Luan Rama: Meta në qeveri, kontribut me rëndësi. PS do ishte e nderuar po të propozojë Nanon për president
Sekretari i Përgjithshëm i LSI, Luan Rama në një intervistë për gazetën “Shqiptarja.com” është shprehur se një përfshirje e Metës në qeverinë ‘Berisha’ do të ishte një kontribut, jo vetëm për LSI por dhe për qeverisjen e vendit. Ndërkohë ai është deklaruar pro ndryshimeve në kabinetin qeveritar, por pas analizave.
Kontributet e zotit Meta nuk janë të kushtëzuara domosdoshmërisht me praninë në qeveri, pasi duke qenë Kryetar i LSI-së ai është faktor i rëndësishëm qeverisës. E theksova edhe me lart që, LSI është në një proces riorganizimi dhe ridimensionimi tërësor, përbërëse e të cilit është dhe analiza e gjithë performancës tonë qeverisëse. Në konkluzion të kësaj analizë ne do të zhvillojmë edhe Konventën Kombëtare Zgjedhore, dhe i gjithë ky proces padyshim që drejtohet nga Kryetari i LSI. Personalisht mendoj se angazhimi i Ilir Metës në qeveri do të ishte padyshim një kontribut më shumë dhe madje i rëndësishëm për LSI dhe për vetë qeverinë. Ky është gjykimi im, po për të tilla vendime në kohën e duhur do të duhet të gjykojnë forumet drejtuese të LSI-së, tha Rama.
Në të njëjtën kohë, duke folur për kandidaturën e Fatos Nanos për President, numri dy i LSI tha se do të ishte në nderin e PS nëse ajo do ta propozonte për këtë post.
LSI respekton dhe vlerëson çdo kandidaturë që aspiron postin e Kryetarit të Shtetit, por qëndrimin e saj do ta shprehë pasi të kenë vendosur forumet e saj drejtuese, kur kandidatura të administrohet zyrtarisht në Kuvendin e Shqipërisë. Në vlerësimin tim, nëse PS do ta propozonte Fatos Nanon për postin e Presidentit, do t’i bënte nder Partisë Socialiste.