E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Rregullorja në përputhje me atë të PE - ndryshimet s’do jenë të theksuara”

07-01-2012 / Gazeta 55

Reforma parlamentare, flet Jemin Gjana, bashkëkryetari i grupit të punës për rishikimin e rregullores së Kuvendit

Grupi i punës për reformën parlamentare ka hedhur piketat për përqasjen e Rregullores se Kuvendit me atë të Parlamentit Europian. E rëndësishme, sipas bashkëkryetarit demokrat, Jemin Gjana, është që reforma të jetë e plotë, pavarësisht kohës që do të marrë ajo, pasi rregullorja aktuale, e miratuar në vitin 2004 është e standardit europian.
Gjana thotë se nuk ka ndryshime të theksuara në pikëpamjet e mazhorancës dhe opozitës, të paktën jo aq sa për të bllokuar kompletimin e kësaj reforme. Madje nuk ngjan e tillë më as zhvendosja e 60 minutave të diskutimeve të lira në fund të rendit të ditës, një hap që një vit më parë mazhoranca e ndërmori për të mos u bllokuar seancat nga opozita.
Nga ana tjetër, kryetari i komisionit për reformën parlamentare, Namik Dokle tha se problematikat e listuara janë reflektim i shqetësimeve të ngritura nga opinioni i Komisionit Europian në 2010-ën.
“Të gjitha propozimet që ka bërë PS janë ballafaquar me rregulloren e Parlamentit Europian. Natyrisht që do të jemi të hapur dhe sigurisht që do të ketë edhe propozime të tjera”, tha Dokle.
Deputeti socialist sqaron se për problematikat që nuk kanë ekuivalencë me rregulloren e PE-së, referencë do të jenë parlamentet e disa vendeve të BE-së.
“Ato probleme që s’gjejnë pasqyrim në Parlamentin Europian do të tentojmë tu referohemi modeleve të parlamenteve të vendeve të tjera. Na kanë sugjeruar modelin e parlamentit skocez, duke qenë se dhe ai është një parlament i ri si ne dhe mendohet se ka ngjashmëri dhe përafrohet me rregulloren tonë”, u shpreh ai.
Platforma do t’i prezantohet komisionit në mbledhjen e tij më të afërt për t’iu vënë më pas në dispozicion 3 institucioneve ndërkombëtare, të cilat do të japin asistencën e tyre për reformën e cila duhet të përfundojë para 4 prillit.
Përveç pikave të debatueshme, që lidhen me kërkesën e opozitës për t’u kthyer mbrapsht të gjitha ndryshimet që mazhoranca ka bërë në mënyrë të njëanshme, do të rishikohen dhe çështje të tjera që kanë të bëjnë në mënyrë të drejtpërdrejtë me punën e deputetëve dhe komisioneve parlamentare, kjo nga pikëpamja e mbështetjes me ekspertë dhe e financimit.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›