"Arti skenik" përplas artistët me ministrinë
Pas peticionit, që Sindikata e Artistëve të Teatrit Kombëtar i dërgoi dje ministrit Ylli Pango, ku kundërshtohej projektligji për artin skenik dhe draft-reformën institucionale të paraqitur nga grupi i punës së MTRS-së, ky i fundit e ka cilësuar këtë akt të pamenduar. "Me habi jemi përballur me faktin se Sindikata e Artistëve të Teatrit Kombëtar i është drejtuar MTKRS-së me nota të larta e nervoze kundërshtimi, madje në formë ‘peticioni‘, mbi kundërshtimin për të mos lejuar amendime të ligjit për artin skenik dhe tezave të draft-propozimit të MTKRS-së.
Themi me habi, sepse nuk ka ndodhur që një material i caktuar, i cili serviret në mënyrë demokratike në komunitet për propozim, duke kërkuar diskutim mbi çdo tezë apo argument të tij, të paragjykohet e dezinformohet deri në atë pikë, sa ky komunitet të mos kërkojë as diskutim mbi të, duke nxjerrë përpara një ‘Jo!‘, e cila tingëllon vetëm cinike, ‘presion-uese‘ e aspak bashkëpunuese", thuhet në një deklaratë të shpërndarë dje për mediat nga grupi i punës. Sipas tyre, "tendenca e grupit të punës së hartimit të draft-propozimit ka qenë propozimi, transparenca dhe diskutimi i tezave të tij, se ku është mbështetur dhe në ç‘eksperienca është bazuar". "Janë personalitete e artistë të shumtë që kanë ardhur herë pas here në ministri, të cilët kanë ngritur një sërë argumentesh nga më të drejtat, jo vetëm për mënyrën e mangët të vlerësimit artistik në sistemin e sotëm skenik, por edhe për mënyrën e administrimit të një institucioni publik artistik, duke njohur paraprakisht se si funksionojnë nëpër botë institucione të tilla", thuhet në deklaratë.
Sipas tyre, "për fat të keq, dezinformimi, manipulimi e presioni i verbër "ditë përditë, ore për orë e minutë për minutë" brenda institucioneve, i mbështetur nga një pjesë e verbër kolektivi, e cila për arsye të ndryshme (por aspak për ato të shprehura në draft), ka arritur ta konsiderojnë veten të ‘rrezikuar‘ nga tezat e draftit dhe me forma vulgare populizmi, duke shfrytëzuar çdo mjet e formë, kërkojnë të mbysin çdo diskutim e debat".
Deklarata përfundon me nënvizimin se mesazhi përfundimtar i grupi të punës së hartimit të draft-propozimit ngelet vetëm ai që është përcjellë që nga dita e shpërndarjes së tij, pra ajo e debatit, diskutimit dhe e bashkëpunimit për të hartuar një draft-përfundimtar të qartë, stimulues e në ndihmë të artit dhe artistëve. Vetëm dy ditë më parë, Sindikata e Artistëve të TK-së i dërgoi një peticion ministrit të Kulturës, Pango, ku kërkonin zbatimin e ligjit në fuqi, duke mos i marrë parasysh ndryshimet e propozuara në projektligj. Ata nuk binin dakord me rritjen e kompetencave të bordit artistik dhe zbehjen e rolit të drejtorit. Artistët nuk janë dakord edhe me shkurtimin e numrit të artistëve në Teatrin Kombëtar nga 32 në 28. Përkundër ndryshimeve të propozuara në projektligj, sindikata propozon krijimin e menjëhershëm të Qendrës Kombëtare të Artit Skenik, të parashikuar në ligj, si një organizëm që do të gjallërojë jetën teatrore, do të shfrytëzojë maksimalisht kapacitetet krijuese të brezave të rinj, por mbi të gjitha "të shmangë praktikën abuzive të miratimit të projekteve nga ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve".