Pesë policë të plagosur gjatë protestës së djeshme, nisin hetimet për rastin e 28-vjeçarit të dëmtuar në sy

TIRANË, 25 tetor/ATSH/ Policia e Shtetit reagoi sot pas protestave të dhunshme të një dite më parë, ku u plagosën 5 punonjës policie, ndërsa një protestues 28-vjeçar pësoi dëmtime në sy.
Përmes një njoftimi për shtyp, Policia thekson se gjatë protestës, e cila zgjati deri në orët e mbrëmjes së djeshme dhe u shtri në disa pjesë të kryeqytetit, punonjësit e Policisë së Shtetit u sulmuan për orë të gjata me gurë, vida e sfera metalike, shkopinj druri e metalikë, lëndë piroteknike, bomba molotov dhe bombola gazi të lidhura me kapsolla, duke rrezikuar jetën e punonjësve të Policisë.
Si pasojë e sulmeve të personave të maskuar dhe të dhunshëm, 5 punonjës policie u plagosën.
Lidhur me incidentin gjatë të cilit 28-vjeçari E. V. pësoi dëmtim në sy, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit urdhëroi nisjen e menjëhershme të veprimeve përkatëse nga Drejtoria e Standardeve Profesionale, për hetimin e plotë dhe të paanshëm të rrethanave të ngjarjes.
Po në lidhje me këtë rast, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore dhe Prokuroria kanë nisur hetimet për zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të rastit.
Policia e Shtetit shpreh keqardhjen për lëndimin e të riut gjatë protestës dhe i uron atij shërim sa më të shpejtë, ashtu si të gjithë qytetarëve, gazetarëve dhe punonjësve të Policisë që janë lënduar gjatë protestave në Tiranë.
Ndërkohë, pas publikimit në media të një rasti ku një punonjës policie shfaqet në tejkalim të detyrës dhe mosrespektim të parimit të proporcionalitetit, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit pezulloi nga detyra punonjësin e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, inspektor A. K., dhe ndaj tij Drejtoria e Standardeve Profesionale ka nisur hetimin administrativ.
Mbrojtja e jetës, shëndetit dhe sigurisë së çdo qytetari është një detyrim parësor i Policisë së Shtetit dhe do të hetohet me paanshmëri e profesionalizëm çdo rast i dyshuar për tejkalim të detyrës.
Po ashtu Policia deklaron se respektimi i ligjit, proporcionaliteti në përdorimin e forcës dhe përgjegjësia individuale janë parime të panegociueshme në ushtrimin e detyrës policore.
Policia e Shtetit shprehet se mbetet e vendosur të mos tolerojë asnjë veprim që bie ndesh me ligjin, me të drejtat e qytetarëve dhe me standardet profesionale që duhet të udhëheqin punën e çdo punonjësi të saj.
/m.m/j.p/