E Diel, 1 Nëntor 2026

Memorandumi, UT firmos bashkëpunimin me Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë

Jonida Tashi

Hapet një rrugë institucionale punësimi për studentët e Universitetit të Tiranës. Bëhet fjalë për memorandumin e bashkëpunimit që Universiteti i Tiranës ka nënshkruar dje me Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë. Memorandumi u nënshkrua nga rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule dhe nga kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka. Kjo marrëveshje parashikon bashkëpunim mes dy institucioneve në ndihmesën e biznesit shqiptar, që gjendet i grupuar në Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë (DHTI), si edhe të studentëve e pedagogëve të UT-së. Gjatë fjalës së tij, rektori i Universitetit të Tiranës, theksoi, veç të tjerash se ky memorandum është një shtysë cilësore që i bëhet kapaciteteve të UT-së.
Përfitimet
“Universiteti i Tiranës me të gjitha kapacitetet e tij, qoftë në studentë, pedagogë, apo kërkim shkencorë, do të bashkëpunojë me Dhomën e Tregtisë në ofrimin e studentëve më të mirë, tashmë jo vetëm për stazh. Ky memorandum i shërben në radhë të parë studentëve dhe pedagogëve të Universitetit, sikurse edhe bizneseve që janë të grupuara në Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë”,- deklaroi Kule. Kurse, kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka, pasi falënderoi rektorin Kule për gatishmërinë e shprehur për realizimin e kësaj marrëveshjeje, u zotua se bizneset që janë pjesë e DHTI-së, jo vetëm do të ndihmojnë, por do të orientojnë e do të ofrojnë bursa për studentët e talentuar deri në përfundim të studimeve të tyre, duke iu siguruar edhe një vend pune pas diplomimit. Memorandumi i bashkëpunimit është i pari që nënshkruhet mes dy institucioneve dhe ka si bazë shkëmbimin e informacionit, ndihmesën e biznesit, rritjen e kërkimit shkencor dhe evidentimin e studentëve më të talentuar, me qëllim shërbimin e dyanshëm për të dy institucionet.
Memorandumi
Memorandumi ka si qëllim vendosjen e raporteve të bashkëpunimit në drejtim të shkëmbimit të informacionit, organizimit të aktiviteteve të përbashkëta ballafaques e promovues si dhe shkëmbimit të rregullt të informacioneve reciproke për të gjitha fushat që kanë lidhje me veprimtarinë dhe interesat e këtyre organizmave. Gjithashtu, ky memorandum ka si qëllim sigurimin e informacionit dhe ofrimin e kandidaturave të mundshme të burimeve njerëzore që përgatit Universiteti i Tiranës, për të plotësuar nevojat e biznesit shqiptar. Qëllimi i memorandumit ka të bëjë me rritjen e interesit të grupeve të biznesit për burime njerëzore të mirëkualiufikuara, të afta që në stadin aktual të zhvillimit t’i përgjigjen niveleve të larta të teknologjisë dhe menaxhimit, me synimin që bashkërisht të përballohen sfidat e postkrizës botërore e në vazhdim, si dhe për të vendosur ura bashkëpunimi të përhershme në marrëdhëniet universitet–biznes.

Memorandumi, procedurat e bashkëpunimit universitet-biznes

Palët bien dakord që, për arritjen e bashkëpunimit, të zbatojnë rregullat procedurale të vendosura në këtë memorandum.
Palët bien dakord të shkëmbejnë çdo informacion që nuk është i kufizuar dhe që i shërben ushtrimit të funksionit të tyre, si dhe arritjes së qëllimit e të objektit të memorandumit.
Palët bien dakord të organizojnë pothuajse në mënyrë të rregullt takime institucionale për probleme me interes reciprok të organizmave që përfaqësojnë.
Palët bien dakord që për probleme të rëndësishme, me karakter më të përgjithshëm të organizojnë ballafaqime, tavolina të rrumbullakëta dhe shkëmbime eksperience për fusha të ndryshme që trajtohen nga Universiteti i Tiranës.
Palët bien dakord që të shkëmbejnë informacione mbi studime apo vlerësime të ndryshme të situatës ekonomike në momente të caktuara, të shpërndarjes gjeografike apo fizike të sektorëve të ndryshëm të ekonomisë, për trendin e zhvillimit të sektorëve të ndryshëm të ekonomisë, si dhe për prioritetet dhe efektivitetin e industrive të ndryshme në vend, të cilat mund të realizohen veç e veç ose në bashkëpunim universitet-biznes, për t’i bërë ato të njohura dhe të efektshme për një konsumator më të gjerë se grupimi përkatës.
Palët bien dakord që në faqet e tyre të internetit të krijojnë një dritare ku të sigurohet informacion i plotë dhe i thjeshtë për t’u kërkuar, për kandidaturat e mundshme që ofrohen nga Universiteti për nevojat e biznesit si dhe nevojat e biznesit për burime të kualifikuara njerëzore.
Palët bien dakord që të krijojnë mundësi bashkëpunimi në fushën kërkimore shkencore në interes të biznesit, duke mobilizuar resurset shkencore të Universitetit të Tiranës dhe të vetë Dhomës.

9 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›