Minatorët, ultimatum Berishës: “Mirato Statusin, ose do ta kthejmë Tiranën në Çikago”
Minatorët i bëjnë ultimatum kryeministrit të vendit, që të miratojë Statusin e tyre, pasi në të kundërt, protestat e tyre do ta shndërrojnë kryeqytetin në Çikago. Kjo deklaratë është bërë dje nga kryetari i Sindikatës së Minatorëve, Fiqiri Xibri, sipas të cilit, e vetmja mundësi për zgjidhjen e kërkesave të kësaj kategorie është firmosja e Statusit nga kreu i qeverisë, Sali Berisha. Kështu, megjithëse ligji për moshën e pensionit për këtë kategori tashmë ka marrë miratimin e qeverisë dhe Kuvendit, përfaqësuesit e Sindikatës së Minatorëve vazhdojnë të këmbëngulin për miratimin e Statusit të Minatorit, i cili do të zgjidhte përfundimisht kërkesat ekonomike të punonjësve të nëntokës për pension deri në moshën 50 vjeç me 10 vite pune, me një shumë prej 20 mijë lekë.
Deklarata
Përveç përshkallëzimit të veprimeve ndaj qeverisë për Statusin, Fiqiri Xibri ka bërë të ditur edhe deri ku kanë mbërritur orvatjet e minatorëve, drejtuar institucioneve përkatëse për problemin e tyre. “Nga bisedimet që kemi bërë menjëherë pas ardhjes në detyrë të Dritan Priftit, si ministër i Energjetikës, na është thënë se kërkesa jonë për Statusin është e drejtë, por për miratimin e tij duhet ngritur një grup pune ndërministror, me qëllim diskutimin e draftit që kemi hartuar. Kompetencat për këtë i ka vetëm kryeministri Berisha. Ndaj ne e kemi pasur të qartë në protestat tona kur i kemi kërkuar Berishës që të na dëgjojë për kërkesat tona”,- thotë kryetari i Sindikatës së Minatorëve, Fiqiri Xibri.
Kërkesa
Gjatë dy viteve të fundit, minatorët kanë kërkuar vazhdimisht tryezë bisedimi me qeverinë për Statusin e Minatorit. Por ata thonë se përveç premtimeve, asnjë hap nuk është bërë në këtë drejtim. Për këtë arsye, kreu i minatorëve, thotë se e vetmja shpresë mbetet firmosja nga kryeministri i draftit të kërkesave për Statusin. “Gjatë takimit me ministrin e Shtetit, Genc Pollo, na u tha se do të kishim një përgjigje nga kryeministri, por ne na është mbyllur dera prej tij. Ne presim të mbledhim nesër Këshillin Kombëtar të Sindikatës dhe paraprakisht kemi vendosur që t’i kërkojmë kryeministrit Berisha të firmosë direkt Statusin e Minatorit, pasi s’mund të presim asnjë afat kohor në lidhje me këtë çështje”,- ka deklaruar Xibri. Ndërkaq, minatorët janë të përgatitur dhe për refuzimin e kësaj kërkese nga kryeministri. Ata deklarojnë se në një rast të tillë do të ekstremizojnë protestat, duke aluduar për “kthimin e Tiranës në një Çikago brenda Europës moderne”, referuar trazirave sindikale të kohëve më parë në SHBA.
9 Shkurt 2010