Përurohet aksi Mahmut Fortuzi, Basha: Së shpejti çdo rrugicë
Tiranë- Sot kanë përfunduar edhe punimet në rrugën Mahmut Fortuzi në Njësinë numër 9 në kryeqytet.
Gjatë inagurimit të kësaj rrugën, kreu i bashkisë Lulzim Basha tha se së shpejti, me punimet e rrugës Siri Kodra do të bëhet edhe rehabilitimi i disa rrugicave, siç është Vildan Luarasi, një rrugicë e cila lidhet edhe me këtë rrugë dhe po kështu çdo rrugicë dhe çdo shesh i ndodhur në këtë aks do i nënshtrohet një rikualifikimi të plotë urban, me asfaltim, trotuare, me ndriçim aty ku është dëmtuar apo nuk ekziston dhe me gjelbërim- u shpreh Basha.
Sipas tij, duke lënë njëherë e përgjithmonë pas konfliktin politik dhe duke vijuar përpara në bashkëpunimin me qeverinë, do të vijojnë investime të cilat do të përmirësojnë rrënjësisht jetën e banorëve të kryeqytetit.
Ne do të vazhdojmë punën, natyrisht duke zbatuar një aksiomë që është shumë e rëndësishme, që Bashkia e Tiranës të lërë përgjithmonë pas konfliktin politik dhe vetëm nëpërmjet bashkëpunimit të cilit duhet ti hapim derën dhe tia mbajnë të hapur edhe qytetarët me qëndrimet e tyre në javët e ardhshme, ti dedikohet e të vijojë ti dedikohet me punë, me fonde, me përkushtim halleve e problemeve, ti zgjidhë ato dhe të ecim përpara- theksoi Basha.
Ky është një investim prej 6 milionë lekësh në një rruge e cila lidh atë të Barrikadave me Unazën.
Përgjatë kësaj rruge është ndërtuar sistemi i kanalizimeve të ujërave të bardha, pastrimi i kanalizimeve të ujërave të zeza dhe lidhja e kanalizimeve të ujërave të zeza me disa pallate, pasi për shkak të amortizimit, banorët vuanin vazhdimisht nga shpërthimi i tyre nëpër rrugë. Përgjatë rrugës janë vendosur dhe 18 shtylla, që do të bëjnë ndriçimin e rrugës.