Dy dopio uiski, ngushëllim për zotin Fatos
Fiqiri Xibri
Nuk pata kënaqësinë që ta ndjek zotin Fatos në “Opinion-in”e Fevziut. Por, meqë zoti Fatos i kish ilustruar kujtimet e tij edhe me emrin tim, e gjeta të udhës të bëj këtë replikë modeste me zotin Fatos, argëtuesin më të fundit të shikuesve televizivë me anë të zhanrit simpatik të kujtimeve.
Shpresoj se shikuesi i vëmendshëm do të më falë edhe ndonjë pasaktësi të vockël të mundshme, pasi siç sqarova nuk e kam ndjekur vetë emisionin në fjalë, por do ti referohem stenografimit të bërë nga gazetarët e vëmendshëm të gazetës “Koha Jonë”, ku që në krye sqarohet lexuesi, se po zbardhet e plotë intervista me Nanon.
Sigurisht, duhet përshëndetur iniciativa e Fevziut dhe Fatosit për të risjellë në vëmendjen e opinionit kureshtar momente nga historia e pashkruar e asaj kohe, kur bëhej kthesa e madhe dhe ndarja me diktaturën, monizmin dhe komunizmin, kur jo vetëm me studentët, Partinë Demokratike dhe grushtin vigan të sindikalizmit, por me një rezonim spektakolar të shumicës dërrmuese të shqiptarëve, lindte e madhështohej lëvizja popullore antikomuniste.
Historia është histori. Ajo nuk është vetëm argëtuese, por edhe shumë e dobishme, pasi prej saj nxirren mësime. Prandaj, historia duhet trajtuar jo vetëm me respekt e nostalgji, por me realizëm, besnikëri dhe profesionalizëm. Mbi të gjitha me përgjegjësi morale.
Nuk dua të ndalem tek pasaktësitë kronologjike dhe nuk më intereson asfare të paragjykoj apo të kritikoj glorifikimin që i bënte pa u ndalur Fatosi protagonizmit të vet duke i dhënë aty-këtu ngjyra dhe përmasa dëshirore. Të qënurit pjesëmarrës, apo, aq më tepër, protagonist në zhvillime historike, sigurisht është një ndjenjë mjaft përkëdhelëse për sedrën e cilitdo. Është gjithashtu në natyrën e njeriut, që ta perceptojë ambientin dhe zhvillimet përreth duke konsideruar si qendër të të gjitha konvergimeve, pikërisht pikën nga ku vëzhgon, vepron e lëviz ai, pra veten e tij.
Është e drejta e cilitdo të komentojë ose interpretojë ngjarje e zhvillime në përputhje me këndvështrimin e vet; me nivelin e informacionit dhe intelektit që disponon, me synimet që ka dashur ose dëshiron të arrijë. Përkundrazi, nuk është e drejta e askujt t’i paraqesë ngjarjet ndryshe nga sa kanë ndodhur, të ndërfusë brendinë dhe kronologjinë e ngjarjeve tek njëra-tjetra, të bëjë hamendësime sesi mund të kenë qenë origjina dhe shkaqet e ngjarjeve; pastaj, këto hamendësime ti përpunojë e ti paraqesë si histori, paçka se kjo lloj historie përbën një shpifje për dinjitetin e aktorëve të tjerë të kohës dhe ngjarjeve.
Në këtë kontekst dua ti referohem intervistës së zotit Fatos vetëm përsa ka lidhje me ndërfutjen e emrit tim dhe rolit tim në kujtimet e veta historike.
Nuk më interesojnë aspak ilustrimet e tij fantaziste në lidhje me dopiot e uiskit që e paskam qerasur (?!), në Hotel Adriatiku në Durrës (?!), duke e përqafuar (?!), dhe duke ju justifikuar thuajse me përgjërim që të mos e merrte personale (?!), por sepse ashtu e paska dashur puna politike(?!).
Ajo, që duhet domosdo ti korrigjoj zotit Fatos është bindja e tij se "unë (Fiqiri Xibri) paskësha marrë detyrë për të rrëzuar qeverinë". Kjo bindje e tij provon fare qartë atë që thashë ca më lart në formën e përgjithshme, se tendenca për glorifikim të protagonizmit personal i bën shumë njerëz të shikojnë e gjykojnë botën e jashtme, duke u nisur vetëm nga një qendër; vetëm me një këndvështrimin dhe vetëm me kutin e tyre personal.
