Pesë kandidatë në garë për Prokuror të Përgjithshëm

TIRANË, 4 gusht /ATSH/ Këshilli i Lartë i Prokurorisë njoftoi sot përfundimin e afatit të aplikimit për postin e Prokurorit të Përgjithshëm, ku në garë janë pesë kandidatë: Adnan Xholi, Arta Marku, Fatjona Memçaj, Rovena Zoto dhe Ylli Pjeternikaj.
Kandidatët do të paraqesin platformat e tyre përpara Këshillit të Lartë të Prokurorisë, i cili do të vlerësojë dhe rendisë tre kandidatët më të kualifikuar, bazuar në pikë.
Lista me tre emrat do t’i dërgohet Kuvendit, i cili duhet të zgjedhë Prokurorin e Përgjithshëm me 3/5 e votave të të gjithë deputetëve.
Në rast se Kuvendi nuk e zgjedh Prokurorin e Përgjithshëm brenda 30 ditëve nga paraqitja e kandidatëve, kandidati i renditur i pari nga KLP konsiderohet i emëruar automatikisht.
Procedura e parashikuar nga reforma në drejtësi synon të garantojë pavarësinë e Prokurorisë dhe të kufizojë ndikimin politik në procesin e zgjedhjes së Prokurorit të Përgjithshëm.
Gara për Prokuror të Përgjithshëm vjen pas përfundimit të mandatit 7-vjeçar të Olsian Çelës, i cili u zgjodh në këtë detyrë në dhjetor 2019 dhe e përfundon mandatin në dhjetor të këtij viti.
Prokurori i Përgjithshëm ka një mandat 7-vjeçar, pa të drejtë rikandidimi.
/gj.m/a.f/r.e/