Presidenti dikur dhe tani
Shenim i redaktorit:
Në fakt, nuk është e thjeshtë të përkufizosh në një sistem parlamentar, organin kushtetues të Presidentit të Republikës. Në një rast të tillë, pra në republika të ndryshme paralamentare mund të gjejmë një institucion të tillë që mund të variojë, nga një organ garancie kushtetuese, në një organ qeverisës. Historia dhe evolucioni i këtij organi kushtetues është padyshim e gjatë.
Pyetja që ngritëm për miqtë e Shekullit sot në debatin e së martës është: A kemi patur presidentë të mirë? Sot janë shënimet e bashkëpunëtorëve të Shekullit, Rexhep Meidani, Ardian Vehbiu, Lutfi Dervishi dhe Igli Totozani.
Nesër në pjesën e dytë të forumit do të lexoni shënimet e Arbën Xhaferrit (Demokracia radikale), Pëllumb Kulla (Miqtë dhe armiqtë e Presidentëve tanë) Franko Egro (Themelet e ngrehinës) dhe Virion Graci (Tkurrja e Presidentëve)
***********************LUTFI DERVISHI:A kemi pasur presidentë të mirë? Pyetja lidhet me tre ish-presidentë dhe një president në detyrë. Ndoshta, në të ardhmen, mund të ketë më shumë kuptim pyetja për (ish) kryeministrin, sepse aty do të lëvizë pushteti real, sidomos pas ndryshimeve të fundit në Kushtetutë.
Në ushtrimin e detyrës, ish-Presidenti Berisha (‘92-‘97), ish-Presidenti Meidani (‘97-2002), ish-Presidenti Moisiu (2002-2007) dhe Presidenti Topi (2007), ndryshojnë shumë nga njëri-tjetri dhe ushtrojnë detyrën në faza të ndryshme të zhvillimit të vendit, por edhe me kompetenca të ndryshme kushtetuese. Ajo që i bashkon të katër figurat e larta, është fakti se të katër si presidentë kanë dhënë dekorata me tepri dhe, për fat të keq, kanë dekoruar si viktima ashtu edhe persekutorë apo denonciatorë të këtyre viktimave. Historia do ta thotë në mënyrë më të përmbledhur, do t’u vërë notën e merituar presidentëve, por besoj se është koha për të dhënë një vlerësim për pluset dhe minuset që ka shoqëruar mandatet e tyre
Në kohën e ushtrimit të detyrës, nga ish-Presidenti Berisha kemi një republikë gjysmë presidenciale. Presidenti kishte të drejtë të nxirrte dekrete me fuqinë e ligjit dhe, sot, këtë të drejtë e ka Kryeministri që nxjerr akte normative. Presidenti, në bazë të kompetencave kushtetuese, kishte të drejtë të drejtonte mbledhjen e qeverisë. Zoti Berisha vinte në postin e Presidentit pas zgjedhjeve të 22 marsit të vitit 1992, ku Partia Demokratike, si asnjë parti opozitare në vendet e ish-Lindjes komuniste, erdhi në pushtet me një fitore të gjerë. Zoti Berisha u zgjodh si president me një mandat të qartë për të drejtuar dhe kishte përgjegjësinë e shumicës dërrmuesve të votuesve shqiptarë për të ndryshuar vendin.
Vitet e para pas shembjes së regjimit komunist, janë vitet e reformave dhe meritat, në këtë aspekt, i shkojnë njeriut që do të mbetet në histori për përmbysjen e regjimit më të egër komunist që ka njohur kontinenti ynë. Por, mandati i madh dhe mbështetja e gjerë që pati zoti Berisha, solli probleme me zhvillimin e demokracisë.
Z. Berisha e pati shumë të vështirë të pajtohej me mendimin kritik, qoftë të opozitës, qoftë brenda radhëve të PD-së, qoftë të medias apo të shoqërisë civile. Z. Berisha drejtoi me dorë të fortë. Fuqia e tij e madhe politike, energjia e pashtershme për të dërrmuar kundërshtarët politikë, shto këtu zbatimin praktik në politikë të mentalitetit të kirurgut, për të cilin pjesa e keqe duhet hequr me bisturi, sollën pasoja të rënda në zhvillimin demokratik të vendit, që u manifestuan në vitin 1996, ku vendi ishte praktikisht pa opozitë nga zgjedhjet problematike të atij viti dhe 1997, trazirat e të cilit nxorën në dritë faktin që, dobësia më e madhe në Shqipëri, ishte mungesa e institucioneve.
