Flamuri duke kërkuar faktet për atë burrin
Antena brenda familjes
Dje Flamuri pati punë në pritje të popullit. Pas debatit të Berishës për Fazlliçin në Kuvend, ku ai nuk iu përgjigj asnjë pyetjeje nga ato që bëri opozita, militantët janë ndarë. Një pjesë thonë që bëri mirë që nuk foli, pjesa tjetër thotë se na turpëroi që nuk iu dha përgjigje akuzave. Flamuri, i zënë ngushtë se nuk do t’ua prishë militantëve, është dakord me të dy palët.
Militanti i parë ishte nga ata që janë mërzitur dhe nuk i pranon dot arritjet.
Flamuri nisi ta bindte.
- Shqipëria po ndryshon, - i tha, - për këtë të jesh i sigurt. Ne kemi bërë rrugë, shkolla, ujësjellës, çfarë s’kemi bërë.
- E di, e di, - i tha militanti, - po s’po pyet kush për to. Po u pyet bota për Gërdecin, çka me i thanë ne?
- Asgjë s’ishte, dëgjo Flamurin ti. E nxjerr opozita dhe ca gazeta kot, po nuk kanë fakte. Ja, ke parë ndonjë fakt ti që kryeministri të kishte dijeni për atë punë …?
- Po ja, ai sikur kishte djalin dhe baxhanakun atje, s’e mori vesh thua?
- Po nuk ka fakte që ai e njihte baxhanakun dhe ti e di që pa fakte s’të dënon dot njeri, or mixhë.
- Po ajo shkresa që kishte emrin e Shkëlzenit që e ka nisur ai Aldo Bumçi me faks, gabim ka bërë. T’ia kishte dhënë dorazi dhe ai, apo s’priste puna…?
- Po nuk ka fakte të mjaftueshme as për atë or mixhë…
- Po ajo puna e atyre parave të Porto Romanos dhe të Fazlliçit?
- As për atë s’ka fakte, pse me letra gazetash do merret ai burri?
- Po ata e nxorën faksin në televizor mor burrë, lexonte qartë Shkëlzen Berisha nga faksi i Aldo Bumçit drejt Ministrisë së Mbrojtjes.
- E di, e di, po nuk kanë fakte mixhë, se Shkëlzeni nuk punon në Ministri të Mbrojtjes,
- Po ç’donte faksi atje, kur nuk punon atje?
- Po nuk kanë fakte o mixhë që ishte faks, se ti e di, letra e faksit është e lëmuar dhe e hollë, ajo ishte letër A4.
- Vallai s’e di xhaja si o kjo punë, por duhet me iu përgjigj, s’duhet me i bë bisht, se qenkan të fort keq me këto mungesa faktesh.
- Hiç s’ke pse mendohesh mor burrë, s’ka fakte dhe pikë.
- Jo, po mendoj tjetër gjë. Edhe këtu në fshatin tonë dikur ishte një njeri plot epshe që nuk e quanin Sali. Dhe përdhunoi një grua. Mirëpo, kur vajti në gjyq, gjykatësi që kishte marrë një shumë të mirë të hollash kështu iu thoshte dëshmitarëve: “Po s’keni fakte, mos hajdeni në gjyq” dhe ata ikën. Mbeti vetëm burri i saj që s’e kuptonte lojën dhe gjykatësi vendosi t’i bënte presion.
- ǒke parë ti në datën….?
- Po ja, pashë këtë djalin që i preu rrugën gruas.
- Fakte, fakte, - iu përvesh gjyqtari, - se s’do ta dënojmë tjetrin me thashetheme ne.
- Po ja, pastaj e tërhoqi nga krahu me forcë dhe e futi tek ajo kasollja.
- Fakte mor të them, fakte, ke fakte?
- Pastaj i shqeu rrobat..
- Fakte, fakte.
- Pastaj e mori në prehër…
- Fakte, fakte…, - thërriste gjyqtari, - s’janë fakte këto.
- Ku me e pa faktin, zoti gjyqtar, ai kishte hy brenda? - i tha burri.
- E sheh pra, - tha gjyqtari, - kërkoni të merrni më qafë njerëz pa pasur fakte.
U ngrit dhe deklaroi pafajësinë e të akuzuarit për mungesë faktesh.
Pas ca muajsh gruas iu rrit barku dhe burri shkoi prapë te gjykatësi.
- Ja fakti, - tha, - pas 7 muajsh e nxjerr kokën.
- Eh, atëherë s’jam më gjykatës unë, - tha, - le ta gjykojnë të tjerë faktin.