E Shtunë, 31 Tetor 2026

Izraeli shpreson në kompromis me SHBA’në

Ai ka skicuar planin e tij dhe është kthyer në Izrael duke folur për “mënyra të arta” për rigjallërimin e paqes në Lindjen e Mesme me anë të bisedimeve, por asnjë koment nuk ka ardhur për këtë nga Shtëpia e Bardhë.

Netanyahu takoi presidentin Barack Obama dhe minutat e fundit ai bisedoi me të dërguarin e posaçëm për Lindjen e Mesme, George Mitchel.

As ai dhe as zyrtarët e SHBA’së nuk kanë dhënë detaje për çfarë kanë biseduar.

Mosmarrëveshjet nisën kur Izraeli planifikonte të ndërtonte shtëpi në Jerusalemin Lindor, duke shkaktuar njërën ndër krizat më të mëdha në marrëveshjet në mes të dy vendeve, të cilat kanë qenë të mira për dekada me radhë.

Shtëpia e Bardhë ka raportuar se është duke u përpjekur ta bind Netanyahun që të merr disa masa dhe të ringjallë shpresat për bisedime të “mundshme” indirekte në mes të Izraelit dhe Palestinës.

Palestinezët janë tërhequr nga bisedimet dy javë më parë, pasi Izraeli paraqiti planin për ndërtimin e 1600 shtëpive në Jerusalemin Lindor.

Projekti ishte aprovuar gjatë kohës kur rajonin e vizitonte nënpresidenti Joe Biden – një lëvizje që u kritikua ashpër nga të gjithë.

Vizitë e stërzgjatur

Informacione të pakta për bisedimet e Netanyahut janë dhënë dhe shumë pak është thënë për një nivel të këtillë të takimit, që zgjati aq shumë, në mes SHBA-së dhe aleatit të saj të vjetër.

Netanyahu citohet të ketë thënë për agjencitë e lajmeve se ai mendon që është gjetur një mënyrë e “artë” për të shkuar në drejtim të paqes, e cila mënyrë mbron edhe interesat e Izraelit.

Megjithatë, gazeta ditore izraelite “Haaretz” e citon atë duke thënë se Izraeli është “duke e kërkuar këtë hap të artë”.

Burimet nga Izraeli kanë thënë për agjencinë e lajmeve Reuters se Netanyahu nuk mund të finalizojë masat e parandalimit të ndërtimit gjersa ato t’ia prezantojë kabinetit të tij.

Zyrtarët amerikanë, që kanë folur në kushte anonimiteti për agjencinë e lajmeve “Associated Press”, kanë thënë se biseda nuk ka ulur tensionet në mes të dy vendeve dhe ka pasur mospajtime për ndërtimet në Jerusalemit Lindor. Netanyahu ka zgjatur qëndrimin e tij për disa orë, deri në orën 20:00 të mërkurën, duke u përpjekur të lidhë një marrëveshje për bisedimet me Mitchell, por asnjë gjë nuk është arritur, ka thënë një zyrtar.

Në mëngjesin e së mërkurës, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Robert Gibbs, ka thënë se presidenti Obama ka pasur bisedime “të hapura” me Netanyahun dhe i ka thënë atij se hapat e tij për ndërtimin e shtëpive kanë shkatërruar nismën për bisedime indirekte.

Gibbs u ka thënë gazetarëve të mërkurën se ka pasur hapësira për marrëveshje dhe mosmarrëveshje në mes të dy palëve.

“Presidenti i ka kërkuar kryeministrit të mendojë më mirë për pasojat e ndërtimeve, pasi që ato kanë të bëjnë me progresin e bisedimeve të mundshme”, tha Gibbs.

Izraelitët thonë se ka qenë një “atmosferë e mirë” gjatë bisedimeve të së martës. Por, nuk ka pasur asnjë konferencë për shtyp, jo mikpritje bujare nga amerikanët dhe Shtëpia e Bardhë madje nuk ka lëshuar asnjë fotografi të takimit të dy liderëve. Palestinezët dëshirojnë që Jerusalemi Lindor të jetë kryeqyteti i tyre i ardhshëm, por Izraeli konsideron se qyteti nuk mund të ndahet.

Afërsisht një milion hebrenj jetojnë në 100 koloni të ndryshme, të cilat janë ndërtuar qëkurse Izraeli kishte okupuar Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor. Ata konsiderohen si banorë ilegalë sipas të drejtës ndërkombëtare, edhe pse Izraeli nuk pajtohet më këtë.

(BBC)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›