E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vazhdimësia e Barcelonës

Pas lajmit për largimin e Pep Guardiolës nga posti i trajnerit të Barcelonës, shumëkush kishte sugjeruar se ky është fundi i një epoke te gjiganti katalan. Por, Guardiola thotë se gjithçka që arriti ai gjatë katër viteve në detyrë, do të vazhdoj njësoj me Tito Vilanovan.

Promovimi i asistentit Tito Vilanova në postin e kryetrajnerit të Barcelonës për sezonin e ardhshëm është shenjë e vazhdimësisë në vend të përfundimit të një epoke, tha Pep Guardiola pas triumfit 3-0 ndaj Athletic Bilbaos në finalen e Copa del Rey të premten mbrëma.

Guardiola e mbylli ashtu siç e nisi në Barcelonë me fitore në finale të Kupës ndaj Athletic Bilbaos, kurse siguroi trofeun e tij të 14-të nga 19 gara në të cilat mori pjesë prej kur u emërua trajner më 2008.

“Me rëndësi është se koncepti që kemi do të vazhdojë”, tha Guardiola në konferencë për shtyp pas ndeshjes në Calderon.

“Këta futbollistë do të jenë po aq konkurrues. Gjithçka do të vazhdojë njësoj. Mënyra e lojës tonë nuk filloi dhe nuk do të mbaroj me mua. Largohem me kokën lart dhe klubin në një pozitë ku gjithçka mund të vazhdojë së funksionuari në mënyrën siç ka bërë deri më tani”, shtoi ai.

Guardiola ka thënë se do të marrë kohë për pushim pas spekulimeve rreth interesimit në Angli dhe Itali nga Chelsea dhe Inter që thuhet se janë të gatshëm ta rikthejnë menjëherë në bankinë. Ai e përqafoi mikun e tij të afërt Vilanova pas përfundimit të takimit me Bilbaon që lehtësoi dhimbjet e humbjes së titujve në La Liga dhe Ligën e Kampionëve.

Tifozët e Barcelonës brohoritën emrin e Guardiolës gjatë pjesës së dytë kurse presidenti Sandro Rosell ka thënë se triumfi në Copa del Rey ishte përshëndetja më e mirë për 41 vjeçarin.

“Ai ka lënë një trashëgimi të cilën do ta vazhdojë Tito”, deklaroi Rosell për televizionin e Barcelonës. Ne nuk duhet harruar se Tito ka qenë pjesë e gjithë kësaj. Ai do të paraqitet njësoj mirë. Futbollistët janë të bashkuar dhe do ta përkrahin. Nuk e shoh përfundimin e një epoke, ata që e shohin kështu do të dëshmohen se e kanë gabim”, shtoi ai.

Mbrojtësi i Barcelonës, Gerard Pique festoi duke prerë një pjesë të rrjetës dhe e mbajti atë rreth qafës. “I mbajë pjesët e rrjetave nga të gjitha portat ku kemi fituar tituj. Kam një muze të vogël në shtëpi. Kemi kaluar një vit të mirë me katër tituj”, deklaroi ai duke iu referuar Superkupës së Spanjës, Superkupës së Evropës, Kampionatit botëror të klubeve dhe Copa del Rey.

“Një cikël përfundon por një derë e re hapet dhe ne jemi shumë entuziast”, u shpreh ai. Ndeshja e parë zyrtare e Vilanovas si trajner i Barcelonës do të jetë kundër rivalit të përbetuar, kampionit të La Ligas, Real Madrid në Superkupën e Spanjës në gusht, që do të shënojë fillimin e sezonit të ri në Spanjë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›