Verifikimi i dëmeve të përmbytjes, rrezikohen afatet e caktuara
Shkodër
Në një javë janë plotësuar formularët për një të tretën e subjekteve të prekura
Ndërsa ka kaluar një javë nga fillimi i punës në terren prej grupeve të ekspertëve për të verifikuar dëmet e shkaktuara nga përmbytjet e fillimit të vitit në zonën e Nënshkodrës, është bërë e mundur kontrolli i një të tretës së banesave të dëmtuara. Drejtues të Qarkut të Shkodrës shprehen se ritmet e verifikimit janë të kënaqshëm. Përmbytjet përfshinë rreth 2400 banesa me 1140 ha tokë në Qarkun e Shkodrës, ndërkohë që verifikimet janë menduar të mbyllen brenda dy javëve. Por ndonëse ka kaluar gjysma e afatit kohor të përcaktuar, më tepër se gjysma e banesave ende nuk janë verifikuar, duke vënë kështu në pikëpyetje respektimin e afateve kohore. Konkretisht janë verifikuar 795 objekte banimi, 638 subjekte bujqësore dhe 737 subjekte blegtorale. Pavarësisht se grupet e verifikimit po punojnë nga mëngjesi në mbrëmje, afati dyjavor i caktuar nga shtabi i emergjencave civile duket se do të duhet të shtyhet. Grupet e verifikimit e kanë të vështirë të verifikojnë të gjitha dëmet e shkaktuara për një javë. Nga ana tjetër, nuk kanë munguar pakënaqësitë nga familjet e prekura prej përmbytjeve. Problemet kryesore janë hasur te familjet që kanë riparuar dëmet përpara se grupet e verifikimit të nisnin inspektimin në terren, pasi evidentimi i dëmeve ka qenë i vështirë. Kështu, p.sh. nëse dikujt i është dëmtuar lavatriçja dhe pas përmbytjes e ka riparuar vetë, grupet e ekspertëve nuk e shënojnë si të dëmtuar, pasi është e vështirë të provohet nëse ka qenë realisht e dëmtuar. Ndërkohë, nga të dhënat e ofruara prej shtabit të emergjencave, rezulton se grupet e ekspertëve kanë punuar me ritme të kënaqshme në Bashkinë e Shkodrës dhe në Komunat Guri i Zi dhe Dajç, ndërsa në komunat e tjera ritmet kanë qenë tepër të ngadalta.
#