E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përvjetori i 20-të, Meta: PS duhet të reflektojë ndaj bojkotit

TIRANË- Për kryetarin e LSI-së, Ilir Meta, 20-vjetori i themelimit të PS-së duhet të jetë një proces reflektimi, që kjo forcë politike të mos vijojë të bojkotojë traditat europiane të socialistëve shqiptare. “Përsa i takon 20-vjetorit të themelimit të Partisë Socialiste, ky ishte një moment i rëndësishëm për politikë shqiptare dhe pavarësisht nga diferenca midis PS-së që u krijua 20 vjet më parë e që kontribuoi për një dekadë e gjysmë në inkurajimin e proceseve demokratike dhe organizuese të Shqipërisë dhe PS-ja që shfaqte sot në një parti bllokuese të këtyre proceseve dhe tejet konfliktuale, unë përsëri mendoj që ka qenë një moment për të shprehur një mirënjohje për kontributin që kanë dhënë të gjithë ata të cilët ndikuan, jo vetëm në themelimin e kësaj force politike, por edhe në kontributet pozitive që ajo dha për të mirën e vendit...”, tha dje Meta, në një intervistë televizive. Meta tha gjithashtu se deklarata e Ramës se, nga vendimi i Kolegjit për Tiranën varen fatet e vendit nuk është gjë tjetër veçse shantazh ndaj drejtësisë. “Mendoj se shantazhe të tilla të rëndomta ndaj institucioneve dhe aq më tepër ndaj gjykatave, janë të papranueshme, aq më tepër kur bëhen nga një përfaqësues i një force politike të rëndësishme, sikurse është Partia Socialiste. Shantazheve të tipit, nëse nuk më lini Bashkinë e Tiranës do të bëhet qameti, mendoj se u ka ikur koha. Besoj se është e domosdoshme që gjykatat, dhe në rastin konkret edhe Kolegji, të vendosë bazuar mbi ligjin dhe jo mbi dëshirat apo mbi presionet e kandidatëve”, - tha ai. Duke u ndalur edhe te rezultati i LSI-së për zgjedhjet lokale, Meta tha se një proces i tillë do të shërbejë për tu përmirësuar në të ardhmen. “Besoj se 8 maji përbën edhe një bazë shumë të mirë për analizën tonë, se çfarë duhet të përmirësojmë më tej në të ardhmen, në mënyrë që rezultati i sfidës më të afërt, asaj të qershorit të vitit 2013 të jetë akoma dhe më i mirë për LSI-në”,- tha ai

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›