Zef Bushati: “Presidenti i ri, një person me integritet dhe që ka mbajtur poste drejtuese”
Zef Bushati, kreu i Aleancës Demokristiane
Aleatët e koalicionit të djathtë flasin për opsionet e para të zgjedhjes së Presidentit të ardhshëm të vendit, duke piketuar figura me integritet, por pa specifikuar emra konkretë. Për kreun e Aleancës Demokristiane Zef Bushati, kreu i ri i shtetit duhet të jetë një person që ka mbajtur poste drejtuese gjatë viteve të fundit. Për Bushatin, Jozefina Topalli është figurë potenciale konsensuale që mund të gëzojë mbështetjen e opozitës. “Presidenti duhet të propozohet nga mazhoranca, por të jetë konsensual. Sa i përket zonjës Topalli si kandidaturë mund të them që, pavarësisht pakënaqësive rreth mënyrës së drejtimit apo funksionimit të Parlamentit nuk ka akuza të cilat mund ta përfshijnë atë në afera korruptive”, u shpreh ai. Po nëse do të kërkojë kryeministri Berisha të jetë në krye të presidencës, a mund të flasim për emra në krye te kabinetit qeveritar deri në zgjedhjet e 2013-ës? “Do ishte një kryeministër pak tranzitor deri në zgjedhjet e ardhshme, më pas do të shihej mundësia për zgjedhjen e një kryeministri tjetër”,tha Bushati. Referuar bashkëpunimit politik me Partinë Demokratike, Bushati theksoi se Aleanca Demokristiane në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, do jetë pjesë e koalicionit të udhëhequr nga PD.
...