E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përtej Amnestisë, përfiton 120 mijë euro nga Eurimage

Qendra Kombëtare e Kinematografisë njofton se bordi i projekteve të Eurimages ka miratuar, në mbledhjen plenare të 17 marsit, mbështetjen financiare të filmit Përtej Amnestisë, me regji të Bujar Alimanit, një bashkëprodhim shiptaro-greko-francez. Financimi i Eurimages është me 120.000 euro, i barabarte me rreth 15% të buxhetit të filmit.

Projekti filmik u paraqit dhe mbrojt para Bordit të Bashkëprodhimeve të Eurimages nga dy përfaqësuesit zyrtarë të Shqipërisë pranë Eurimages, kryetari i QKK-së Artan Minarolli dhe Roland Sejko, krahas producentëve grekë dhe francezë. Filmi i Alimanit, një histori dashurie të pamundur në Shqipërinë e tranzicionit, është  i pari projekt filmik i paraqitur nga Shqipëria në bordin e Eurimages, vetëm tetë muaj pas pranimit të Shqipërisë në këtë organizëm ndërkombëtar të Këshillit të Europës, i cili nxit dhe mbështet bashkëprodhimet filmike. Mbledhja e përtremuajshme e bordit të projekteve të Eurimages u mbajt në Stamboll nga 13 deri më 17 mars. Bordi shqyrtoi 34 kërkesa filmike bashkëprodhimi nga të cilët u miratuan 14. Kineastët shqiptarë mund të paraqesin projektet e tyre të bashkëprodhimit në mbledhjet e radhës të Eurimages, që do të mbahet në Hamburg qershorin e ardhshëm. Dy javë më parë, nga data 3-5 mars, me ftesë të QKK-se, ishte i pranishëm në Tiranë Drejtori Ekzekutiv i Eurimages Roberto Olla, i cili mbajti një seminar, si dhe zhvilloi takime personale me kineastët dhe producentët shqiptarë mbi pjesëmarrjen e tyre në Eurimages. Sekretari i Përgjithshëm i Fondit të Këshillit të Evropës për Kinematografinë Evropiane, gjatë takimit me kineastët shqiptarë u shpreh se Eurimage është një dritare më shumë për kinematografinë shqiptare. I pranishëm në Tiranë me ftesë të Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, për të drejtuar një seminar informues për kineastët shqiptarë dhe më gjerë, ai foli dhe për mënyrat e aplikimit për financim projektesh. Ishte një takim shumë i rëndësishëm. Eurimage është si një dritare e hapur për kineastët shqiptarë. Në këtë fondacion janë 34 vende anëtare. Në vit ne kemi një fond prej 22 milion eurosh për të gjitha këto vende që do të ndahet sipas projekteve kinematografike. Filmat që prodhohen 100 përqind në vend nuk financohen nga Eurimage, i cili është një mundësi e mirë për kineastët shqiptarë, por dhe për filmin, pasi i jep mundësi që të shkojnë dhe në vende të tjera kultura të ndryshme, pohoi z.Olla. Një kriter tjetër i përcaktuar nga Eurimage(Fondi i Këshillit të Evropës për Kinematografinë Evropiane), për financime është dhe ai i cilësisë. Jo të gjitha projektet mund të financohen, pasi kjo varet dhe nga cilësia e tyre, por dhe nga mesazhi që ata përcjellin. Jo çdo projekt financohet nga ne, pasi kjo varet nga cilësia dhe nga skenari. Projekti mbi të gjitha duhet të ketë një mesazh universal. Deri tani nuk kemi asnjë projekt, por unë sot pata takime me shumë kineastë shqiptarë dhe besoj se më vonë do të kemi projekte cilësore, theksoi më tej në fjalën e tij z.Olla gjatë qëndrimit të tij në Tiranë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›