Flet mjekja: Ndryshimi i temperaturës brenda ditës, ndikon negativisht te alergjikët
Flet mjekja: Ndryshimi i temperaturës brenda ditës, ndikon negativisht te alergjikët
Eljona Lata
Luhatja e temperaturës në ditët e fundit por edhe ajri i ndotur i kryeqytetit, ndikon negativisht te personat që vuajnë nga alergjitë. Sipas mjekes Etleva Qirko, ndryshimi i temperaturës brenda ditës ndikon drejtpërdrejtë te personat astmatikë. Specialistët thonë, se gjatë stinës së dimrit, të sëmurët me astmë ndikohen shumë nga infeksionet virale (rrufa, gripi, farengiti), ajri i ftohtë, ajri i ndotur, tymi i duhanit, ilaçet (aspirinë dhe ilaçet e reumatizmës), boja, verniqet, aroma e parfumit dhe stresi. Mjekët shprehen se personat alergjikë rëndohen më shumë vetëm duke thithur ajër të ndotur dhe si rezultat i kësaj dalin në pah kolla, vështirësia në frymëmarrje dhe krizat astmatike.
Pacientët
Sëmundjet kronike të mushkërive dhe të rrugëve të frymëmarrjes hasen më tepër në stinën e dimrit, ku edhe temperaturat janë të ulëta. “Për këtë arsye, gjendja shëndetësore e personave që vuajnë nga sëmundje kronike të mushkërive në dimër mund të përkeqësohet. Sipas mjekëve, personat që vuajnë nga sëmundje kronike të mushkërive, nëse nuk tregohen të kujdesshëm, nuk mund të kalojnë një dimër pa probleme” shpjegon mjekja Etleva Qirko. Arsyet që nxitin këto sëmundje është ndjeshmëria e lartë e organizmit të tyre ndaj luhatjeve të temperaturave të mjedisit dhe niveli i lartë i ndotjes së tij. Pakujdesi të vogla në dukje mund të çojnë në rëndim të gjendjes së pacientit. Sëmundjet e mushkërive (bronkitet, sëmundja e ngushtimit të bronkeve etj) janë karakteristikë për moshat e mëdha dhe për shkak të uljes së rezistencës së organizmit të tyre në përgjithësi, këto mosha janë të ndjeshme ndaj luhatjeve të temperaturave të mjedisit dhe nivelit të lartë të ndotjes së tij. Temperaturat e ulëta, ndryshimet atmosferike, ndotja e mjedisit janë faktorë risku për keqësimin e sëmundjes, duke përfshirë këtu dhe pirjen e duhanit, praninë e sëmundjeve të zemrës, hipertensionit dhe diabetit.
Simptomat
Sipas mjekëve, me keqësimin e gjendjes kolla shpeshtohet, bëhet më e fortë dhe shoqërohet me shtim të sasisë së gëlbazës, e cila trashet dhe nxirret me vështirësi. Marrja e frymës rëndohet, frymëmarrja bëhet e sipërfaqshme dhe shpeshtohet, duke u shoqëruar me interesim të muskujve të kraharorit. Mjekët pneumologët thuan së kjo është arsyeja që shpesh pacientët ankohen edhe për dhimbje gjoksi e shpatullash. Të sëmurët janë në ankth, kanë ndjenjën sikur po mbyten. Në fytyrë sidomos në buzë, shfaqet mavijosja që vjen si pasojë e anomalisë së shkëmbimit të gazrave, me pakësim të oksigjenit në gjak dhe shtim të gazit karbonik. Si pasojë e ajrimit të ulur, të sëmurët janë të lodhur, të përgjumur, ankohen për dhimbje koke, por herë-herë janë të shqetësuar dhe shfaqin turbullime të vetëdijes. Komplikacionet janë të ndryshme, që nga bronkopneumonia, prekje të zemrës, apo enëve të gjakut, etj. Bronkopneumonitë ndodhin si pasojë e humbjes së elasticitetit të muskujve të bronkeve për shkak të vetë moshës dhe mbylljes