ushtrinë e tij përveç këtyre tipave të “rrezikshëm” inkuadroi edhe tipa më të sofistikuar të tipit Damir Fazlliç, të cilët kishin për detyrë që si sekserë përmes lidhjeve të tyre me politikën të krijonin përfitime të majme për organizatën. Ka vite që është publike lidhja e tipave si Legija, Joca-Amsterdam, Damir Fazlliç etj., të cilët lindin, zhduken e rriten dhe i bëjnë punët e tyre kriminalo–mafioze përmes politikës dhe politikanëve në pushtet. Shumë herë gjer më sot është thënë se – çdo shtet ka mafien e vet, dhashtë zoti që mafia mos të ketë shtetin e vet në Shqipëri! Prandaj është absurde që sot parlamenti shqiptar të merret me aktivitetin e një personi, i cili që nga ardhja e tij në Shqipëri në 2005, nuk ka bërë gjë tjetër përveçse është marrë me aktivitete kriminale, përmes, siç edhe e thamë më parë, politikës dhe politikanëve në pushtet. Gjëja më e mirë për këtë person do të ishte që ai të dilte para drejtësisë shqiptare për të vërtetuar dyshimet që opinioni shqiptar ka tashmë për aktivitetet e tij në Shqipëri. Ajo çka është duke u dëshmuar e që do të jetë rrezik i vazhdueshëm për drejtësinë në tërë rajonin, është fakti se kriminelët bashkëpunojmë mes veti shumë më lehtë se politika.

Kriminelët nuk hezitojnë në shumicën e rasteve t’i bëjnë publike lidhjet e tyre me politikën dhe politikanët dhe këtë e kuptoj plotësisht, por nuk e kuptoj dhe është e neveritshme, kur politikanët i bëjnë publike lidhjet e tyre me këta tipa, përfaqësues të krimit ordiner, duke iu bërë respektin dhe duke u mburrur se i kanë edhe miq shtëpie.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›