E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbi disa paqartësi të zijafetit të Edvinit

12-06-2011 / Nga Ilir Nikolla

Edi Rama ka thirrur sot një kategori sektare njerëzish për të kremtuar atë që ai e quan 20 vjetori i themelimit të Partisë Socialiste, por siç janë të gjitha gjasat, edhe për ta shndërruar zijafetin e tij në një manifestim politik të kërcënimit ndaj Kolegjit Zgjedhor. Me gjithë legjitimitetin që bart kremtimi i 20 vjetorit të partisë më të madhe të opozitës, një pasurie kombëtare, siç e ka quajtur në një moment sinqeriteti presidenti Berisha vite më përpara, e që sot e gjithë ditën mbetet si e tillë – një vlerësim i sinqertë i kundërshtarit politik të këtyre 20 viteve – ftesat sektare të Edi Ramës marrin kuptim po të analizojmë problematikat që ngërthen ky 12 qershor.
Së pari, s’lodhemi duke e përsëritur se 12 qershori i vitit 1991 ka qenë një stacion i rrugëtimit politik të social-komunistëve dhe jo një themelim i mirëfilltë i Partisë Socialiste.
Rreshtimi në linjën filo-sllave që më shumë se kurrë e përçon sot lidershipi i PS-së, është mbrujtur si lëvizje politike 8 nëntorin e 1941-it, me Enverin e Miladinin, prandaj edhe zijafeti i sotëm s’mund ta fshehë trashëgiminë që vjen në këtë 70 vjetor të sllavo-komunizmit. Ajo është ndërtuar me hile dhe me një trukim që s’e fsheh zezonën që po ngërthen çdo ditë për aspiratën e shqiptarëve ajo ngrehinë. E jo veç Ramiz Alia, por sot në zijafet duhet të jenë anëtarë të Komitetit Qendror të PPSH-së, fëmijë veteranësh të komiteteve të partisë, kuadrovikë të partisë e të ish-Sigurimit e të tjera segmente nomenklature, të cilat s’ka nevojë t’i numëroj, për të kuptuar se në kremtimin njëzeto-shtatëdhjetëvjeçar, ata e kanë vendin dhe i japin kuptim zijafetit. Pra, merret vesh se ata janë vula e zijafetit, dhe lista e ftesave ylberiste s’i jep dot as ngjyrë moderne e as evropiane këtij 12 qershori, që për shqiptarët s’verifikohet si ndonjë datë për t’u adhuruar. 
Kjo datë përpiqet të kremtojë një trashëgimi veç 20 vjeçare të pluralizmit, duke u përpjekur ta kondensojë këtë datë si një përvjetor modernizmi, por Edi Rama e ka ngushtuar edhe më tej konceptin, dhe sot ai përpiqet të mbledhë rreth vetes veç shokët e 6-vjetëshit të drejtimit të tij, shumica prej të cilëve, të farkëtuar në kthinat e bashkisë së Tiranës, për t’i mbushur mendjen vetes, atyre e botës, se veç ata “janë partia”. Janë veç ata, humbësit e 2005-s, humbësit e 2009-s, humbësit e disa raundeve të tjera të zgjedhjeve të pjesshme si dhe humbësit e fundit të 2011-s, janë sekti privat i humbësve majtistë, por rezultati elektoral është veç një prag i dytë, pasi pragu i parë ka qenë pengmarrja e së majtës... Dhe kush më mirë se zijafeti i sotëm e tregon suksesin që ka arritur Edi Rama. Ai po mbledh sot anëtarët e sektit që për 6 vjet ka vënë nën këmbë Partinë Socialiste dhe po përpiqet që zijafetin ta paraqesë si kremtim të përvjetorit të Partisë Socialiste.
Zijafeti ka doza të larta paciptësie, prandaj mizanskena që u krijua dje, duke shpikur një kronikë televizive që njoftonte se Fatos Nano s’ishte i mirëpritur në kremtim, edhe nëse atij mund t’i ketë shkuar gabimisht ndonjë ftesë për pjesëmarrje. Kjo arrogancë është shoqëruar edhe me mungesën e ftesës për Ilir Metën, çka i jep kremtimit të sotëm privat krejt notat e duhura, për ta klasifikuar zijafetin si një mbledhje sllavokomuniste, ku kremtohet suksesi në përpjekjet për të ndalur integrimin e vendit në BE. S’mund të lëmë pa kujtuar se se në 20 vitet e fundit, 9 vitet ku PS ka qenë në pushtet, janë vitet kur violinat e para të atij fronti politik kanë qenë Fatos Nano e Ilir Meta, janë vitet kur PS bëri përpjekje të vërteta për t’iu bashkuar përpjekjeve të klasës politike shqiptare për të kryer reforma e për të arritur standardet e duhura për integrimin. Kujtojmë këtu nisjen e negociatave për MSA-në nga Nano apo ngritjen e kartës “Adriatik 3” nga Ilir Meta, që të dyja nisma politike që e klasifikonin PS-në tek harta e forcave politike pro-perëndimore.
Por më pas vijnë 6 vitet e humbjeve socialiste, por edhe 6 vitet e përpjekjeve të Edi Ramës për ta larguar Shqipërinë nga treni i Europës. Provat janë në sytë e të gjithëve, prandaj edhe kremtimi i sotëm i 12 qershorit, është një rigjallërim i 1941-it e jo një rivotëbesim i 1991-it, është një itifak me linjën antiperëndimore të 1941, është një linçim i historisë së re me Nanon e me Metën, por për të mos prishur syrin e keq, është konservuar si një mumje politike Koçi Xoxe i fundit i së majtës. 

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›