Që të marrësh detyrë do të thotë se dikush duhet të ta ngarkojë një detyrë.
Po cili do ma kishte dhënë këtë detyrë more zoti Fatos?! Ramiz Alia dhe Partia e Punës?! A do më jepnin mua detyrë këta që unë të rrëzoja qeverinë e tyre, duke rrezikuar kështu realizimin e kopjoskenarëve gorbaçovianë të Alisë për shndërrimin e "kllasës sunduese" të diktaturës së proletariatit në klasë sunduese të ekonomisë së tregut ? Edhe nëse do kishin vendosur vetëshkatërrimin, pse do ma ngarkonin mua atë punë, një elektricisti të thjeshtë, pa kurrnjëlloj lidhje, sado të vogël, me nomenklaturën e diktaturës, apo qoftë edhe me qoshkën më të skajshme të administratës shtetërore ?
Ndoshta zoti Fatos nënkupton se detyrën për të rrëzuar qeverinë (e tij!) e fundit komuniste mua ma kishte dhënë Sali Berisha dhe Partia Demokratike? Po, a nuk ishte dhe është akoma PD-ja gjysmagjeli i Partisë së Punës? Dhe a nuk e ilustroi më së miri këtë të vërtetë vetë Fatosi ynë duke treguar se sa mirë rezononin ai dhe Gramoz Pashko, i cili thjesht u shkëput nga emëruesi i përbashkët dhe doli djathtas.
A nuk i zbatuan Berisha me Pashkon e të tjerët në PD pikë për pikë skenarët e Ramizit? Tepër, vërtet tepër shpejt, Berisha dhe PD-ja provuan qartë se ata ishin po aq të interesuar sa edhe nomenklatura e vjetër, që mua dhe të tjerë shqiptarë të na pastronin sa më parë nga fusha e lojës për demokraci. Arsyeja ishte se ne ishim me origjinë nga rrugicat e lagjeve, ku futbolli luhej akoma me topa lecke dhe llastiku; nuk na kishin federuar në skenarët dhe listat e pushtetit që po ndërronte veshjet, kozmetikën dhe krushqitë për të luajtur, jo futboll, por kaladibrançe, sipas rregullores: “njëherë ta hipa dhe njëherë prapë ta hipa”.
Por ndoshta Zoti Fatos nënkupton se detyrën për të shembur qeverinë e kishim marrë si Sindikatë e Minatorëve ? Kuptohet po nga Berisha dhe PD. Kjo as nuk ka bazë logjike dhe as ka ndodhur kështu.
Sindikata lindi thjesht nga kërkesa natyrale për përmirësime ekonomike në nivel ndërmarrje e më gjerë, pasi kërkesat e tjera që i përkasin natyrës së sindikatës si, p.sh. kushtet e punës etj., ishin trajtuar me objektivitet, realizëm dhe rezultat nga Bashkimet Profesionale.
Ishte pikërisht natyra e qartë e kësaj prirjeje të sindikatës për kërkesa të pastra ekonomike ajo që krijoi efektin e progresionit gjeometrik me shpejtësinë e dritës në popullarizimin dhe fuqizimin e sindikatës.
Por z. Fatos nuk ka se si ti dijë këto gjëra, se sindikata nuk lindi për të rrëzuar qeverinë apo atë vetë, siç e ngatërron pa dashur memoria e tij, nuk lindi as tek PP-PS apo PD, as në kokën e Alisë, Nanos, Berishës apo të intelektualëve të tjerë që Alia mblodhi për konsultë diku nga vera e vitit 1990, që ti paraprinte kapitalizmit socialist. Tjetërlloj i thurën skenarët këta. Me pluripartizëm organizatash të masave, por pa sindikata.
Sindikata lindi nga dhe bashkë me kërkesat ekonomike, në zemrën e punëtorisë, në minierë. Gjatë grevës së Valiasit, në atë fillim Janari 1991 dhe u miratua nga Ministria e Drejtësisë, më 15 Shkurt 1991 Sindikata.
