Prokuroria, ultimatum Lulzim Bashës
TIRANË- Prokuroria e Përgjithshme i jep fund debatit me ministrin e akuzuar, Lulzim Basha, duke i dërguar një fletë-thirrje të dytë. “Thirreni për t’u paraqitur deri më 6 dhjetor për t’u njohur me akuzën, ose në të kundërt, dosja do të dërgohet në Gjykatën e Lartë”,-ka qenë ultimatumi i Prokurorisë së Përgjithshme për Bashën, i cili deri më tani ka bllokuar dosjen e skandalit të rrugës Durrës-Kukës. Ky lajm konfirmohet nga burimet zyrtare pranë organit qendror të akuzës, të cilët sqaruan se nuk janë mjaftuar vetëm me njoftimin me postë, por i kanë kërkuar Bashës të paraqitet në prokurori, jo më larg se 6 dhjetori. “Lulzim Basha ka refuzuar t’i përgjigjet fletë-thirrjes së prokurorisë, ndërsa avokati i tij nuk ka pranuar të firmosë vendimin që e cilëson Bashën të pandehur për 3 akuza. Nëse ai refuzon sërish, ky ngërç do të zgjidhet nga Gjykata e Lartë”,-bëjnë me dije burimet e mësipërme.
Për prokurorinë, i pandehuri Basha është njoftuar në lidhje me akuzat e reja, të ngritura ndaj tij ndërsa dëshmia e tij mund të merret edhe para togave te zeza, pas fillimit të procesit gjyqësor. “Organi i akuzës, në bazë të procedurave ligjore që janë në fuqi si pjesë e legjislacionit shqiptar, ka detyrimin të njoftojë të pandehurin për akuzat, edhe nëpërmjet postës, veprim ky procedural që tashmë është kryer ndaj këtij shtetasi. Prokuroria e Përgjithshme, në bazë të provave hetimore të mbledhura vetëm para datës 6 nëntor, ka arritur në konkluzion se shtetasi Lulëzim Basha ka kryer veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”; “shkeljes së barazisë së pjesëmarrës në tender apo ankande publike” dhe “ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” të gjitha këto në bashkëpunim me ish-drejtorin juridik pranë Ministrisë së Transporteve, Andi Toma, që mban tashmë postin e drejtorit të Përgjithshëm të Drejtorisë së Rrugëve pranë kësaj ministrie”,-thanë zyrtarët e organit qendror të akuzës, të vendosur për ta dërguar dosjen në Gjykatën e Lartë.
Ministri i Jashtëm, Lulëzim Basha, jo vetëm që ka injoruar fletë-thirrjen e prokurorisë për t’u paraqitur para prokurorit Arben Kraja, por ka iniciuar një fushatë të tërë publike për ta cilësuar hetimin të paligjshëm. Pasi avokati i tij, Zef Nikaj, refuzoi të firmosë aktet procedurale të cilësimit të klientit të tij si i pandehur, prokuroria është detyruar t’ia nisë me postë akuzat, ministrit të Jashtëm. Avokati Nikaj pretendon se veprimet e kryera nga institucioni i akuzës janë në kundërshtim me aktet nënligjore të Kodit të Procedurës Penale, pasi nuk mund të kryhet asnjë veprim procedural pas shfuqizimit të vendimit për zgjatjen e afateve hetimore nga Gjykata e Shkallës së Parë, por ky pretendim është rrëzuar nga kryeprokurorja Ina Rama. Vetëm pak ditë më parë ajo sqaroi se “marrja në cilësinë e të pandehurit të shtetasit Lulëzim Basha nuk është veprim hetimor, por veprim procedural, duke u bazuar në provat e siguruara para datës 6 nëntor. E bindur për ekzistencën e provave që vërtetojnë shkeljet e Bashës, Prokuroria e Përgjithshme ka vendosur t’i japë fund tymnajës së krijuar në publik dhe të zbatojë ligjin, duke i dorëzuar Bashën Gjykatës së Lartë.
