E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pesë unaza në Tiranë

 Në këtë takim ishte edhe kryebashkiaku, Lulzim Basha, i cili theksoi se do të ketë konsultime me qytetarët për planet e tjera. 

Në prezantimin e sugjerimit të bërë nga grupi teknik i hartimit të Planit Rregullues Tirana parashikohet të ketë 5 unaza, 2 prej të cilave do të jenë tërësisht të reja. "Ramë dakord të orientojmë grupin teknik të ekspelorojnë detaje 5 unazat e kryeqytetit, në sens orar dhe anti-orar alternative, si arteriet kryesore infrastrukturor të Tiranës metropolitan për  30 vitet e ardhshme. Njëkohësisht të eksplorohet deri në fund edhe sistemi hierarkik i rrugëve sipas drejtimeve të horizontit , në veçanti aksi very-jug por edhe lindje perëndim. Të integrohen në këto zgjidhje, në bazë të projektimit të popullatës me skenarin optimal edhe zgjidhjet e tjera me një dy dhe tre nivele, parkimet nëntokësore dhe mbitokësore", tha Basha.

Grupi Strategjik diskutoi edhe për  krijimin e zonave të gjelbra,  që nga parqet e deri tek ndërhyrjet në çdo lagje të kryeqytetit për të rritur hapësirat e gjelbra.

"Miratohet në parim vendosja e parqeve të mëdha të Tiranës metropolitan, konkretisht të Parkut ekzistues të Liqenit Artificial, parkut të ri të Paskuqanit, parkut të Farkës, Parkut të Pishave të Kodrave të Vaqarrit, korridori rekreativ i Lumit të Tiranës si investime strategjike, dhe parqe të gjelbra me hapësirë të mëdha. Miratohen kriteret për ndërhyrje gjelbërimi të sipërfaqeve të mesme brenda qytetit si dhe kriteret për ndërtimet e reja dhe ekzistuese si dhe koefiçentin e gjelbërimit në përputhje me objektivin e vendosur nga  detyra e projektimit e miratuar nga Këshilli Bashkiak i Tiranës", tha Basha. 

Kryetari i Bashkisë vlerësoi gjithashtu faktin se grupi strategjik ka gjetur mirëkuptimin e përfaqësuesve të komunave përreth Tiranës për të bërë që studimi dhe Plani Rregullues të shtrihen përtej kufijve administrativë të kryeqytetit. “Në këtë kuadër, ndodhen me ne Kryetari i Qarkut dhe Prefekti i Tiranës, ndërkohë që u mor kontakt me të gjithë bashkitë dhe komunat kufitare individualisht dhe së bashku u ra dakord për hartimin e një plani pune, një protokolli bashkëpunimi, i cili do të ketë natyrë ligjore, brenda ligjit të ri të Urbanistikës, brenda kuadrit të ligjit për pushtetin vendor dhe që do të funksionojë në nivelin e Qarkut të Tiranës”, vijoi ai. /S.Ll/Start/

                                                                                             2011-11-25 15:43
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›