E Shtunë, 31 Tetor 2026

Akuza hamendëson opsione për rihetim të dosjes

17/09/2009  Pushimi i çështjes “Mediu”

TIRANE- Vendimi i Gjykatës së Lartë për pushimin e çështjes së ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, ka bërë që Prokuroria e Përgjithshme të shohë alternativa të tjera dhe hapësira ligjore në mënyrë që dosja penale të rikthehet përsëri në gjykim. Fakti që vendimi i gjykatës, nuk ka asnjë precedent apo praktikë gjyqësore, për prokurorët e kësaj çështjeje interpretohet vetëm në një mënyrë. Sipas tyre, tashmë çështja në ngarkim të ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu që akuzohet për “shpërdorim detyre” për tragjedinë e Gërdecit, mund të rihetohet dhe të dërgohet në gjykatë vetëm atëherë kur Parlamenti me një ligj të posaçëm të vendosë, heqjen e imunitetit të të gjithë deputetëve. Ky ligj i ëndërruar nga organi i akuzës, do i jepte mundësi kësaj të fundit që të rifillonte menjëherë hetimet ndaj Fatmir Mediut. Por për ekspertët kjo gjë mbetet vetëm një hipotezë, pasi tani për tani parlamenti shqiptar s’ka asnjë projekt për të hartuar një ligj të tillë. Ndërkohë hetuesit e çështjes i paraprijnë edhe një versioni tjetër, ku ata programojnë që dosja mund të riaktivizohet në një kohë kur Fatmir Mediut do t’i ketë mbaruar mandati i deputetit. Mirëpo disa prej hetuesve të kësaj çështjeje shprehen skeptikë, pasi një gjë të tillë organi i akuzës nuk e ka kryer për ish-deputetin Azgan Haklaj, i cili akuzohej nga prokuroria për “miting të paligjshëm”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›