E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pesë napolitanë nën magjinë e tangos argjentinase, në Akademinë e Arteve

Izaura Ndoj

Në kuadër të edicionit të 10-të të sezonit “Klasik” për publikun kryeqytetas do të vijnë tingujt argjentinase, nga pesë artistë të njohur napoletanë. Në datën 19 shkurt në Akademinë e Arteve, formacioni muzikor italian “Neofonia Ensemble” do të japë një koncert me muzikë argjentinase. “Neofonia Ensemble” është një grup muzikor i përbërë nga pesë muzikant napolitan i krijuar dhe drejtuar nga pianisti Gianni Mola. Grupi përbëhet nga fizarmonisti Pietro Bentivenga, violinisti Arturo Sica, në pianoforte Luan Gianni Mola, vibrafonit i bie Raffaele Ceraudo, ndërsa kontrabasit Camillo Chianese. Repertori i këtij grupi është i orientuar nga muzika bashkëkohore e Amerikës Latine dhe sidomos nga tangoja e argjentinasit Astor Piazzolla. Pjetër Guralumi një prej organizatorëve të sezonit të “Klasik” ka shprehur se ky koncert është në vijim të aktiviteti të këtij sezoni koncertor, ndërkohë që për Guralumin këta muzikantë janë një prej grupeve më të mira të ardhur deri më tani në këtë sezon koncertor. Grupi do të luaj nga Astor Pizzolla pjesët si Otono Porteno, Biyuya,Violentango Vuelvo al sur, Michelangelo '70, Oblivion, Chador, Adios nonino, Allegro tangabile Tango apasionado, Escualo dhe La Milonga del ngel. “Klasik” edhe më parë ka sjellë në Tiranë emra të njohur artistësh, të cilët kanë zhvilluar koncerte nga më të ndryshmet, duke sjellë para publikut vepra nga autorë të njohur botërorë. Ndërkohë që sezoni koncertor ndërkombëtar “Klasik” nisi me koncertin e kitaristit të njohur Thibault Cauvin, i cili solli magjinë e tingujve të kitarës në Tiranë. Në koncertin solo ai luajti për publikun pjesë të mrekullueshme nga repertori i tij dhe artistëve të tjerë, përfshirë këtu 2 sonata nga Domenico Scarlatti, Night and Day i Roland Dyens, Take the A train i Stayborn etj. Thibault Cauvin është padyshim një nga kitaristët më të talentuar të momentit. Me kitarën në dorë ai përshkon botën mbarë dhe merr pjesë në teatrot dhe festivalet më të mirënjohura dhe prestigjioze botërore. Cauvin 24 vjeçar numëron në repertorin e tij 600 koncerte në të gjithë kontinentet. Ai është i mirënjohur nga kritika artistike dhe një nga personazhet më të shpeshtë të emisioneve televizive. Ky kitarist shumë i talentuar dhe i ri në moshë, është i vetmi i cili ka fituar 13 çmime ndërkombëtare dhe që shquhet për ndërthurje perfekte të muzikës moderne dhe asaj klasike. E ndërkohë që në vijim të sezonit të “Klasik” para disa kohësh ishte kuarteti i harqeve Archimede, i cili hapi stinën koncertore në sallën e Akademisë së Arteve. Kuarteti i përbërë nga Enzo Ligresti e Corrado Genovese në violinë, Gaetano Adorno në violë dhe violonçelisti Benedetto Munzione interpretoi për publikun një repertor të zgjedhur të muzikës së dhomës. Me instrumentet e tyre, kuarteti solli nota dhe tinguj të kompozitorëve të njohur në tre shekuj, duke filluar me Haydn deri tek Shostakoviç. Sezoni i koncerteve Klasik është një vazhdimësi e sezonit “Allegreto Albania”. Ky sezon vjen në Shqipëri i menaxhuar nga Instituti Italian i Kulturës, në bashkëpunim me Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve si dhe disa ambasadave të shteteve të ndryshme në vendin tonë. Ndërkohë, një ndër synimet kryesore të organizatorëve të sezonit Klasik është dhe zgjerimi i hartës së artistëve pjesëmarrës. Stina koncertore e “Klasik” në vijim do të ofrojë për publikun e kryeqytetit si dhe të qendrave të mirënjohura të kulturës shqiptare, si Shkodra, Korça, Elbasani, Durrësi e Fieri një larmi jo vetëm të artistëve pjesëmarrës që do të vijnë nga Italia, Gjermania, Franca, Zvicra, Kroacia, Shqipëria e Holanda, por edhe të repertorëve që do të ekzekutohet për publikun shqiptar. Disa nga autorët më të mëdhenj klasikë Mozart, Schubert, Grieg, Haydn, Shostakovich, Cassado, Hirschler, Kunc, Bashkim Shehu (kompozitor kroat me origjinë kosovare), do të vijnë të interpretuara nga muzikantë europianë, përmes dy shoqatave kulturore shqiptare, Syri Blu dhe Miqtë e Muzikës, që drejtojnë sezonin koncertor “Klasik”.

9 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›