E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përurohet objekti administrativ i njësisë rajonale të ujësjellësit

Njësia rajonale në Shtime e Kompanisë së Ujësjellësit Regjionale “Prishtina”, që nga sot është bërë me objekt të ri administrativ, të cilin e përuruan së bashku përfaqësuesit e kësaj kompanie dhe përfaqësues të institucioneve komunale të Shtimes në këtë rast nënkryetari i Komunës z. Fatmir Rashiti dhe kryesuesi i Kuvendit Komunal të Shtimes z. Kujtim Xhelili. Të pranishëm në këtë ngjarje ishin edhe përfaqësues të institucioneve komunale të Shtimes, menaxherë të kompanive rajonale lokale dhe të qyteteve tjera.

Nënkryetari i Komunës së Shtimes z. Fatmir Rashiti, përshëndeti të pranishmit, ndërsa në vazhdim shtoi “Kam nderin dhe respektin që në emër të kryetarit të Komunës dhe institucioneve komunale të Shtimes t’ju përgëzoj dhe uroj, kompaninë e ujësjellësit “Prishtina”, e cila ka ndarë donacion për ndërtimin e këtij objekti administrativ, i cili është i nevojshëm për qytetarët e komunës së Shtimes. Ne të gjithë e dijmë që komuna e Shtimes dhe qytetarët e Kosovës prioritet për jetë e kanë ujin dhe ky objekt i ndërtuar nga kompania e ujësjellësit rajonal “Prishtina” në bashkëpunim me Komunën e Shtimes, e cila ka ndarë lokacionin për këtë qëllim është një objekt i rëndësishëm ku shërbimet do të jenë 24 orë pa ndërprerë ,për çka shpresojmë që edhe qytetarët do të jenë të kënaqur me punën tuaj dhe t’i përgjigjen obligimeve karshi juve. Është një përurim i rëndësishëm për komunën tonë. Me këtë rast lus qytetarët e Shtimes që të ruajnë ujin dhe ta përdorin për nevoja elementare edhe pse kemi rezerva, mirëpo një shfrytëzim racional i tij është i domosdoshëm. Shpresojmë që ky objekt të jetë shembull për të tjerët dhe që Shtimja në përvjetorin tjetër të Pavarësisë të përmbyllë kapitullin e ujësjellësit në tërë territorin e komunës së Shtimes, me menaxhimin e tij dhe funksionimin e tij”.

Të pranishëm në këtë takim ishte edhe z. Ramadan Sejdiu, drejtor i njësisë për monitorim të ndërmarrjeve publike, e cila vepron në kuadër të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, i cili falënderoi të gjithë donatorët në këtë rast Bankën Botërore dhe Komunën e Shtimes për bashkëpunimin “ Ky rast tregon se bashkëpunimi do të sjellë kushte më të mira për punëtorët dhe për qytetarët që t’i kryejnë më lehtë e më shpejtë obligimet” shtoi ai.

Bajram Jashari, drejtor i Bordit të Ujësjellësit “Prishtina” tha se komuna e Shtimes ka ndihmuar shumë e sidomos me ndarjen e vendit për ndërtimin e këtij objekti “Jam i lumtur që tani këtyre punëtorëve u janë krijuar kushte më të mira për punë. Uroj kompaninë që ka arritur me mjete vetanake të bëjë këtë investim meqë nuk është lehtë të bëhet një gjë e tillë. Është e rëndësishme kur njeriu bënë diçka me forcat dhe punën e vet. Shpresojmë që në të gjitha njësitë të bëjmë një gjë të tillë”.

Ali Ademaj, përgjegjës i njësisë së ujësjellësit rajonal në Shtimes tha se objekti ka sipërfaqe prej 320m2 i ndërtuar në sipërfaqe prej 6 ari. Në katin e parë janë gjithsej katër dhoma, njëra prej tyre që do të shërbejë si depo për material, ndërsa tri të tjera do të jenë dhoma punë. Në katin e dytë po ashtu janë tri dhoma (zyre) të cilat do të jenë në shërbim të punëve të përditshme. Vlera e këtij projekti sillet rreth 80 mijë eurove shtoi ai. Ky objekt gjendet në rrugën “Komandant Kumanova”, aksi rrugor Shtime-Ferizaj, përkatësisht në rrugicën e djathtë e cila dërgon tek Shkolla e Mesme e Lartë “Naim Frashëri”. Në këtë rrugë janë të vendosura edhe objekte tjera me rëndësi si objekti i regjistrimit civil, enti për punësim./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›