së bronkeve si pasojë e grumbullimit të gëlbazës në to, duke favorizuar infeksionin. Po ashtu nga shkëmbimi i keq i gazeve preket edhe sistemi i qarkullimit të gjakut, duke shtuar ngarkesën e ventrikulit të djathtë dhe duke dëmtuar muret e vazave. Këta të sëmurë duhet të kërkojnë menjëherë ndihmë nga mjeku i familjes, ose nga mjeku pneumolog, ku ata kontrollohen periodikisht, sepse sa më shpejt të ndërhyhet, aq më shpejt do të dalin nga gjendja e rënduar. Kur pengesa e frymëmarrjes shpeshtohet, kolla bëhet më e fortë dhe sasia e gëlbazës është e shtuar, duhet filluar trajtimi me antibiotikë për 5-7 ditë, që do të ndihmojë për të luftuar infeksionin. Duhet rritur dhe shpeshtuar doza e preparateve bronkodilatator, që ndihmojnë në zgjerimin e bronkeve dhe lehtësojnë frymëmarrjen, qoftë këto të marra nga goja ose me spray (pompa). Po ashtu Aerosoli për pak ditë ose dhënia e oksigjenit herë pas here, do ta lehtësonte gjendjen.
Si t’i ruhemi këtyre sëmundjeve
Mjekët këshillojnë marrjen e lëngjeve për të shtuar sasinë e gjakut qarkullues, që mund të ketë pasojë uljen e tensionit arterial. Të shmangen daljet dhe qëndrimet në diell duke preferuar shëtitjet në orët e para të mëngjesit, të shoqëruara me ushtrime të lehta gjimnastikore, sidomos të kraharorit. Të ndalohet përdorimi i duhanit dhe qëndrimi në ambiente të mbyllura, ku pihet duhan. Po ashtu rekomandohet një meny e pasur me vitamina, me shumë kalori dhe që të përmbajë ushqime që treten lehtë. Për këtë kontingjent të sëmurësh këshillohet pushim për disa ditë në klimë malore, për shkak të gjelbërimit, ajrit më të pastër dhe temperaturave të mjedisit, që janë më të ulëta. Këtyre personave u rekomandohet të shëtisin një orë në mëngjes herët dhe në darkë vonë. Këta pacientë duhet të tregohen të kujdesshëm ndaj qëndrimit nën ventilatorë, kondicioner, përdorimin e pijeve të ftohta dhe shmangien nga korrentet e ajrit.
Abuzimi me faturat, ndëshkohet farmacisti në QSUT
Drejtoria e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” ka pushuar nga puna dje ndihmës-farmacisti i shërbimit Onkologjik, Hysni Bajramin. Sipas njoftimit zyrtar nga QSUT-ja, kjo masë e menjëhershme administrative është marrë për disa arsye. Pretendohet se ndihmës farmacisti ka bërë korrigjime të faturave mjekësore të barnave me vlera të konsiderueshme lekësh. Nuk ka aplikuar te pacientët sasinë e mjaftueshme të medikamenteve si dhe i mungonte arsimi përkatës për të qenë një nga punonjësit në një spital të nivelit terciar siç është dhe QSUT. Më tej në njoftim shpjegohet se ky vendim i marrë nga drejtoria e QSUT-së mbështetet edhe në një sërë dokumentesh të tjera të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Ky i fundit ka vendosur një gjobë prej disa milion lekësh për shkak të parregullsive në farmacinë ku ai punonte. Ndërkaq, Drejtoria e QSUT-së njofton se do të ketë të tjera kontrolle dhe inspektime edhe në punën e mjekëve, infermierëve dhe të gjithë personelit shëndetësor dhe administratës. Për këdo që do të konstatohen shkelje me detyrën, masa administrative do të jetë e menjëhershme konform ligjeve në fuqi.
9 Shkurt 2010