E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përvojat e gjalla të manipulimit elektoral

Gurjan Doçi/Qytetar

-Ndërsa po afron 23 qershori, dita kur mbahen zgjedhjet parlamentare, akoma më shumë rritet edhe ankthi nëse zgjedhjet do jenë apo jo të rregullta. Ndaj rëndësi ka të dihen në këtë kuadër teknikat e manipulimit elektoral. Një nga teknikat më të përhapura është votimi i dyfishtë. Një person që është votues në Kukës, pasi voton atje, në mëngjes niset dhe voton në vendin ku është caktuar për të votuar për së dyti. Sigurisht, kjo bëhet në mënyrë të organizuar dhe nuk është vetëm me një person, por me mijëra të tillë. Ju do thoni se këtë herë nuk është e mundur pasi s’ka dublikime. Sistemi mund të eliminojë vetëm ato emra kur janë të njëjtë, por jo kur ndryshon atësia në lista. Është një sistem i tërë që ngrihet para zgjedhjeve e funksionon me direktiva të qarta. Një mënyrë tjetër është presioni me heqjen e vendit të punës. Kjo taktikë përdoret me të punësuarit e administratës. Dy muaj para zgjedhjeve administratës së shëndetësisë, arsimtarëve u kërkohet të plotësojnë një formular ku kërkohet numri i votuesve në familje si dhe qendra e votimit. Më pas të dhënat u shpërndahen përgjegjësve sipas qendrave ku janë të caktuar të jenë komisionerë dhe ata janë të kujdesshëm që ditën e zgjedhjeve të përcjellin kërcënimin e pushtetit te gjithsecili prej tyre. Një tjetër opsion i manipulimit të votës është edhe fotografimi i fletës me anë të aparatit celular. Po çfarë ndodh në zonat rurale? Një votë mund të shkojë nga 2000 lekë deri në 8000 të reja. Kjo është në varësi të forcës së bindjes së votuesit. Në kushtet e varfërisë ekstreme rrallë kush nuk tundohet. Pasi arrihet akordì, kryefamiljarit i kërkohet që të dorëzojë të gjithë kartat e identitetit të familjarëve që janë votues. Kjo bëhet në mënyrë që të mos i lihet asnjë rrugë e mundshme votimi. Kartat mbahen deri pasi të mbarojnë zgjedhjet e pastaj iu kthehen mbrapsht. Ka edhe metoda të tjera, por ajo që duhet kuptuar është se që të ketë ndryshim pushteti duhet që vota kundër pushtetit të jetë aq e madhe se të mbushë të çarat e votimit. A do të ndodhë kjo më 23 qershor?


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›