VENDIMI
Afatet hetimore, vendimi i Apelit më 3 dhjetor
TIRANË- Gjykata e Apelit do të shprehet me vendim më 3 dhjetor për afatet hetimore të skandalit “Durrës-Kukës”. Sipas burimeve pranë kësaj gjykate mësohet se pas dorëzimit të ankimimit të vendimit nga prokurori Arben Kraja, kryesekretarja e kësaj gjykate e ka hedhur në short dosjen dhe ka caktuar treshen e trupit gjykues, që do të shqyrtojë këtë ankimim. Pritet që paraditen e së mërkurës, togat e zeza të shqyrtojnë kërkesën e Prokurorisë së Përgjithshme, të cilët kundërshtojnë vendimin e togave të zeza të Shkallës së Parë në lidhje me shfuqizimin e zgjatjes së afateve hetimore. Ka qenë gjyqtari Sokol Tona, i cili pas shqyrtimit të tre seancave gjyqësore vendosi shfuqizimin e vendimit të zgjatjes së afateve hetimore të procedimit penal me numër 1 të vitit 2007, duke bllokuar hetimet e mëtejshme pas kësaj date. Sipas vendimit, “shfuqizohet vendimi i Prokurorisë së Përgjithshme i datës 6 nëntor 2008 për zgjatjen e afateve hetimore edhe për një muaj, duke pezulluar gjithashtu edhe kryerjen e çdo veprimi procedural për procedimin penal me numër 1 të vitit 2007”,-thuhet në vendimin e gjyqtari Tona, duke përfshirë në këtë vendim edhe veprimet hetimore ndaj shtetasit Lulëzim Basha, edhe pse në atë kohë ishte vetëm person nën hetim.
Ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, justifikohet me axhendën “e ngjeshur” diplomatike
Refuzimi i dytë i Bashës: Mos më prisni në Prokurori
TIRANË- Ministri nën akuzë, Lulzim Basha duket se e ka ndarë mendjen të refuzojë për të dytën herë ligjin dhe Prokurorinë e Përgjithshme. Ai i është përgjigjur indirekt fletë-thirrjes së organit qendror të akuzës, duke nisur nga zyra e shtypit të Ministrisë së Jashtme, axhendën e ngjeshur diplomatike, që “e detyron” të qëndrojë jashtë vendit nga data 2-7 dhjetor. Sipas këtij njoftimi aspak të zakontë të Ministrisë së Jashtme, Basha ka planifikuar të marrë pjesë në një mori aktivitetesh zyrtare gjatë këtyre ditëve, duke fluturuar nga Brukseli në Oslo, Finlandë e Gjermani. Ndryshe nga refuzimi kategorik e me zë të lartë i fletë-thirrjes së parë, ky refuzim i dytë i Bashës është zgjedhur të bëhet pa shumë zhurmë, me justifikimin e axhendës së ngjeshur diplomatike të ministrit që akuzohet për skandalin 320 milionë eurosh në rrugën “Durrës-Kukës”. Deri më tani, Basha apo avokati i tij kanë refuzuar të komentojnë tre akuzat e ngritura nga Prokuroria e Përgjithshme, duke u kapur pas afateve hetimore të dosjes. Por debatit të fabrikuar prej ditësh duket se po i vjen fundi, pas vendimit tashmë të marrë prej Prokurorisë së Përgjithshme, për ta dorëzuar dosjen në gjyq, me apo pa miratimin e Bashës. Organi qendror i akuzës ka vendosur dje që dosja të mbërrijë në Gjykatën e Lartë më 6 dhjetor e më pas, i takon kësaj gjykate të shqyrtojë të gjitha pretendimet e Bashës dhe hetimet e prokurorisë. Ish-ministri i Transporteve, aktualisht ministër i Jashtëm akuzohet se ka shkelur ligjin në përzgjedhjen e kompanisë konsulente “Ecorys”, në procedurat e tenderit për rrugën Rrëshen-Kalimash si dhe në shpalljen e kompanisë “Bechtel” si fituese e tenderit. Për shkak të këtyre shkeljeve, deri më tani buxheti i shtetit mendohet se ka humbur 320 milionë euro.