E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përvjetor i vakët për Teatrin Kombëtar

Shënohen 65 vjet nga krijimi i Teatrit Popullor. Ditën e sotme parashikohen disa aktivitete, të cilat mund të quhen të zakonshme. Programi nuk ofron ndonjë gjë të veçantë

Sot mbushen 65 vjet nga krijimi i Teatrit Kombëtar Shqiptar. Gëzuar ditëlindjen e sa më shumë shfaqje në vijim! Urimet janë më se të natyrshme në një përvjetor si ky i sotmi, për një institucion kaq të rëndësishëm siç është teatri. Në këtë kuadër, administrata e TK-së, përmes një njoftimi për shtyp, ka menduar se ditës së sotme nuk do t’i mungojnë veprimtaritë kushtuar 65-vjetorit. Nisin paradite. Ora 11:00 do të shënojë çeljen e një simpoziumi, që është parashikuar të zgjasë përreth 30 minuta. Më pas, drejtori i Teatrit Kombëtar, Kristaq Skrami, do të mbajë një fjalë përshëndetëse, ku do të urojë edhe mirëseardhjen për të pranishmit. Pas tij, do të jetë Kryeministri i Shqipërisë, z. Sali Berisha, ai që do të përshëndesë me rastin e 65-vjetorit të formimit të Teatrit Kombëtar. Një prej figurave më të rëndësishme të teatrit, regjisori e dramaturgu Mihallaq Luarasi, do të referojë mbi aktrimin dhe individualitetet artistike. Në program është parashikuar edhe fjala e kritikut Josif Papagjoni, i cili do të referojë mbi historikun 65-vjeçar të institucionit të Teatrit Kombëtar, e pas tij, kritiku i artit, Adriatik Kallulli, do të flasë mbi regjinë dhe skenografinë në dramaturgjinë kombëtare. Të gjitha këto janë parashikuar të ndodhin në 50 minuta. Në orën 11:50 do të nisë për të pranishmit një lexim artistik nga aktorë të Teatrit Kombëtar të tekstit të shfaqjes së parë “Topazi”, vënë në skenë në maj të vitit 1945. Do të vijojë në orën 12:05 shfaqja e filmit dokumentar mbi Historikun e Teatrit Kombëtar. Pas mesditës, është parashikuar edhe mbyllja e sesionit të paradites. Festimet do të vijojnë në orën 20:00 sërish me një përshëndetje të drejtorit të TK-së, Kristaq Skrami, për t’ia lënë vendit shfaqjes “Darka e Gabuar”, vënë në skenë nga regjisori Fatos Haxhiraj. Kaq vakët, përfundon gjithë sa është parashikuar për të festuar një ditë të rëndësishme si ky përvjetor i Teatrit, i cili duhet thënë se në të tillë mënyrë, i jepet rasti të festojë vetëm një herë në pesë vjet. Me këtë organizim në dukje i fjetur (se ka gjasa edhe të mos jetë kështu), me fjalë përshëndetëse, referime e ndonjë lexim artistik, shfaqja e një dokumentari dhe ajo e dramës “Darka e gabuar”, me këto elemente do të na jepet mundësia të përshkojmë 65 vite histori të Teatrit Kombëtar dhe të njihemi me yjet që e ngritën në këmbë atë. “Ky është në vija të përgjithshme programi që ne kemi hartuar për të festuar jubileun e institucionit, mirëpresim sugjerimet dhe rekomandimet tuaja”, mbyllet në këtë mënyrë njoftimi i dërguar nga zyra e shtypit e Teatrit Kombëtar, duke harruar se për sugjerime, kohë nuk ka mbetur shumë, pasi festimet nisin sot paradite. Ajo që bën përshtypje (ndoshta edhe gabojmë), ngjan sikur për këtë përvjetor, për të gjitha veprimtaritë që do të organizohen, është menduar vetëm në çastin e fundit, sikur të mos kishte pasur kohë plot për t’u organizuar. Pra një “gëzuar sa për të thënë e le ta mbyllim me kaq”... Megjithatë le të shpresojmë më të mirën dhe ja tek po ju servirim pak histori: godina e Teatrit është ndërtuar në vitin 1939 nga Italia fashiste. Funksioni i saj i parë ka qenë kinema, që më vonë u quajt Kinema Teatër Kosova. Përurimi dhe vënia e emrit Teatër Profesionist i Shtetit u bë më 24 maj të vitit 1945. Më vonë ky teatër u quajt Teatri Popullor, emër të cilin e mbajti deri në qershor të vitit 1991, kur u quajt si sot Teatri Kombëtar. Në Teatrin Kombëtar u shfaqën vepra me vlera të mëdha artistike e kombëtare, që u interpretuan me mjeshtëri të lartë skenike. Për spektatorët mbetën të paharruar emrat e dramaturgëve: Spiro çomora, Kol Jakova, Besim Levonja, Sulejman Pitarka, Dionis Bubani, Fadil Paçrami, Loni Papa, Teodor Laço, Fadil Kraja, Ruzhdi Pulaha, Dritëro Agolli etj. Po ashtu edhe regjisorët Sokrat Mio, Andon Pano, Pandi Stillu, Andrea Malo, Xhemal Broja, Zina Andri, Piro Mani, Esat Oktrova, Kujtim Spahivogli, Mihal Luarasi, Drita Agolli etj. E nuk mund të lihen pas emrat e aktorëve të mëdhenj si Kadri Roshi, Lazër Filipi, Gjon Karma, Mihal Popi, Prokop Mima, Naim Frashëri, Drita Pelinku, Besa Imami, Violeta Manushi, Tinka Kurti, Margarita Xhepa, Marie Logoreci, Sandër Prosi, Ndrek Luca, Sulejman Pitarka, Ilia Shyti, Luan Qerimi, Edi Luarasi, Roza Anagnosti, Antoneta Papapavli, Fatos e Drita Haxhiraj, Shkëlqim Basha, Pavlina Mani, Roland Trebicka, Anastas Kristofori, Ahmet Pasha, Agim Qirjaqi, Bujar Lako, Reshat Arbana, Robert Ndrenika, Yllka Mujo, Andon Qesari, Ndriçim Xhepa etj., etj.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›