Tumoret e paqena, qytetari, gati padinë në gjykatë
Qytetari tiranas, Ylli Sinani, ka lënë edhe disa ditë kohë për të marrë një përgjigje zyrtare nga klinika shëndetësore, që sipas tij e diagnostikoi gabim. Për dëmin e shkaktuar, të paktën për shpenzimet e vendosura në dispozicion nga familja dhe të afërmit e tij për analiza të tjera, 51-vjeçari kërkon rimbursim. Por jo vetëm kaq, sipas tij, nëse palët nuk do të bien dakord deri në fund të javës dhe nuk ka asnjë mundësi për marrëveshje “xhentilmenësh”, atëherë çështja e mjekimit të gabuar do të shkojë edhe më tej. Sipas Sinanit, qendra shëndetësore duhet të marrë masa për të kryer zhdëmtimin, sepse në të kundërt ai do ta dorëzojë të gjithë dokumentacionin, materialet, fletë-analizat e gjithçka tjetër pranë gjykatës, institucion ku do të firmosë padinë për kujdes të gabuar shëndetësor. Në këtë rast, qytetari ka sqaruar se padia nuk do të jetë në adresë të mjekut, por në adresë të klinikës, institucion që ka firmosur dhe ka vulosur zyrtarisht të gjitha ekzaminimet e kryera. Ndërkohë që rimbursimi për dëmin në proces gjyqësor do të jetë më i lartë se vlera aktuale e zhdëmtimit që ka kërkuar aktualisht qytetari i cili u diagnostikua me dy tumore, kur në fakt nuk kishte asnjë. Kjo u vërtetua nëpërmjet ekzaminimeve të kryera në dy klinika të tjera shëndetësore, në Shqipëri dhe Itali.
çështjaMë 10 maj të këtij viti, pacienti Sinani ka kërkuar zyrtarisht nga qendra shëndetësore të rimbursohej për shpenzimet e udhëtimeve, ekzaminimeve dhe gjithçka tjetër me vlerën 50 mijë euro. Ndërkohë që klinika private i ka kërkuar pacientit që përgjegjësinë për këtë ta kërkojë te mjeku, dhe e vetmja masë që është marrë nga institucioni privat është pezullimi i punës pranë laboratorit të anatomo-patologjisë. Për të tjerat, qendra shëndetësore disponon të gjitha licencat dhe certifikimin e nevojshëm nga organet kompetente të Ministrisë së Shëndetësisë. Ndërkohë që dhe mjeku zotëron licencën dhe plotëson të gjitha kriteret për të dhënë kujdes shëndetësor në bazë të dokumenteve të akorduara nga Ministria e Shëndetësisë dhe Urdhri i Mjekut.
Sakaq, në përgjigjen e vetme dhe zyrtare që qendra shëndetësore private i drejtonte pacientit, nuk flitej për rimbursim, për zhdëmtim apo pagesë të 50 mijë eurove, ashtu siç është kërkuar zyrtarisht nga qytetari tiranas. Ylli Sinani, për më shumë se tre muaj me radhë ka jetuar me brengën se do të vdiste, se ishte i prekur nga dy tumore, në ezofag dhe në stomak. Nëse ai nuk do të kishte vërtetuar se analizat e para rezultonin të gabuara, sot do t’i ishte nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale, nga e cila do të hiqej të paktën gjysma e stomakut, përveçse do të jetonte me frikë se nga momenti në moment tumori do të rishfaqej apo do të riprodhohej në forma të tjera më të agravuara.
Ekzaminim i gabuar“Jam paraqitur në qendrën diagnostike “Ikeda” në Tiranë, për një kontroll rutinë, për një eko abdominale. Pasi bëra këtë eko, m’u sugjerua të bëja një endoskopi, pasi shikonin një problem me stomakun. Gjatë kryerjes së kësaj analize m’u tha se duhet të merrnin masa për ekzaminim histologjik, të cilin e morën. Përgjigjja që m’u dha zyrtarisht ishte një masë kanceroze në stomak dhe ezofag”, tregon Ylli Sinani. Sipas tij, rastësia dhe fati deshi që me këmbënguljen e familjes ndërhyrja të shtyhej për të bërë edhe një herë analizat, në një qendër tjetër ekzaminimesh.
“Bëra edhe një herë firboskopi, biopsi, skaner, rezonancë, madje edhe ekzaminimin e masës që ishte marrë nga qendra. Përgjigjet e dyta pohonin se nuk ishte e vërtetë diagnoza e qendrës shëndetësore “Ikeda”. Pas kësaj përgjigjeje, në ankthin e pafund për jetën, një përgjigje negative dhe një pozitive, isha i detyruar të vazhdoja kaluarin e ekzaminimeve për jetën time.
Së bashku me të afërmit e mi që më shoqërorin u nisa dhe bëra të gjitha ekzaminimet nga e para në një qendër shëndetësore në Bolonja të Italisë. Analiza të përsëritura: fibroskopi e biopsi, skaner e rezonancë, kolonoskopi e gjak dhe përgjigjja ishte se nuk jam me tumor”, tregon 51-vjeçari Ylli Sinani.
Pacienti i cili rezultoi të kishte përgjigjet e një liste të gjatë ekzaminimesh në tri klinika, përkatësisht dy shqiptare dhe një italiane, sipas bilancit matematikor më në fund mblodhi mendjen për të besuar dy qendrat, nga ekzaminimet e të cilave thuhej se 51-vjeçari nuk kishte probleme tumorale.
#