E Shtunë, 31 Tetor 2026

Poshtërimi i opozitës

Nga Mero Baze

Kryeministri, Sali Berisha, ka poshtëruar dje zyrtarisht institucionin e opozitës në Kuvend, duke injoruar të drejtën e tyre për t’u informuar rreth lidhjeve të tij personale dhe familjare me një sekser të përfolur serbo-boshnjak. Me një fjalim panoramik që dukej se tallte inteligjencën e çdo qytetari nënmesatar, ai konsumoi një kohë që rregullat e politikës në demokraci ia kanë rezervuar institucionit të llogaridhënies së kryeministrit. Ai iu shmang detyrimit të tij politik, moral dhe mbi të gjitha ligjor, për të dhënë përgjigje rreth një skandali që ka tronditur realisht shoqërinë shqiptare dhe besimin e qytetarëve tek ai personalisht. Është fjala për një njeri, për të cilin ai na u mburr publikisht se është i gatshëm të na e sjellë në Kuvend dhe ta përdorë dhe si denoncues të opozitës. Është fjala për një serbo-boshnjak, i cili ka ardhur duarbosh në vitin 2005 dhe sot ka vendosur rreth 50 milionë euro pasuri, me administrator kunatin e Lulëzim Bashës dhe avokate vajzën e Sali Berishës. Është fjala mbi të gjitha për detyrimin që ai ka për të respektuar të drejtën e opozitës për t’i kërkuar llogari dhe për të debatuar me të rreth problemeve që ajo ngre.

Nuk do shumë mend pse e bëri këtë. Nuk kishte çfarë të thoshte për një sekser të familjes. Nuk ka dëshirë t’i lakohet emri i vajzës, djalit dhe Lulëzim Bashës nga deputetët. Nuk ka dëshirë të pranojë se është dorëzuar para botës së parave dhe tanxhentopolit të botës së nëntokës ish-jugosllave. Nuk ishte më ai Berisha i para një muaji që tha se “ua sjell këtu, po e deshët”. Nuk është më ai Berisha i një viti më parë që tha se “djali im s’ka lidhje me Gërdecin”. Nuk është më ai Berisha i një viti më parë që i bënte letra “New York Times” për ta sqaruar se Kosta Trebickën s’e ka hequr nga biznesi djali i tij, ndaj ai s’ka faj si baba, por vetëm si kryeministër, pasi ka lejuar që një shtetas të dhunojë në biznes një shtetas tjetër. Nuk ishte më as Berisha i tri viteve më parë që mallkonte Taçët, Delijorgjët dhe gjithë kontrabandistët e tjerë. Tashmë është miku i tyre, dhe i duhet të mos flasë më për këto tema, por të mbajë fjalime prognozë ai ato që Enver Hoxha mbante, kur kriza e bukës kishte mbërthyer vendin dhe shpresa e vetme ishin armiqtë që nuk i shihnim askund.

Por Sali Berisha ka një fat në gjithë këtë histori. Fati i tij është opozita. Kjo opozitë nëpunësish të llastuar, që preokupim kryesor kanë problemet e tyre private, nuk mund të mundë një njeri që mendon politikisht çdo minutë. Një opozitë që shkon në betejë pa udhëheqës dhe pa plan, një opozitë që shkon në debate me fjalë rrugësh, një opozitë që dhe kur flet për shifrat i merr ato si numra dhe jo si produkte politike, nuk mund të mundi një njeri që udhëheq vetë, një turmë njerëzish të kapur, që dikton rregullat e luftës, arbitrin dhe natyrisht fitimtarin. Ai shkoi në seancë me planin e tij poshtërues për të mos iu përgjigjur opozitës dhe kjo e fundit rrinte e dëgjonte në sallë gjëra për të cilat as i kishte kërkuar dhe as ishte e nevojshme t’i dëgjonte. Një opozitë që ishte në sallë pa një plan veprimi, pa lider, dhe pa koshiencën politike, se ai nuk po shmangej nga debati vetëm për të shpëtuar nderin e familjes, por mbi të gjitha për të shkelur me këmbë institucionin e opozitës që të mos guxojë t’i kërkojë më debat publik për asnjë arsye. Por kjo opozitë nuk e ka këtë nerv politik. Ajo nuk është mësuar të bëjë betejë për korrupsionin, pasi shumë prej tyre në atë sallë e kanë zili fatin e Sali Berishës dhe sidomos të fëmijëve të tij. Kjo opozitë, përjashto disa diskutime racionale mbi çështjen “Fazlliç”, kryesisht nga ish-gazetarë që janë deputetë, ishte tërësisht e papërgatitur për t’u përballur me të. Kjo opozitë po e vë veten në rolin e një opozite të kastruar, që rri e pranon publikisht, madje disa duke qeshur, një fjalim përdhunues për të. Sali Berisha është i lirë ta mbajë atë fjalim në çdo shesh, në çdo tribunë dhe në çdo seancë parlamentare. I vetmi vend i gabuar dhe kohë e gabuar ishte seanca mbi “Çështjen Fazlliç”, pasi bazohej mbi një temë konkrete dhe duhej respektuar për shkak të rregullave politike. Sali Berisha e bëri me vetëdije këtë poshtërim të institucionit të opozitës, por opozita kam frikë se është e pavetëdijshme për rolin e saj si institucion. Në atë grumbull deputetësh që janë në atë sallë secili ka hallet e veta që i zgjidh nga pushteti i pjesshëm i Edi Ramës dhe askush nuk ka hallin e opozitës. Edhe radikali Ilir Meta, që akuzon Edi Ramën për krushqi me Sali Berishën, nuk ishte në sallë dhe e pranoi atë poshtërim. Ka deputetë të tjerë si Blushi që tallen me karrigen e tyre opozitare dhe i bashkohen korit që relativizon rëndësinë e hetimit të dosjes “Fazlliç” si dosje e kapjes së shtetit dhe dorëzimit të Sali Berishës para mafies rajonale. Kjo opozitë duhet të ndajë fatin e saj personal nga fati i institucionit të opozitës. Është turp që opozitën në vend ta bëjë media dhe shoqëria civile dhe ta sabotojë opozita zyrtare me papërgjegjësinë dhe dembelizmin e njerëzve që akoma s’kanë mbaruar paratë që kanë bërë kur ishin në pushtet. Është turp që një ministër mashtrues, i pacipë dhe hajdut si Lulëzim Basha të të bëjë moral për gruan, kunatin apo vjehrrin, një bandë plaçkitësish të shqiptarëve nga koha e Vehbi Alimuçës, që kanë diktuar prokurimet publike të rrugëve, me të cilat mburret Sokol Olldashi deri në qindarkën e fundit. Por mbi të gjitha është turp që opozita të mos ketë planin e saj për ta çuar në fund betejën që ka nisur media, që e ka pranuar opinioni publik dhe që ajo nuk është e zonja ta mbrojë as siç e mbron një qytetar i thjeshtë. Për çdo familjar normal në këtë vend është e qartë se brenda tri vitesh në pushtet, Sali Berishës, prokuroria e tij, i duhet t’i hetojë dy afera, në të cilat, siç del nga faktet, njëra, ajo e Gërdecit, është prodhuar prej djalit të tij dhe tjetra, kjo e Fazlliçit, është prodhuar prej vajzës së tij. Bilanc më të keq familjar, politik dhe moral nuk ka pasur asnjë kryeministër që nga koha e Ismail Bej Vlorës në Shqipëri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›