E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dushan Fitzel: “Ndeshja, e barabartë”



Mediat malteze u shprehën me superlativa për pikën e marrë me Shqipërinë, ndërkohë që ato shqiptare ishin shumë kritike me dy pikët e lëna në ishull pas barazimit befasues pa gola me Maltën.
“Duke marrë në konsideratë faktin se Malta kishte dështuar të fitonte një pikë në katër ndeshjet e para, - shkruante gazeta më e madhe malteze “Times of Malta”, - ky barazim duhet parë si një kënaqësi, pavarësisht se ekipi (maltez) mund të merrte tri pikët e shënonte golin e tij të parë, kur Terenc Skeri nuk ia doli të shfrytëzonte mundësinë e jashtëzakonshme pak pas fillimit të pjesës së dytë”. Trajneri i Maltës, Dushan Fitzel, u shpreh pas barazimit fatlum: “Unë mendoj se ndeshja ishte më shumë taktike, veçanërisht në pjesën e parë. U desh pak kohë sa ekipi të përshtatej me modulin e ri taktik, teksa Shqipëria ishte më efektive kur ajo nisi të qarkullonte më mirë topin në mesfushë.
Por, në pjesën e dytë ne u përmirësuam në mënyrë të dukshme dhe unë jam veçanërisht i lumtur që luajtëm aq mirë dhe nuk pësuam gol. Ne kishim disa shanse të mira dhe mendoj se do të shënonim të paktën një gol, por duke e parë në përgjithësi takimin, ishte një ndeshje e barabartë”.
Sipas vlerësimeve të “Times of Malta”, lojtari më i mirë maltez ishte mesfushori Kohen, i vlerësuar me notën 7.5, ndërkohë që Skeri u vlerësua me notën më të dobët 5.5.

Han: “Rezultat logjik”

Trajneri i Shqipërisë, Ari Han, citohet nga gazeta malteze. “Kjo ndeshje na jepte ne mundësinë për të qenë në krye të grupit, kështu që ne kishim shumë pengesa këtu. Na u desh pak kohë që ekipi të përmirësohej në pjesën e parë. Megjithatë, gjithçka eci në mënyrë të gabuar pas pushimit. Kishte shumë pasime të çuditshme nga ana e ekipit tonë dhe ne u dhamë shumë hapësirë kundërshtarëve, duke i ftuar maltezët të na sulmonin. Barazimi 0-0 ishte një rezultat logjik në fund të takimit”.

Grupi 1
Skuadra ND F B H G+ G- P
Danimarka 3 2 1 0 6 2 7
Hungaria 4 2 1 1 4 2 7
Shqipëria 5 1 3 1 3 2 6
Portugalia 4 1 2 1 6 3 5
Suedia 3 1 2 0 2 1 5
Malta 5 0 1 4 0 11 1

13 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›