Përurimi i ambasadës kosovare, Topi nuk mori pjesë si pasojë e viroz
Presidenti Bamir Topi nuk mori pjesë në përurimin e ambasadës Kosovare në Tiranë, për shkak të një gjendjeje virale. Zyra e shtypit e Presidencës ka sqaruar kështu pamundësinë e pjesëmarrjes së Presidentit Topi në ceremoninë e përurimit të Ambasadës së Kosovës në Tiranë
“Në pamundësi për të marrë pjesë personalisht për shkak të një gjendjeje virale, Presidenti Topi ka komunikuar në telefon me të Ngarkuarin me Punë të Ambasadës së Kosovës, zotin Gani Veselaj, të cilin e ka uruar edhe njëherë për Festën e Pavarësisë së Kosovës, duke e falenderuar njëkohësisht edhe për ftesën. Të premten në mesditë, Presidenti Topi ka zhvilluar një bisedë telefonike me Presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga, së cilës i shprehu edhe njëherë urimet më të ngrohta për katërvjetorin e Pavarësisë së Kosovës",- thuhet në reagimin e Presidences.
Zyra e Presidencës sqaron më tej se kreu i shtetit ka qënë i përfaqësuar si në ceremoninë e përurimit të Ambasadës, ashtu edhe në pritjen në Hotel “Sheraton” nga këshilltarët e tij, të cilët i kanë përcjellë Kryeministrit Thaçi, Zëvendëskryeministrit Pacolli, Ministrit të Jashtëm Hoxha dhe përfaqësuesit diplomatik të Republikës së Kosovës urimet më të përzemërta në emër të Kreut të Shtetit shqiptar.