E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Përtej rrugës” për Argjentinë

Film ky i vlerësuar shumë nga audienca Kosovare, pasi dha premierën e tij në edicionin e parë të festivalit të filmit Pri Film Fest në vitin 2009, do të shfaqet në festivalin ndërkombëtar të filmit ‘BAFICI’, në Buenos Aires.

Pjesëmarrja e “Përtej rrugës” në këtë festival, duke prezantuar kulturën tonë në një vend që ende nuk e ka njohur si shtet Kosovën, mund t’i hapë rrugë bashkëpunimeve të mëtutjeshme kulturore.

”Jemi të nderuar që filmi do të jetë pjesë e një festivali shumë të vizituar nga shikuesit. Është një eksperiencë e veçantë për mua, të marrë pjesë në një festival në një vend ekzotik, kur e dërgova filmin ketë e mendova së pari, por pastaj hulumtova më gjatë për festivalin, u njoftova me vlerat e tij dhe e dhashë konfirmimin final se isha i interesuar të jem pjesë e festivalit”, shprehet regjisori i filmit Yll Çitaku.

“Përtej rrugës” trajton një temë që sjell një mesazh të veçantë me një atmosferë interesante. Ndonjëherë bërja e një gabimi të pavërejtshëm është e tëra që shihet. Për karakterin kryesor të filmit Beyond the Road( Përtej Rrugës) gabimi nuk ishte thënia e diçkaje drejt, kur ai duhej ta thoshte. Dënimi i tij, të qenit i futur në një botë joreale, një lloj purgatori paralel, ku e tëra që mund të bëjë është të presë.

“Filmi është i fuqishëm, atmosfera e papraktikuar rikthen njërin si në krekosje. Kjo është një lajkë goxha e fortë për filmin e parë që vjen nga një vend i cili deri para dy vitesh nuk ekzistonte në hartë(Kosova) dhe e drejta për pavarësi e të cilit vend ende është subjekt i debatit në komunitetin ndërkombëtar”, me këto fjalë prezantohet “ Përtej rrugës” në ueb faqen e festivalit.

Filmi ka filluar të xhirohet pesë vite më herët, ndërsa sipas regjisorit, ka pasur një përkushtim shumë të madh gjatë zgjedhjes së vendeve të xhirimit, derisa puna e tij është finalizuar në vitin 2008. Filmi është xhiruar në dy faza, në vitin 2003 një pjesë e filmit, dhe një pjesë tjetër në vitin 2008.

“Beyond the Road” është prodhuar nga “Koperativa” me subvencionimin e Qendrës Kinematografike të Kosovës dhe i mbështetur nga Akademia e Arteve në Prishtinë. Skenarin dhe regjinë e ka bërë Yll Çitaku, ndërsa në rolet kryesore paraqiten Donat Qosja, Gresa Pallaska dhe Luan Jaha.

Festivali, mbahet më datën 7-18 Prill 2010, ndërsa do të shfaqet tri herë gjatë festivalit në tri kinema të ndryshme.

Shkuarjen e ekipit të filmit në Argjentine e mundësoi SCP ( Swiss Cultural Program) dhe SOROS Foundation ( Fondacioni për shoqëri të hapur-Prishtine).

”Përtej rrugës” pritet të udhëtojë edhe në disa festivale tjera internacionale.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›