E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pesë hetues belg në Shqipëri për superhajdutin shqiptar

Një superhajdut shqiptar është kthyer në tmerrin e policisë belge. Prej disa vitesh Agim Shëngjoni nga Elbasani ka arritur të grabisë dhjetëra apartamente dhe vila luksozë në Bruksel, kryeqytetin e Belgjikës. Por një pakujdesi gjatë kthimit në Shqipëri, ku me postë i ka dërguar vetes dy pistoleta ka sjellë arrestimin e tij. Ndërkohë në Belgjikë vazhdonte hetimi i tij dhe së fundi është zbuluar se personi në fjalë i ka "importuar" sendet e grabitura në Shqipëri. Burime nga Prokuroria e Përgjithshme thanë dje se në vendin tonë kanë mbërritur pesë ekspert të policisë belge, ku kanë sjellë prova dhe gjurmë të Agim Shëngjinit, pasi dyshohet se ai është personi që ka kryer dhjetëra grabitje banesash. "Ekspertët belgë kanë sjellë prova të pakundërshtueshme se Shëngjoni ka kryer disa grabitje me dhunë" thanë burimet nga akuza. Sipas tyre, vjedhjet përveçse në Bruksel, janë kryer edhe në disa qytete të tjera ku janë grabitur DVD-video, DVD-kaseta, kompjuterë lap-topa, bizhuteri dhe para. Policia e Shtetit e shoqëruar nga prokurori i krimeve të rënda si dhe nga ekspertët belgë kanë sekuestruar në shtëpinë e Shëngjonit në Elbasan 8 kompjuterë lap-topa, tre DVD-video dhe rreth 50 DVD-kaseta. Nga të dhënat hetimore mësohet se Shëngjoni vepronte me emër të rremë në Belgjikë, ndërkohë që në vendet ku kanë ndodhur grabitjet kanë ngelur gjurmë gishtash dhe prova të tjera identifikuese.

Shëngjoni, në Gjykatën e Krimeve të Rënda, ka vendosur të mos e zgjasë shumë procesin ndaj tij për trafik pistoletash dhe në të njëjtën kohë kërkoi që të përfitojë uljen e dënimit që parashikon ligji, kur pranon veprën penale për të cilën akuzohesh. Gjykata e Krimeve të Rënda ka vendosur të pranojë kërkesën e Agim Shëngjonit për gjykim të shkurtuar. 31-vjeçari nga Elbasani akuzohet për veprën penale të "trafikimit të armëve e municioneve", parashikuar nga neni 278/a/1 i Kodit Penal. Sipas akuzës, Shëngjoni ka qenë për disa vite emigrant në disa vende të Evropës Perëndimore. Ai ka lëvizur në këto shtete pa dokumente ose me identitete të falsifikuara. Në 14 prill të këtij viti ka qenë në qytetin e Amersforit të Holandës. Që këtej ai paketon tri copë pistoleta, një thikë dhe një sasi prej 314 copë fishekësh dhe i dërgon ato me postë drejt Shqipërisë. Pakoja është nisur nën emrin e rremë Artur Deja, ndërsa adresa e mbërritjes ka qenë ajo e banesës së Shëngjonit në Elbasan. Vetë i pandehuri është nisur me makinën e tij për t‘u kthyer në Shqipëri, ndërsa në pikat kufitare ku ka kaluar, ka deklaruar se nuk kishte dokumente.

Tri ditë më pas pakoja e nisur nga Holanda mbërrin në Shqipëri dhe në zyrat e Doganës së Tiranës i nënshtrohet kontrollit me skaner, nga i cili zbulohen armët, dy pistoleta të tipit "Browing", një e tipit "Colt", një thikë dhe 314 copë fishekë. Dogana ka njoftuar policinë dhe Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Këto të dyja kanë organizuar operacionin për dorëzimin e kontrolluar të pakos në destinacion. Shëngjoni, i shoqëruar nga babai dhe vëllai i tij, është paraqitur në postën e Elbasanit për të tërhequr pakon, por pas marrjes së saj në dorëzim është vënë në pranga nga policia. Pas hetimeve paraprake rezultoi se babai dhe vëllai nuk ishin përfshirë në këtë veprimtari, ndaj dhe u liruan.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›