Zoti Fatos mund edhe të mos e dijë, se, që kur u dorëzua kërkesa për miratimin e sindikatës dhe deri sa u bë miratimi më 15 Shkurt, lumenj teoricienësh dhe eksponentësh të Partisë së Punës dhe Qeverisë, të Bashkimeve Profesionale, të Sigurimit dhe Ministrisë së Brendshme u derdhën në Valias për të bindur minatorët të mos shkëputeshin nga Bashkimet Profesionale. Mënyra se si u zhvillua greva dhe rezultatet e saj bënin të qartë për këdo efektin progresiv, prandaj edhe gjithë ata misionarë. Sepse sindikata nuk ishte programuar në skenarët e Alisë, Berishës e Nanos. Por, ajo u bë një realitet i rrezikshëm, kundër së cilës u bashkua e gjithë politika, me kuç e me maç.
Ishte kjo sindikatë, që në statutin dhe programin e saj merrte përsipër të ndihmonte në krijimin e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura. Ishte realizimi i kërkesave ekonomike të kësaj greve çelësi magjik që joshi popullin pa dallim bindjesh politike ti bashkohej lëvizjes gjigante sindikale që shpërtheu nën shembullin e Valiasit.
Është më se e vërtetë, që gjatë grevës së përgjithshme të maj-qershorit 1991, vëmendja e të gjithëve ishte përqendruar tek zemra dhe çelësi i kësaj greve, greva e urisë së minatorëve në galeritë e minierës Valias.
Kërkesat e grevës ishin tërësisht ekonomike, përveç kërkesës për të vrarët e Shkodrës. Nevoja për të fituar kohë, në pamundësinë reale për zgjidhjen e kërkesave, i bindi skenaristët që të pranonin përshpejtimin e një zgjidhje politike, pra krijimin e qeverisë teknike dhe zgjedhje të parakohshme.
Kjo zgjidhje politike u pompua si një fitore e grevës dhe u pranua si e tillë nga sindikatat nën trysninë e jashtme, nga PD-ja dhe nën trysninë e brendshme, të elementëve të politizuar apo të futur në sindikatë nga ish-Sigurimi i Shtetit.
Sipas meje, e vërteta është se rrëzimi i qeverisë më 6 qershor 1991 ishte një vetërrëzim taktik. Rrëzim real dhe me vlerë në kuptimin e asaj greve me karakter ekonomik, do të kishte qenë nëse do arrihej në një marrëveshje me sindikatat, në mënyrë që me apo pa rrëzimin e qeverisë; me qeveri teknike apo me qeverisje të PD, të bëhej një kompromis mbi reformat ekonomike, mbi kohëzgjatjen dhe masën e ndikimit të tyre në nivelin ekonomik të popullsisë.
Për hir të së vërtetës, duhet doemos të them se asnjëra nga partitë nuk kish akoma as program e as ide të qartë mbi mënyrën se si do bëheshin reformat dhe mbi cilat kolona kalimtare do mbaheshin. Aq më pak, mund të flitej për ide apo programe të tilla tek sindikatat, pavarësisht frymëzimeve idiote midis disa kokëtharëve në sindikatë, që arritën deri në tezat anarkiste të marrjes së pushtetit politik nga sindikatat.
As atëherë, sindikata e minatorëve nuk kishte qëllim në vetvete të rrëzonte Fatosin nga qeveria, e as sot që të rrëzojë Saliun. Ashtu si Fatosi dje, edhe Saliu sot po shkojnë drejt vetëshkatërrimit, ku, ndoshta, goditjen e nokautit do ta ketë përsëri nga ne minatorët...
Dhe, dikur pastaj do dalë edhe Saliu i plakur tek opinioni i Fevzos dhe do të thotë se minatorët kishin marrë detyrë për ta rrëzuar atë. Do tregojë edhe se unë e gjej tek” Sheratoni” me Sherefedinin, u çoj nga një dopio xhin per ngushëllim dhe iu them të mos ma marrin si personale, pasi ashtu e donte puna politike…
Autori i shkrimit është drejtuesi i lëvizjes sindikaliste të minatorëve të Valiasit në vitin 1990-1991
9 Shkurt 2010