‘92-’96-a ishte periudha kur presidenti i "merrte" kompetencat qeverisë, (me dekret shpallte zi kombëtare, bënte emërime dhe çemërime, pa pyetur qeverinë). Më pas, vjen periudha ku qeveria i merr kompetencat Presidentit, z. Meidani hap kapitullin e presidentëve pa përgjegjësi elektorale. Z. Meidani, gjatë gjithë mandatit të tij dëshmoi se nuk e dëshironte protagonizmin. I ardhur në postin e lartë të shtetit, pas periudhës autoritariste të z. Berisha, ai, nga frika se mos i ngjante modelit Berisha, kaloi në ekstremin tjetër. Me Kushtetutën e vitit 1998, është hapi i parë i kalimit të shumë kompetencave nga Presidenti tek Qeveria. Pika më e fortë, nga e cila do të mbahet mend zoti Meidani, është fakti se në kohën që ai ushtronte detyrën si President, në kohën kur qeveritë dhe kryeministrat e së majtës ishin në qendër të kritikave dhe akuzave të opinionit vendas dhe të huaj për korrupsion, për të nuk u artikulua jo akuzë, por as dyshimi më i vogël. Në mandatin e tij filloi ndërtimi i institucioneve kushtetuese. Me gjithë pamjen e butë dhe të qetë, si President, ai u tregua i skajshëm në raport me opozitën. Nuk e takoi asnjëherë gjatë 5 vjetëve.
Shkarkimi i 20 ambasadorëve brenda një dite ,apo shkarkimi i një grupi gjeneralësh (të gjithë fituan gjyqin më pas) janë tregues të një militantizmi të heshtur, por shumë të vendosur. Me gjithë kujdesin për të qenë mbi palët dhe për të dalë me kostumin e intelektualit, kandidimi dy herë për postin e Kryetarit të Partisë Socialiste (2003, 2005) konfirmon atë që kritikët më të ashpër të tij e kanë quajtur si "President i një pale". Duke i lënë kështu një hapësirë të madhe pasardhësit të tij.
Zoti Mosiu u zgjodh në një tentativë të suksesshme për të pasur një "President kushtetues". U zgjodh me konsensus të gjerë të të dyja palëve. Dera e presidencës së tij ishte e hapur për të dyja palët. Mund të thuhet pa frikë se kostumin e presidentit ai e veshi gjatë mandatit. Dekorimi me tepri dhe dekorimi i figurave politike, që më së paku e meritojnë të dekorohen, janë minuse të mandatit të zotit Moisiu. Reformimi i institucioneve të drejtësisë mbeti pika më e dobët e mandatit. Në cilësinë e kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Presidenti mund të bëjë shumë më tepër për drejtësinë. Vetëm vitin e pestë zoti Moisiu paraqiti platformën për drejtësinë, gjë që mund ta bënte që në vitin e parë.
Në ushtrimin e detyrës, zoti Moisiu është përqendruar strikt tek puna si President dhe jo tek e ardhmja e tij politike. Ndoshta Moisiu do të mbetet i vetmi që gjithë kohën dhe energjitë i ka vënë në dispozicion të mandatit dhe jo të së ardhmes personale. Gjë që ishte e kundërta me z. Berisha, me z. Meidani dhe, siç duken disa shenja, edhe me z. Topi.
Me zgjedhjen e zotit Topi si President, kemi kthimin tek figura e politikanit në krye të shtetit. I kuotuar në sondazhe prej vitit 200 si politikani më popullor, zoti Topi, megjithëse u zgjodh në rrugë kushtetuese, nuk arriti të marrë një konsensus të gjerë me opozitën.
Kritikat e opozitës si President i njëanshëm, një vit e gjysmë pas qëndrimit në detyrë, janë shuar. Ndoshta dhe për fajin se të gjithë dekretet për emërime i ka bërë pa marrë pëlqimin paraprak të asnjë pale.
Në vite, zoti Topi ka formuar profilin e një politikani të ekuilibruar dhe ka qenë i distancuar ndaj ekstremeve. Sfida e tij gjatë ushtrimit të detyrës është qëndrimi mbi palët. Është në fillim të vitit të dytë të mandatit dhe pyetja e hapur mbetet: Si dëshiron ai të mbahet mend si President i Shqipërisë? Do t'i kushtojë kohën dhe energjinë e tij karriges së kryetarit të shtetit, apo të ardhmes së tij politike pas vitit 2012?
Në fund, por jo nga rëndësia me ndryshimet kushtetuese të prillit të këtij viti, është forcuar Kryeministri dhe është dobësuar Presidenti. (Tashmë është Kryeministri dhe jo Presidenti që mund të shpërndajë Kuvendin dhe ta çojë vendin në zgjedhje të parakohshme). Kushtetuta i ka dhënë Presidentit shumë fuqi, sidomos në sistemin e drejtësisë (emërimet e anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe Kushtetuese) pikërisht se ishte figura që gëzonte konsensusin më të madh - 84 vota). Kjo gjë tashmë nuk ekziston. Ndryshimet e fundit kushtetuese nuk lënë dyshim se presidentët do të jenë figura politike të zgjedhura vetëm nga një forcë politike. Ndaj, ndoshta në të ardhmen, është më mirë të flasim për kryeministrat.